rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:
Radio Vatikani

Kryefaqja / Papa Françesku / Kremtime

Papa: feja është në lëvizje, të bën të ecësh përpara pa gabuar rrugën


Të ruhemi nga mëkati, që na shtyn t’i kundërshtojmë Shpirtit Shenjt, duke qenë gjithnjë të gatshëm për të papriturat e Zotit. Këtë pohoi Françesku gjatë Meshës së mëngjesit, kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës. Homelia e Papës u frymëzua nga fragmenti i shkëputur prej Veprave të Apostujve, që flet për ballafaqimin e Pjetrit me bashkësinë e parë të krishterë, lidhur me çështjen e pranimit të paganëve në radhët e ndjekësve të Krishtit.

Shpirti Shenjt e vë në lëvizje Kishën, e bën të ecë përpara bashkësinë e krishterë! Papa Françesku e vuri theksin mbi këtë të vërtetë, që pasqyrohet posaçërisht në Veprat e Apostujve.  

Zoti na befason gjithnjë, sepse është Zot i gjallë e ecën me ne

Shpirti Shenjt - pohoi Papa - bën mrekulli, krijon gjithnjë gjëra të reja e disa, sigurisht, kanë frikë nga këto risi në Kishë:

“Shpirti Shenjt është dhuratë e Zotit, e këtij Zot, Atit tonë, që na befason gjithnjë. Është Zot i të papriturave… Pse? Sepse është Zot i gjallë; Zot që banon në ne; Zot, që e vë në lëvizje zemrën tonë; Zot, që është në Kishë e ecën me ne e, në rrugë e sipër, na befason, gjithmonë. Ashtu si pati frymë krijuese, kur krijoi botën, ka të njëjtën frymë edhe sot, për të krijuar gjëra të reja, ditë për ditë. Është Zot, që të mrekullon”.

Kjo - vërejti Françesku - mund të krijojë vështirësi, ashtu si i ndodhi Pjetrit, të cilin dishepujt e tjerë e kundërshtuan, mbasi morën vesh se edhe paganët e kishin pranuar Fjalën e Zotit. Për ta - nënvizoi - Pjetri ishte shtyrë pak si tepër. Nisën, prandaj, ta qortonin sepse, sipas tyre, ky ishte shkandull. Madje arritën deri atje, sa t’i kujtonin: “Ti, Pjetër, gur i Kishës! Ku je kah na çon?”.

Të mos i kundërvihemi Shpirtit Shenjt, por t’i themi gjithnjë “ashtu qoftë”

Pjetri - kujtoi Papa - flet për vegimin e tij, një shenjë, që i vjen nga Zoti dhe e bën të marrë një vendim guximtar. E merr vendimin -  pohoi Papa - sepse është i aftë ta pranojë të papriturën, që vjen nga Zoti. Prandaj, përballë një mori të papriturash, që vijnë nga Zoti, Apostujt  duhet të mblidhen, të diskutojnë e të merren vesh, për të bërë atë hap përpara, që e dëshiron vetë Zoti:

“Gjithnjë, qysh në kohën e profetëve e deri më sot, nuk ka munguar mëkati, që e shtyn njeriun t’i kundërvihet Shpirtit Shenjt: mëkati i rezistencës përballë Shpirtit. Është pikërisht ai mëkat, për të cilin  Shtjefni i qorton anëtarët e Sinedrit: ‘Ju dhe etërit tuaj ju kundërvutë gjithnjë Shpirtit Shenjt’. Kundërshtohet Shpirtit Shenjt: ‘Jo: është bërë gjithnjë kështu, e kështu edhe duhet të bëhet!’. Mos na eja me këto risi, Pjetër,  mos u shqetëso…merr një hap e qetëso nervat… Qetë qetë… e kësaj i thonë t’ia mbyllësh zemrën zërit të Zotit. E Zoti, në Psalm, i flet popullit të vet e i thotë: ‘Mos e ngurtësoni zemrën, si etërit tuaj!’”.

Të kërkojmë hirin e shqyrtimit, për të dalluar të mirën nga e keqja

Zoti - pohoi në vijim Papa, duke cituar faqen e sotme ungjillore përqendruar tek Bariu i Mirë - na kërkon gjithnjë të mos i bëjmë zemrat gur:

“Zoti na kujton se ka edhe popuj të tjerë, grigjë të tjera, që nuk i përkasin, por edhe se do të jetë një grigjë e vetme e një bari i vetëm. Ata, që quheshin paganë, shikoheshin si të dënuar - vijoi -  e edhe atëhere kur bëheshin besimtarë, mbaheshin si besimtarë të klasës së dytë; kjo nuk thuhej, ama bëhej!”.

Mbyllja, kundërshtimi i Shpirtit Shenjt! Fraza, që të mbyll gjithnjë, që të ndalon në vend: ‘Është bërë gjithnjë kështu’. E kjo vret! Vret lirinë, vret gëzimin, vret besnikërinë ndaj Shpirtit Shenjt, që vepron gjithnjë, që e çon gjithnjë Kishën përpara. Por, si mund ta di nëse gjërat vijnë nga Shpirti Shenjt, apo nga mendësia e botës, nga shpirti i botës, ose, edhe më keq akoma, nga shpirti i djallit? Si mundem? Duhet kërkuar hiri i shoshitjes. Mjeti, që na e jep vetë Shpirti Shenjt, është shqyrtimi. Duhet të shqyrtosh në çdo rast, para se të veprosh. Këtë bënë edhe Apostujt: u mblodhën, folën e panë se kjo ishte udha e Shpirtit Shenjt. Ndërsa ata, që nuk e kishin këtë dhanti ose nuk ishin lutur për ta pasur, mbetën të mbyllur në vetvete, të shtangur në vend.

Të vërtetat e Kishës shkojnë përpara, zhvillohen me kalimin e kohës

Ne, të krishterët - tha akoma Papa - ndërmjet shumë e shumë risive, duhet ta dallojmë një gjë nga tjetra, ta dallojmë cila është e reja, vera e re, që vjen nga Zoti; cila është e reja, që vjen nga shpirti i botës e cila, ajo, që vjen nga vetë djalli.

Feja - shtoi - nuk ndryshon kurrë! Feja mbetet ajo, që ishte. Por është në lëvizje, rritet, zgjerohet. E, duke kujtuar një murg të shekujve të parë të krishterimit, Shën Vinçencin e Lerinos, nënvizoi:

“Të vërtetat e Kishës shkojnë përpara, përforcohen në vite,  zhvillohen në kohë, thellohen në moshë, që të jenë më të forta me kohë e me vite, të zgjerohen me kohën  e të lartohen me moshën e Kishës”.

E në përfundim, porosia:

“T’i kërkojmë Zotit hirin e shqyrtimit, për të mos gabuar rrugën, për të mos u shtangur, për të mos i mbyllur zemrat”.