rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:
Radio Vatikani

Kryefaqja / Papa Françesku / Udhëtime e vizita

Konferenza për paqen në Egjipt kërkon risimin e predikimit fetar


Nga Konferenca Ndërkombëtare për paqen e Universitetit sunit të Al Azharit, ku mori pjesë sot edhe Papa Françesku, së bashku me liderë të tjerë të feve të ndryshme, doli një deklaratë mbi të ashtuquajturin “Risimi i predikimit fetar”, hartuar edhe me kontributin e studiuesve me autoritet të vetë institucionit prestigjoz islamik. Ipeshkvi kopto-katolik  i Assiutit, imzot Anba Kyrillos William Samaan, deklaron për agjencinë Fides se kërkesa për të ndryshuar mënyrën e të folurit në gjithçka ka të bëjë me fenë pati ardhur nga presidenti egjiptian Abdel Fattah al Sisi, i cili i është drejtuar disa herë Al Azharit për ndihmë kundër prirjeve fanatike e ekstremiste. Presidenti i shtoi presionet për këtë në fillim të vitit 2015.

Konferenca, e cila ka filluar që dje, pati në qendër të vemendjes temën e rolit të krerëve të fesë kundër terrorizmit, si edhe punën për konsolidimin e parimeve të qytetarisë e të integrimit. Të gjitha fjalimet e, natyrisht, sidomos ai i Papës Françesku, u përqendruan në mbrojtjen e ruajtjen e paqes, duke analizuar faktorët, që e vënë atë në rrezik, përfshi manipulimin dhe interpretimin e gabuar të Teksteve të Shenjta të çdo feje. Përveç Atit të Shenjtë, në të morën pjesë edhe primatë të Kishave të tjera, si Patriarku Ekumenik Bartolomeu I, Patriarku Theodoros, Primati i Kishës kopto-ortodokse të Aleksandrisë e të gjithë Afrikës Tawadros II, Patriarku kaldeas Louis Raphael I Sako, të gjithë, të ftuar presonalisht nga Shehu Ahmed al Tayyib, Imam i Madh i Al Azharit.

Imzot Anba Kyrillos nënvizon për agjencinë katolike Fides edhe rëndësinë e këtij shtegtimit të Papës Françesku për bashkësinë e krishterë të Egjiptit. Të rinjtë katolikë kanë shkuar në Kajro nga të gjitha anët e vendit e po bëjnë një shtegtim katekizmi e përshpirtërie, që do të kulmojë nesër paradite, me meshën e Atit të Shenjtë në stadiumin e aeronautikës ushtarake. Por që sot, ata morën pjesë në një meshë të kremtuar nga Patriarku kopto-katolik Ibrahim Isaac dhe nga ipeshkvijtë vendas, në një zonë të hapur, pronë e Vëllezërve të shkollave të krishtera, në të ashtuquajturën Kajro e re. E do të bëjnë festë edhe poshtë dritareve të Papës në nunciaturën apostolike të kryeqytetit egjiptian, duke marrë bekimin e Atit të Shenjtë.