rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:
Radio Vatikani

Kryefaqja / Papa Françesku / Kremtime

Urbi et Orbi. Françesku: Zoti nuk lodhet duke kërkuar shkretëtirat e botës


Me ngjalljen e tij, Jezu Krishti na çliroi nga skllavëria e mëkatit dhe e vdekjes e na hapi kalimin në jetën e pasosur. Me këtë dritë shprese, që ia ndryshoi rrjedhën historisë, Papa përcolli, nga Lozha qendrore e Bazilikës së Shën Pjetrit, mesazhin, para Bekimit Urbi ed Orbi - Romës e Botës. Duke parë dhunën dhe të keqen që, në forma të ndryshme ndrydhin zemrën e njeriut, pohoi se Zoti nuk lodhet kurrë duke kërkuar nëpër shkretëtirat e botës. Por, ta ndjekim mesazhin e Papës:

Të dashur vëllezër e motra,

Sot, në mbarë botën, Kisha përsërit kumtin plot mahnitje të dishepujve të parë; “Jezusi u ngjall” - “E vërtet u ngjall, siç e pati parafolur!”.

Festa e lashtë e Pashkëve, përkujtim i çlirimit të popullit hebraik nga skllavëria, arrin në përmbushje sot, me ngjalljen e Jezu Krishtit, që na çliroi nga skllavëria e mëkatit dhe e vdekjes e na hapi kalimin në jetën e pasosur.

Të gjithë ne, kur sundohemi nga mëkati, humbasim udhën e mirë e shkojmë duke ravguar si dele të humbura. Por vetë Zoti erdhi të na kërkojë  e, për të na shpëtuar, u ul deri në poshtërimin e kryqit. E sot mund të shpallim: “U Ngjall Bariu i mirë, që për grigjën e tij shkoi drejt vdekjes, aleluja!” (Meshari Romak, IV, e Diela e Pashkëve, Ant. e Kungimit).

Në rrjedhë kohësh, Bariu i Ngjallur nuk lodhet duke na kërkuar ne, vëllezërit e tij të humbur në shkretëtirat e botës. E, me shenjat e Mundimeve - plagët e dashurisë së tij përdëllyese, na tërheq në rrugën e vet, rrugë jete. Edhe sot Ai i merr mbi shpatulla të gjithë vëllezërit e motrat  tona,  të shtypur nën barrën e së keqes në një mori formash.

Bariu i ngjallur shkon t’i kërkojë ata, që humbën në labirintet e vetmisë e të mënjanimit; shkon t’i takojë përmes vëllezërve e motrave, që dinë t’u afrohen me respekt e dhembshuri e t’i bëjnë këta njerëz ta dëgjojnë zërin e Tij, një zë i paharrueshëm, që të kujton miqësinë me Zotin.

Merr mbi vete të gjithë ata, që janë viktima të skllavërive të lashta e të reja; të punëve çnjerëzore, trafikëve të paligjshëm, shfrytëzimit, diskriminimit, vartësive të rënda. I merr mbi vete fëmijët e adoleshentët, të cilëve u rrëmbehet çkujdesja e moshës, për t’i shfrytëzuar; e ata, që e kanë zemrën të plagosur për shkak të dhunës së pësuar brenda mureve të shtëpisë së vet.

Bariu i ngjallur bëhet shok udhe me ata, që detyrohen ta lënë tokën e tyre për shkak të konflikteve të armatosura, të sulmeve terroristike, të zisë së bukës, të regjimeve shtypëse. Këta emigrantë të detyruar, Ai i bën të takojnë vëllezër nën çdo qiell, për të ndarë me ta bukën dhe shpresën, në udhën e përbashkët.

Në ngjarjet e ndëlikuara e shpesh dramatike të popujve, Zoti i ngjallur u priftë hapave të atij, që kërkon drejtësi e paqe; e u dhashtë drejtuesve të kombeve guximin për të shmangur përhapjen e konflikteve  e për të ndaluar trafikun e armëve.

Në këto kohë, në mënyrë të posaçme, mbështetët përpjekjen e atyre, që mundohen aktivisht për t’i çuar lehtësim e ngushëllim popullsisë civile të Sirisë së dashur e të martirizuar, viktimë e një lufte, që nuk pushon së mbjelli tmerr e vdekje. I djeshëm, sulmi i fundmë kundër refugjatëve në ikje, që shkaktoi shumë të vrarë e të plagosur.

Zoti i dhashtë paqe gjithë Lindjes së Mesme, duke nisur nga Toka Shenjte, tek Iraku e Jemeni.

Mos i mungoftë afërsia e Bariut të Mirë popullsive të Sudanit të Jugut, të Sudanit, të Somalisë e të Republikës Demokratike të Kongos, që vuajnë nga konflikte të përsëritura, të rënduara nga zija e madhe e bukës, që po godet disa zona të Afrikës.

Krishti i Ngjallur i përkrahtë përpjekjet e atyre që, posaçërisht në Amerikën Latine, angazhohen të garantojnë pasurinë e përbashkët të shoqërive, shpesh të përfshira në tensione politike e shoqërore që, në disa raste, përfundojnë në dhunë. U ndërtofshin ura dialogu, duke vijuar luftën kundër plagës së korrupsionit e në kërkim të rrugëzgjidhjeve të vlefshme paqësore të mosmarrëveshjeve, për progresin dhe konsolidimin e institucioneve demokratike, duke respektuar plotësisht shtetin e së drejtës.

Bariu i Mirë e ndihmoftë Ukrainën, ende të tronditur nga konflikti i përgjakshëm, të gjejë harmoninë e i shoqëroftë nismat, të cilat synojnë lehtësimin e dramave të atyre, që vuajnë pasojat.

Zoti i ngjallur, që nuk pushon s’e mbushuri kontinentin evropian me bekimin e tij, i dhashtë shpresë atyre, që po kalojnë çaste krize e vështirësish, posaçërisht për shkak të mungesës së madhe të punës, veçanërisht të rinjve.

Të dashur vëllezër e motra, sivjet, si të krishterë të çdo konfesioni, i kremtojmë së bashku Pashkët. Jehon, kështu, me një zë të vetëm, në të katër anët e botës kumtimi më i bukur: “Zoti u ngjall me të vërtetë, ashtu si e pati  premtuar!”. Ai, që fitoi mbi errësirën e mbi vdekjen, i dhashtë paqe ditëve tona.

Gëzuar Pashkët!

Në përfundim, urimi i Papës:

Të dashur vëllezër e motra,

jua drejtoj urimin e Pashkëve ju të gjithëve, që erdhët këtu, në Itali nga vende të ndryshme, ashtu edhe të gjithë atyre, që janë të lidhur me mjetet e ndryshme të komunikimit. Kumtimi i Pashkëve të Krishtit të Ngjallur i përtëriftë shpresat e familjeve tuaja e të bashkësive tuaja, në mënyrë të veçantë, të breznive të reja, ardhmëria e Kishës dhe e njerëzimit.

Falënderoj në mënyrë të posaçme, ata që dhuruan dhe kompozuan  zbukurimet me lule, të cilat edhe sivjet vijnë nga Vendet e Ulëta.

Uroj që ta ndjeni çdo ditë praninë e Zotit të Ngjallur e ta ndani me të tjerët gëzimin dhe shpresën, që na dhuron Ai.

Ju lutem, mos harroni ta thoni një uratë për mua.

Gëzuar Festën e mirupafshim!