rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:
Radio Vatikani

Kryefaqja / Papa Françesku / Takime e ngjarje

Imzot Fabene: Papa Françesku e do Sinodin për gjithë të rinjtë. Nesër, Lutja për DBR-në.


Papa Françesku do të kryesojë, nesër mbrëma, në Bazilikën e Shën Marisë së Madhe, Mbrëmësoren e lutjes në përgatitje të Ditës Botërore të Rinisë. Është takimi i parë i Papës me të rinjtë në udhën përgatitore të Asamblesë XV të përgjithshme të Zakonshme të Sinodit të Ipeshkvijve, që do të mbahet në tetor 2018, me temë: “Të rinjtë, feja dhe shqyrtimi i thirrjes shenjte” dhe të Ditës së XXXIV Botërore të Rinisë, që do të mbahet në Panama, në vitin 2019. Prandaj Mbrëmësorja do të përqendrohet tek figura e Dishepullit të dashur, zgjedhur si ikonë ungjillore nga dokumenti përgatitor i Sinodit dhe tek ajo e Zojës së Bekuar, që do të jetë burim frymëzimi për temat e Ditëve të ardhshme Botërore të Rinisë, drejt takimit të Panamasë. Pikërisht këto ditë, në Kolegjin Papnor Mater Ecclesia, në Romë, vijojnë punimet e Forumit ndërkombëtar të të rinjve, me 300 pjesëmarrës, organizuar nga Dikasteri për Laikët, Familjen e Jetën dhe nga Sekretaria e Sinodit, me temë. “Nga Krakovi - në Panama - Sinodi për udhë me të rinjtë”. Për atmosferën e Forumit, intervistuam zëvendës –sekretarin e  Sinodit, imzot Fabio Fabene:

Atmosfera që ndjehet këtu, është ajo e pritjes së të rinjve për ngjarjen e madhe, Sinodin - të cilin Papa e deshi për t’ia kushtuar pikërisht të rinjve. Të rinjtë duan vërtet ta ndjejnë veten Kishë, duan t’u dëgjohet zëri e të marrin pjesë vërtetësisht në udhën sinodale, që Kisha të rinohet me praninë e pjesëmarrjen e tyre. Të rinjtë nuk duan të ecin vetëm: duan të ecin së bashku me ne, së bashku me të gjithë njerëzit, që kanë arritur pjekurinë në fe, me të gjithë besimtarët e me barinjtë, për ta ndërtuar Kishën e Krishtit. E, përmes veprimtarisë së tyre, edhe për ta rinuar, që t’ua kumtojë Ungjillin breznive të reja.

 Papa Françesku beson shumë në këtë aftësi të të rinjve për t’i dhënë energji të reja Kishës, për t’ia rinuar fytyrën…

 Papa natyrisht dëshiron ta rinojë fytyrën e Kishës, përmes të të rinjve, por duhet të jemi tepër të vëmendshëm, sepse duhen aktivizuar jo vetëm të rinjtë, që tashmë e jetojnë përvojën e fesë në bashkësitë tona. Sinodi dëshiron të arrijë tek të gjithë të rinjtë, sepse - siç kemi shkruar në dokumentin përgatitor të Sinodit të ardhshëm - të gjithë të rinjtë kanë të drejtë të shoqërohen, të gjejnë vendin e  tyre në jetën e Kishës.

 Sinodi, natyrisht, është i ipeshkvijve, por ju, së bashku me Papën, theksoni edhe se ky Sinod, është me të rinjtë e për të rinjtë…

Siç e thatë edhe ju, Sinodi është i ipeshkvijve por, posaçërisht ky Sinod, synon të jetë jo vetëm për të rinjtë, por edhe me të rinjtë. Sinod ku të jenë ata vetë protagonistë. Nisma e këtyre ditëve bën pjesë pikërisht në aktivizimin e të rinjve në shtegtimin sinodal. Pastaj do të gjejmë forma të tjera, që të rinjtë të mund të jenë vërtet pjesë aktive, pjesë e gjallë e udhës sinodale, ku etërit sinodalë, që do të mblidhen në tetor 2018, të mund t’ua dëgjojnë zërin, t’i njohin dëshirat dhe shpresat e tyre.

 Nesër do të kremtohet Mbrëmësorja e lutjes me të rinjtë, në prag të DBR-së dioqezane, në Bazilikën e Shën Marisë së Madhe, për të nënvizuar me forcë  përmasën mariane, që u zgjodh pikërisht për udhën e DBR-së, drejt Panamasë…

Kjo mbledhje në Bazilikën më të lashtë mariane të perëndimit - në Shën Marinë e Madhe - lidhet me Sinodin edhe pse dokumenti i  zgjodhi si figura ungjillore në përgatitjen për udhë, Zojën dhe Dishepullin e dashur, e kështu edhe udha drejt Panamasë është thellësisht mariane, sepse edhe temat e saj janë mariane. Duhet kujtuar edhe se të dielën e ardhshme, në Sheshin e Shën Pjetrit,  Kryqi dhe figurja e Zojës “Shpëtimi i Popujve Romakë”, do të kalojnë nga duart e të rinjve të Krakovit, në ato të të rinjve të Panamasë. Prej këndej, një natë më përpara, do të jemi të gjithë  rreth kësaj figureje origjinale, rreth ikonës origjinale të Zojës “Salus Popoli Romani”, të cilën, të dielën paradite, do ta marrin të rinjtë e Panamasë.