2017-02-24 16:27:00

Biblioteka Apostolike e Vatikanit: vijon diplomacia e librit


Pas marrëveshjeve të fundit të bashkëpunimit kulturor me Serbinë, Kubën, Turqinë, për Bibliotekën Apostolike dhe Arkivin Sekret të Vatikanit janë në program edhe marrëveshje të reja. Ndërkaq po punohet me sukses për organizmin e një ekspozite në Pekin, me dorëshkrime të dinastisë së fundme kineze ruajtur pranë Bibliotekës së Vatikanit. Imzot Jean-Louis Bruguès, arkivist dhe bibliotekar i Kishës Shenjte Romake, këto muaj lidhi marrëdhënie të frytshme edhe me Rusinë e Rumaninë. E intervistuam:

Janë bërë shumë udhëtime. E shumë të tjerë parashikohen për të ardhmen. Nëntorin e vitit të kaluar u ftova nga drejtori federal i Arkivit rus. Një herë në Moskë, e më pas, edhe në Shën Peterburg. Qëllimi i takimit ishte të organizohej një ekspozitë me titullin: “Romanovët dhe Selia e Shenjtë”, domethënë të vihej në dukje përmasa diplomatike nga Pjetri i Madh, deri tek Nikolla II. Për një javë të tërë folëm, u ballafaquam e arritëm edhe tek marrëveshja. Në dhjetor të këtij viti, Arkivi Kombëtar  - që tani ndodhet nën përgjegjësinë e drejtpërdrejtë të kreut të Shtetit - do të organizojë, në Moskë, një ekspozitë për të vënë në dukje bashkëpunimin në të kaluarën e edhe në të sotmen, të Arkivit të Selisë së Shenjtë dhe Arkivit kombëtar rus.

Më duket se është hera e parë - nëse nuk gabohem - që Arkivi Sekret e bën një gjë të këtij tipi...

Po, hapëm një portë e, besoj, edhe një rrugë të re.

 A keni në plan të bëni edhe udhëtime të tjera të kësaj natyre?

Parashikojmë edhe dy udhëtime. I pari, në maj, në Rumani, për të organizuar një ekspozitë kushtuar njërës nga dioqezat vendase, asaj të Maramures. Kjo është Kishë që vuajti shumë gjatë komunizmit e prandaj duam t’i japim kësaj dioqeze të re, historia e së cilës nis në shekullin e kaluar, mundësinë të sistemojë një vitrinë, për të mundur, kështu, t’u tregojë katolikëve, por edhe mbarë shoqërisë, historinë e vet. E gjithë kjo, në perspektivë të njohjes shoqërore e, natyrisht, edhe kishtare. Në qershor kemi një udhtim të parashikuar në Armeni. Qeveria, përmes ambasadorit, më ftoi për ta njohur vendin, që nuk e kam shkelur akoma,  e për të parashikuar një ekspozitë me bibliotekën.

 Sa rëndësi ka kjo diplomaci e kulturës së librit, që po e çon përpara Biblioteka Apostolike e Vatikanit?

 Mund të themi se diplomacia e librit është e lashtë, si vetë libri. Por tani, në rrethanat aktuale politike, e edhe shoqërore, më duket se libri është i aftë të ndërtojë ura, kur veprimtari të ndryshme njerëzore do të sajonin veç mure, pengesa, përçarje. Sipas meje, libri është parakusht i vëllazërimit universal!








All the contents on this site are copyrighted ©.