rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:
Radio Vatikani

Kryefaqja / Kisha / Kisha në botë

Imzot Pizzaballa: në errësirën e dhunës, të sillemi si bij të dritës


“Feja nuk është akt i një çasti, qoftë edhe heroik. Është sjellje e përditshme e njeriut, që beson gjithnjë se në jetën e zakonshme, të thjeshtë e nganjëherë fare të rëndomtë, është gjithnjë e pranishme fara e amshimit. Beson se jeta nuk është vetëm ajo, që shikojnë sytë tanë njerëzorë”. Janë fjalët e administratorit apostolik të Patriarkatit latin të Jeruzalemit, imzot Pierbattista Pizzaballa, gjatë Meshës kremtuar në Jeruzalem, në Solemnitetin e Marisë, Nënës së Zotit.

Besimtari është i thirrur ta dëshmojë në jetë se është bir i dritës

Sipas kryeipeshkvit - pohon agjencia Sir - lindja e Krishtit, kremtuar pak ditë më parë, na kujton edhe se sundimi i Zotit në botë është i shkëputur nga çdo pushtet njerëzor e besimtari, i thirrur të dëshmojë, në jetën e tij të zakonshme, se është bir i dritës, në këtë botën tonë plot me dhunë. E këtë vit kemi parë shumë, tepër dhunë, kudo. Megjithatë, janë të shumtë të krishterët që, pavarësisht nga ç’u shohin sytë e u dëgjojnë veshët, për të mos thënë edhe çka provojnë mbi kurrizin e tyre, sillen si bij të dritës. Nuk e lejojnë errësirën të ngadhënjejë! Kuptohet menjëherë se flitet për Lindjen tonë Mesme e për një mori dëshmish të dhëna nga besimtarët e këtyre trojeve, ku lindi Princi i Paqes.

Veprat tona duhet të flasin e të tregojnë kush jemi!

Edhe në Tokën Shenjte - nënvizoi imzot Pizzaballa - errësira e dhunës, jo vetëm fizike, sot është ndoshta më pak e dukshme, të paktën këto ditë, por megjithatë, vijon ta mbështjellë pa pushim jetën e ne të gjithëve, të përditshmen tonë. E edhe në mes të errësirës, jemi të thirrur të sillemi si bij të dritës. E na takon ne ta shpjegojmë ç’do të thotë të jesh bir i dritës, këtu, sot. T’i shpjegojmë botës se të jesh bir i dritës, do të thotë t’i përkasësh Krishtit. Veprat tona - përfundoi - duhet të flasin vetë e të thonë kujt i përkasim!