rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:
Radio Vatikani

Kryefaqja / Papa Françesku / Kremtime

Gjithnjë më i madh numri i besimtarëve me Papën, në Vitin Jubilar


Gjithnjë në rritje, siç ishte parashikuar, numri i besimtarëve që mori pjesë në takimet me Papën, gjatë gjithë Vitit të Jashtëzakonshëm Jubilar të Mëshirës.

Me rastin e fundvitit, Prefektura e Shtëpisë Papnore, e kryesuar nga imzot Georg Gaenswein, bëri të ditur numrin e përgjithshëm të besimtarëve që morën  pjesë në takimet e ndryshme publike me Papën në Vatikan, gjatë vitit 2016. Të dhënat janë të përafërta, sepse të llogaritura mbi bazën e kërkesave për të marrë pjesë në ngjarjet e parashikuara drejtuar Prefekturës së Shtëpisë Papnore si dhe të vetë biletave, shpërndarë nga e njëjta Prefekturë,  e jo mbi bazën e pranisë reale të shtegtarëve e të besimtarëve. E po kështu u llogarit edhe numri i pranive në kremtime si ai i Engjëllit të Tënzot  ose i Mbretëreshës Qiellore e edhe kremtimeve të tjera në Sheshin e Shën Pjetrit. Numri i përgjithshëm arrin në 3.952.140 pjesëmarrës në audiencat e përgjithshme, kremtimet liturgjike, në lutjen e Engjëllit të Tënzot e të Mbretëreshës Qiellore.

Ky numër në vitin 2015 ishte 3.210.860 vetë, domethënë sivjet, 741.280 më shumë.

Numri më i madh i besimtarëve në takimet me Papën u regjistrua posaçërisht në muajin mars, në përkim me Javën e Madhe si dhe në shtator, me rastin e shenjtërimit të Nënë Terezës.

Në audiencat jubilare, dy a tri për çdo muaj, kryesuar nga Papa për të pritur shtegtarët e ardhur në Romë me rastin e Vitit Shenjt të Mëshirës, llogaritet të kenë marrë pjesë më se 446.000 persona.

Ndërmjet  takimeve  të ndryshme të besimtarëve me Papën, spikat   kryesisht lutja e Engjëllit të Tënzot në Sheshin e Shën Pjetrit: 1.650.000 besimtarë në vitin 2016. Pasojnë kremtimet liturgjike me Papën (924.500 besimtarë), audiencat e përgjithshme (762.000), audiencat jubilare (446.000), audiencat e posaçme (169.640). Është mirë të kujtohet - saktëson Salla vatikanse e Shtypit – se të dhënat janë të përafërta.

Shifrat kanë të bëjnë vetëm me takimet në Vatikan, e nuk i përfshijnë   çastet e tjera të rëndësishme, jetuar nga Papa me pjesëmarrje të madhe besimtarësh, as vizitat në dioqezet e Romës e të Italisë. Aq më pak, numrat e shtegtimeve ndërkombëtare, gjatë të cilave  Papa është takuar me miliona njerëz. E po kështu, me rastin e kremtimeve të mëdha e të takimeve me turma oqeanike gjatë rrugëve të Meksikos, Lesbos, Armenisë, Polonisë, Georgjisë, Azerbajxhanit e Suedisë – përfundon nota.