rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:
Radio Vatikani

Kryefaqja / Papa Françesku / Kremtime

Françesku: Zoti bëhet njeri për të ecur me ne çdo ditë


Kisha përgatitet të jetojë lindjen e Zotit. Papa Françesku do të kryesojë Meshën e Natës, nesër mbrëma, në orën 21.30, në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan.

Të dielë, më 25 dhjetor, në orën 12.00, nga Lozha qendrore e Bazilikës së Vatikanit, do t’i drejtojë mesazhin e Krishtlindjes mbarë botës dhe do të japë bekimin “Urbi et Orbi” - “Romës dhe Botës”.

Do të jetë Krishtlindja e katërt e Papës Françesku, i cili, në një tweet, shkruan: “Zoti bëhet njeri, për të ecur me ne në jetën e çdo dite”.

Kremtimi eukaristik i Meshës së Natës, do të paraprihet nga Kënga tradicionale e Kalendës, që kumton lindjen e Jezusit, Zot e qendër e historisë.

Gjatë Meshës së Natës, lutja e besimtarëve do të jetë, sipas traditës, në gjuhë të ndryshme. Në gjuhën kineze besimtarët do të luten që Kisha ta ruajë gjithnjë pastërtinë e fesë dhe të jetë shtëpi mikpritëse për çdo njeri, që kërkon gëzimin e vërtetë; në gjuhën frënge, lutja për qeveritarët, që të punojnë për ndërtimin e qytetërimit të dashurisë; në arabisht, lutja për ata, të cilët jetojnë në errësirën e mëkatit e të gabimit, që drita e Krishtit të mishëruar ta mundë natën e zemrës së tyre e t’u tregojë bukurinë e bashkimit me Zotin; në malayam, lutja për fëmijët, që jeta e tyre të ruhet e pastër; e, së fundi, në gjuhën ruse, lutja për të varfërit dhe njerëzit e vetmuar, që Emmanueli, i pranishëm në korpin e një foshnjeje, t’i ngushëllojë në çastet e vuajtjes e t’i bëjë ta ndjejnë veten të çmuar para syve të Atit.

Papa Françesku i nxit të gjithë të kremtojnë Krishtlindje të krishterë, në ngjasim të Krishtlindjes së Betlehemit, ku Zoti deshi t’i përmbysë  vlerat e botës, duke u bërë i vogël, në një stallë: i vogël me të vegjlit e i varfër me të varfrit:

“Në një shoqëri, shpesh të etur për konsum e kënaqësi, begati e luks, dukje e narcizizëm Krishti na fton për një sjellje të thjeshtë, të ekulibruar, konsekuente, na fton të jemi të aftë për të jetuar atë, që është themelore.  Në një botë, që shpesh herë është e egër me mëkatarin, e e butë me mëkatin, duhet kultivuar vetëdija e fortë e drejtësisë, e kërkimit për ta vënë në jetë vullnetin e Zotit. Brenda kulturës së indiferencës, që shpesh është e pamëshirë, stili i jetës sonë duhet të jetë plot me mëshirë, me dhimbsuri,   të cilat mund t’i gjejmë çdo ditë në pusin e lutjes (Mesha e Natës së Krishtlindjes, 2015).