rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:
Radio Vatikani

Kryefaqja / Papa Françesku / Audienca dhe Engjëlli i Tënzot

Festa “zbret” në Sheshin e Shën Pjetrit


 “Krishtlindja po vjen përsëri, për të na kujtuar se Misteri i Zotit është burimi i gëzimit të vërtetë. E Zoti vjen pranë nesh, kur e jetojmë atë që përfaqëson Shpella e Betlehemit: dashurinë, përvujtërinë, varfërinë. Kjo frymë festive u ndje fort sot në Sheshin e Shën Pjetrit. Takimi i Papës me besimtarët tingëlloi si ftesë për ta pritur Krishtin me dashuri në të gjitha shtëpitë e Romës e të botës. Tejet i pranishëm Krishti, në duart e qindra fëmijëve, që mbanin shtatoret e Foshnjës Hyjnore për Shpellat e Betlehemit të oratoreve e të famullive romake.  E edhe gëzimi i vërtetë, që i bëri besimtarët ta ndjejmë se jeta  e  të gjithëve vizitohet e mbushet plot nga një mister i madh, misteri i dashurisë së Zotit. Gëzim, sepse Shtatoret e vogla – në duart e vogla, treguan edhe një herë se në familjet ruhet zakoni për të bërë Shpellën e Betlehemit. Pa harruar se nuk mjafton përsëritja e një gjesti tradicional, sado i rëndësishëm qoftë. Sepse duhet ta jetosh në realitetin e të gjitha ditëve, atë që përfaqëson Shpella e Betlehemit: dashurinë e Krishtit, përvujtërinë e Tij, varfërinë e Tij.
E Diela III të Kohës së Ardhjes u rikujtoi edhe një herë besimtarëve Shën Françeskun që, në Greço, e paraqiti i pari të gjallë skenën e Lindjes së Krishtit, që ta kundronte e ta adhuronte, por sidomos, që ta vinte më mirë në jetë mesazhin e Birit të Zotit, i cili nga dashuria për ne u zhvesh nga gjithçka e u bë fëmijë i vogël. Lindte, kështu, Shpella e parë e Betlehemit, që më pas u bë traditë. Pjesë e kësaj tradite  është edhe bekimi i shtatoreve të Foshnjës Hyjnore, që na kujton se Shpella e Betlehemit është shkollë jete. Shikojmë Shpellën e Betlehemit: Zoja e Shën Jozefi nuk na duken familje fatlume: pritën ferishten e tyre të parë mes trazirash të mëdha; e megjithatë, janë gjithë gëzim, sepse e duan dhe e ndihmojnë njëri-tjetrin e, mbi të gjitha, janë të sigurtë se historia e tyre është vepër e Zotit, i cili u bë i pranishëm në Jezusin e vogël”.   Shikojmë edhe barinjtë. Po këta pse u dashka të gëzohen? Ky i Posalindur sigurisht nuk do ta ndryshojë varfërinë e mjerimin e tyre. Por feja i ndihmon, ata, e na ndihmon edhe ne,  të shohim në Fëmijën e mbështjellë me ndriza, të vënë në grazhd, shenjën e përmbushjes së premtimeve të Hyjit për të gjithë njerëzit ‘që ai i do’, e edhe për ta”.

Gëzimi nuk lind vetëm nga sendet, por kryesisht nga dashuria e vërtetësia,   Kemi nevojë për një Zot të afërt, i cili na e ngroh zemrën e i përgjigjet shpresave tona. Ky Zot u dëftua në Jezusin, që lindi nga Virgjëra Mari. Prandaj kjo Foshnje, që e bekoi sot Papa e që do të vendoset në kasolle a në shpella, është qendra e çdo gjëje, është zemra e botës...

e edhe zemra e Sheshit të Shën Pjetrit,  ku të premten e kaluar u përurua Shpella e Betlehemit e u ndriçua edhe Bredhi i Krishtlindjes, duke krijuar, këtë diel, atmosferën e vërtetë të Festave të mëdha. Sivjet në Shën Pjetër, Bredhi i Krishtlindjes është trentin, Shpella e Betlehemit, malteze

Nisën të ndriçohen të premten me dritat, që do të vijojnë të rrinë ndezur deri natën e së dielës, 8 janar 2017, ditë në të cilën përkujtohet Pagëzimi i Zotit e, në liturgji, përfundon edhe Koha e Krishtlindjes.

Pema e Krishtlindjes, një bredh i kuq, 25 metra i gjatë, 75 centimetra i trashë, është dhuratë e Komunës Scurelle-Foreste del Lagorai, Provinca autonome e Trentos. Shpella e Betlehemit është dhuratë e kryedioqezës dhe qeverisë së Maltës,  realizuar nga artisti Manwel Grech, nga Gozo.  Paraditen e 9 dhjetorit delegacioni trentin e ai maltez, së bashku me disa nga fëmijët, që realizuan stolitë e bredhit, u pritën në audiencë nga Ati i Shenjtë, për paraqitjen zyrtare të dhuratave.