rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:
Radio Vatikani

Kryefaqja / Papa Françesku / Takime e ngjarje

Rruga që zgjodhi Papa. Aborti e falja: gjashtë pika për të kuptuar


Aborti, Kisha, shërbesa papnore dhe drejtësia kanonike. Një skedë e shkurtër për ta njohur më thellë qëndrimin e Françeskut në Letrën apostolike “Misericordia et misera” (Dhembshuri e Mëshirë). 

1. Aborti e falja: ç’thotë Papa Françesku

 Në Letrën Apostolike, e pikërisht në n.12, pohohet: “U njoh, tani e tutje, të gjithë meshtarëve, përmes forcës së shërbesës së tyre, të drejtën t’i zgjidhin ato, që kanë kryer mëkatin e abortit. Por dëshiroj të pohoj me të gjithë forcën se aborti është mëkat i rëndë, sepse i jep fund një jete të pafajshme. E, me të njëjtën forcë, gjithashtu, mundem e duhet të pohoj  se nuk ka asnjë mëkat, që mëshira e Zotit nuk mund të mos e arrijë e ta shkatërrojë, kur gjen një zemër të penduar, që kërkon të pajtohet me Atin.

2. Çfarë është aborti me paramendim

Gjon Pali II në Evangelium vitae e quan “Vrasje me paramendim dhe e drejtpërdrejtë, që kryhet mbi një qenie njerëzore në fazën fillestare të jetës së saj, duke përfshirë këtu edhe vrasjen ndërmjet zënies dhe lindjes...  kërcënim, ky, i përbindshëm kundër jetës, jo vetëm për individë të veçantë, por për mbarë qytetërimin”. Bëhet fjalë, në çdo rast, për ndërhyrje që i jep fund shtatzanisë, duke e mbytur fetusin.

3. Çfarë thotë ligji i Kishës

Kodi i së Drejtës kanonike (1938) kujton: “Kush shkakton abortin,  bie në shkishrimin latae sententiae”. Është fjala për dënimin më të madh, që hyn menjëherë në veprim, pa nevojë për vendim të posaçëm. Por duhet kujtuar  se Kisha e ka pranuar gjithnjë edhe mundësinë e faljes për atë, që pendohet sinqerisht. Gjithsesi, ishte i nevojshëm autorizimi i ipeshkvit (Norma 969),  ose i një meshtari të deleguar prej tij. Papa Françesku, në fillim të Vitit Jubilar ua krijoi të gjithë meshtarëve mundësinë për ta zgjidhur mëkatin e abortit, e, me Letrën “Misericordia et misera”, kjo mundësi mbetet e përhershme.

4 . Çfarë thotë magjisteri

Tejet të shumta, qëndrimet, të cilat e miratuan këtë dënim. Që nga shekulli I i Kishës, që e dënoi abortin e provokuar. Aborti i drejtpërdrejtë vijon të jetë në kundërshtim të plotë me ligjin moral: “Mos e mbyt fëmijën me abort, e mos e mbyt as pas lindjes” (Didaché 2,2)1, “Zoti,  zotëria i jetës,  ua besoi njerëzve misionin tejet të lartë ta mbrojnë jetën, mision që duhet kryer denjësisht nga njeriu. Prandaj jeta, pasi është zënë, duhet mbrojtur me kujdesin më të madh; e aborti, ashtu si mbytja e fëmijëve, është një nga krimet më të urryera” (Koncili II i Vatikanit, Gaudium et spes, 51).

5. Shkishërimi dhe barra e rëndë e mëkatit

Nuk ka kurrfarë lidhjeje ndërmjet shkishërimit, i cili ka të bëjë me jetën shpirtërore të njeriut, e barrës tejet të rëndë të mëkatit. Aborti mbetet mëkat mortar, ashtu si të tjerët, por fakti që kryhet nga vetë nëna kundër fëmijës së vet të pafajshëm, e nxiti Kishën të marrë edhe masën e rëndë të shkishërimit (lidhur me njeriun e jo me mëkatin). Është një thirrje, pra,  drejtuar gruas e edhe të gjithë atyre, që e shtyjnë të abortojë, (mjekë e familjarë), për të nisur pendesën e për t’u kthyer në udhën e Zotit.

6. Çka ndryshon me vendimin e Papës Françesku

Do të lehtësohet udha pendestare e të gjithë atyre, që janë të njollosur me këtë faj të rëndë. Fakti që të gjithë meshtarët kanë tani mudësinë e përhershme  t’i mirëpresin e t’i zgjidhin këta njerëz, do të favorizojë edhe fitimin më të thellë të vetëdijes për rëndësinë e problemit e do të çojë në përgatitjen e formimin më të kujdesshëm nga ana e rrëfyesve, siç dëshiron edhe vetë Papa (që askujt të mos i mungojë kurrë shenja sakramentore e pajtimit përmes faljes nga ana e Kishës). 

1 Didaché – Doktrina e 12 Apostujve