rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:
Radio Vatikani

Kryefaqja / Papa Françesku / Takime e ngjarje

Papa Françesku TV2000: bekim, Viti Shenjt


Në përfundim të Vitit Shenjt, Papa i dha një intervistë Tv2000 dhe InBlu Radio. Trembëdhjetë pyetje, e po aq përgjigje, bilanc i Jubileut, duke nisur nga lidhja ndërmjet mëshirës e drejtësisë e nga takimet me ish-prostitutat, për të vijuar me të sëmurët në prag të vdekjes, të burgosurit në “Të premtet e mëshirës” e deri tek trafiku i  armëve e tek pyetjet me karakter thellësisht personal.

Cilat ishin mbresat e Papës, në ditën kur u mbyll Jubileu i jashtëzakonshëm i Mëshirës? Ishte i kënaqur nga mënyra si u jetua ky Vit Shenjt? Nuk mund të niste  ndryshe intervista me Tv2000, në sa ishin krejt të freskëta ndjenjat dhe emocionet e një Viti të tërë, Shenjt e të jashëtzakonshëm.  E nga përgjigjja kuptohet menjëherë se Françeskut nuk  mendon të bëjë bilance: nënvizon se Jubileu u kremtua në mbarë botën, e jo vetëm në Romë, e kjo ishte gjë e mirë, sepse u jetua nga mbarë Kisha, që  e ndjeu njëherësh atmosferën e Jubileut. Ishte bekim i Zotit” Jo pikë përfundimtare, por hap përpara i një procesi:

“Është në një vijë kishtare, në të cilën mëshira, nuk po them zbulohet, sepse ishte gjithnjë, por shpallet me forcë të veçantë, apo jo? Është nevojë, një nevojë që besoj se ndjehet në këtë botë, e cila ka sëmundjen e  hedhurinës, sëmundjen e mbylljes së zemrës, të egoizmit. Bën mirë, prandaj. E bëri mirë. Sepse i hapi zemrat e një mori njerëzish, që u takuan me Jezusin,,…”.

Një herë në muaj, të premteve, Papa doli nga Vatikani për të kryer një vepër mëshire, duke shkuar në vende ku strehohet njeriu i vuajtur. Cili ishte takimi, që i mbeti më shumë në zemër? Dy, në mënyë të veçantë përgjigjet Papa; i pari, ai me një grup vajzash të shpëtuara nga shfrytëzimi i prostitucionit. Një prej tyre i tregoi historinë e saj:

“… më thoshte: ‘Atë, linda një fëmijë në kulmin e dimrit, në rrugë të madhe. Vetëm. Vajza më vdiq në krahë’. E bënin të punonte deri në këtë ditë, pasi po të mos i sillte shfrytëzuesve të saj aq sa i kërkonin, e shtronin në dru, madje edhe e torturonin. Një tjetre i kishin prerë veshin. E unë  atë çast nuk mendova vetëm për shfrytëzuesit, por edhe për ata, që i paguanin vajzat: po a nuk medonin këta njerëz se me këto të holla të paguara vetëm e vetëm për një kënaqësi seksuale, shkatërronin vajzat e ndihmonin shfrytëzuesit?”.

Papa kujtoi, më pas, vizitën në dy spitalet romake, ku, nëse mund të shprehemi kështu, pa dy skajet e jetës: zanafillën e fundin, e prandaj foli për vajin e një nëne e cila para binjakëve të saj, qante të tretin, që i lindi i vdekur: “E mendova për zakonin e flakjes së fëmijëve para se të lindin, për këtë krim të urryer: i shporrin, sepse kështu u duket më mirë, sepse kështu ndjehesh më rehat. E ky është mëkat i rëndë, përgjegjësi e madhe….”.

A është vërtet e mundshme një Kishë e varfër për të varfërit?

Armiku më i madh i Zotit është paraja, përgjigjet Papa, askush nuk mund t’u shërbejë dy zotërive, Zotit e parasë. E Kishën, si institucion, e bëjmë ne, secili nesh: “Djalli gjithnjë hyn përmes xhepave. Kjo është porta e tij e hyrjes. Duhet luftuar, për të bërë një Kishë të varfër e për varfërit, sipas Ungjillit, apo jo? Duhet luftuar. E kur shikoj Mateun, në kreun e 25-të, që është protokolli mbi këtë argument, rreth të cilit po gjykojmë, e kuptoj se ç’do të thotë një Kishë e varfër e për të varfërit: veprat e mëshirës! Është e mundshme, por duhet luftuar gjithnjë, sepse tundimi i pasurisë është tepër i madh”.

E, me që kujtuam tundimet, cilat janë tundimet e një Pape, që e quan veten mëkatar, të cilin Zoti e shikon me mëshirë?

“Janë tundimet, që i ka çdo njeri, çdo burrë - përgjigjet Françesku - Sipas ligështive të personalitetit, të cilat djalli i përdor gjithnjë, që të mund të hyjë e që janë padurimi, egoizmi, pastaj edhe pakëz përtaci, por hyjnë, të gjitha, të gjitha… E tundimet s’na lënë të qetë, na shoqërojnë deri në fund të fundit, apo jo?”.

Po Zoti vijon të më shikojë me mëshirë  e të më shpëtojë, përfundon Papa, për të kaluar, pastaj, në një çështje që e ka fort për zemër. Tek ajo e të burgosurve: “Pse ata, e jo unë? - mendon shpesh Françesku, kur viziton burgjet. Si kështu?

“… shumë fillesa sendesh të këqija pata në jetën time e nëse Zoti nuk do të ma kishte mbajtur dorën mbi krye…. Prej këndej, them: ‘Pse ata, e jo unë?’. E pastaj është një mendim, ndërmjet nesh, mendim i përhapur: epo përfundoi në burg, sepse bëri ndonjë  prapësi; ta paguajë tani! Kështu burgu shikohet si dënim. E kjo nuk është gjë e mirë. Burgu - mund ta themi ndër thonjza, për të dhënë një shembull - është i ngjashëm me Purgatorin, domethënë që ta përgatisë njeriun për rikthimin në gjjrin e shoqërisë. S’ka dënim të vërtetë, pa shpresë. Nëse dënimi nuk ka shpresë, nuk është dënim i krishterë, e as njerëzor. Prandaj  dënimi me vdekje nuk shkon!

Pastaj, edhe një pyetje personale, kë e ka më vështirë të durojnë Papa: përgojuesit apo mikluesit?

Të dytët, përgjigjet menjëherë Françesku, kam alergji nga lajkatarët: “Sepse ta lajkatosh tjetrin, do të thotë ta përdorësh për një qëllim të fshehtë a të dukshëm, por gjithnjë në dobi të vetvetes, për të fituar diçka” .

Rikujtohet, pastaj, tema e mëshirës dhe e drejtësisë: cila është përgjigjja, që i jep Françesku, kujt mendon se mëshira është zemërgjërsi e drejtësisë, e prej këndej, është e padrejtë? Atyre që mendojnë se mëshira nuk mund të jetë përgjigjja - për shembull - që i duhet dhënë persekutuesve? Është problemi i ngurtësisë morale pas gjithë kësaj - përgjigjet Papa,  ngurtësi që nuk është e Jezusit. Jezusi i quan “hipokritë” doktorët e Tempullit:

“Në Zotin, edhe në të krishterin, sepse është në Zotin – drejtësia është e mëshirshme e mëshira, e drejtë Nuk mund të ndahen: janë një gjë e vetme. Kur Jezusi e fal Zakeun e shtrohet në sofër me mëkatrët, e fal Madalenën, fal gruan e pabesë, fal samaritanen, ç’është pakëz zemërgjërësi? Jo! Zbato drejtësinë e Zotit, që është e mëshirshme”.

Një nga sëmundjet më të rënda të kësaj epoke, është skleroza, vijon Papa, paaftësia për ta ndjerë dhembshurinë. Për t’u afruar…është zemra e ngurtë… “Unë duhet të arrij këtë qëllim e aq më bën tjetri, unë shikoj hesapin tim!”. E Papa këtu sjell shembullin e tregtarëve të armëve, që nuk çajnë fare kokën për të tjerët, kur është fjala për të fituar:

“Kur flasim për Krishtin, nuk duhet ta harrojmë Korpin e Krishtit. E kjo botë ka nevojë për këtë dhembshuri, që i thotë korpit ta ledhatojë korpin e munduar të Krishtit e jo të shkaktojë vuajtje të reja. Besoj se shtetet, që janë në luftë, duhet të mendojnë mirë se një jetë vlen jashtëzakonisht shumë. Një jetë vlen më shumë se një territor”.

Pyetja e fundit: Shenjtëri, pas një muaji do të mbushni 80 vjet e ditët tuaja janë tejet të ngarkuara me angazhime. Si do t’ia bëni? Reagimi i parë është: unë 80 vjeç? E pastaj:

“Nuk e di si do t’ia bëj, por… unë lutem e kjo më ndihmon shumë. Lutem! Lutja është ndihmë për mua, është të jesh me Zotin. Kremtoj Meshën, lexoj Breviarin apo Shkurtoren e Lutjeve, flas me Zotin, them Rruzaren… Pastaj flej mirë: e ky është hir i Zotit. Flej një cope.. e bëj atë që mundem e jo më shumë.   Është hir i Zotit ky…”.