rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:
Radio Vatikani

Kryefaqja / Kisha / Kisha shqiptare

Meshë falenderimi në Blinisht për lumnimin e martirëve shqiptarë


Pas kremtimit madhështor që u mbajt në Katedralen e Shën Shtjefnit në Shkodër me rastin e Lumnimit të Martirëve Shqiptarë,të shtunën e kaluar më 5 nëntor, edhe dioqeza e Sapës ka kremtuar një Meshë falënderimi për këtë ngjarje të rëndësishme e historike, kishtare e kombëtare. që Papa Françesku ia dhuroi Kishës Shqiptare, duke i ngritur në elterin e të Lumëve 30 Martirë, që me shembullin e tyre heroik i qëndruan besnik Krishtit deri në momentet e fundit të jetës. Të dëgjojmë Violeta Marashin nga dioqeza e Sapës...

Mesha u mbajt në Kishën e Martirëve Shqiptarë në Blinisht të Zadrimës, kryesuar nga martiri i gjallë i fesë, Kardinali shqiptar dom Ernest Troshani në bashkëkremtim me të gjithë meshtarët e Sapës.  

Për dioqezën tonë kësaj ngjarje iu shtua edhe gëzimi i ardhjes së eshtrave të martirëve të Sapës, don Ndoc Suma, don Luigj Prendushi, atë Giovanni Fausti, Atë Daniel Dajani në këtë Kishë, pikërisht kjo Kishë e cila u frymëzua prej shpirtit Shenjtë në mënyrë profetike, në zemrën e të madhit Dom Antonio Sciarra, i cili këtë gëzim që po përjetojmë ne sot ai e parashikonte 20 vite më parë. Sot edhe ai bashkë me ipeshkvin tonë të paharruar imzot Avgustinin, gëzojnë prej qiellit me Martirët tanë për Lumninë që i erdhi kësaj Kishe.

 “Bota na josh duke na ofruar shumë gjëra e shumë kënaqësi të rrejshme, por ajo harron që nuk ka në dorë përveçse një grusht dhe!!!  Jetën na e jep vetëm Jezu Krishti.” Janë këto fjalët e Kardinalit që shqiptoi gjatë homelisë së rastit, por në të njëjtën kohë ai kujtoi edhe momentet e vuajtjeve të tij dhe të gjithë klerit katolik gjatë regjimit komunist.

Si Administrator i kësaj Dioqeze, don Simon Kulli në fjalën e tij përshëndetëse falenderoi Zotin për ditën që ia dhuroi Shqipërisë, ku e gjithë bota në ditën e 5 nëntorit i solli sytë drejt Shkodrës nga ku u lumnuan 38 martirë, të cilët qëndruan besnik deri në fund  ndaj popullit dhe Krishtit. Gjithashtu, ai falenderoi edhe të gjithë të pranishmit për praninë e tyre në Kishën e Martirëve tanë Shqiptar, Kishë kjo e cila tashmë përmes pranisë se martirëve do nxjerrë bekime të shumta për këtë famulli, për dioqezën por edhe për krejt popullin shqiptar që do e vizitojë në të ardhmen. Kjo ndër ngjarjet më të jashtëzakonshme të popullit tonë, që tregon triumfin e Krishtit dhe të gjithë atyre që e ndjekin Krishtin dhe i qëndrojnë besnik deri në fund.

Mes besimtarëve të shumtë, e pranishme ishte edhe mbesa e martirit dom Ndoc Suma, motra stigmatine Maria Kaleta, e cila u bë e njohur për mbarë botën me dëshminë e mbajtur para Atit të Shenjtë gjatë vizitës së tij në Shqipëri në shtator të vitit 2014. Përmes emocioneve të shumta edhe motër Maria shpreh falenderimin ndaj Zotit për këtë nderim që iu bë martirëve dhe momentet e hirit që jetoi ajo vetë personalisht gjatë këtyre ditëve, që kishin për kryefjalë Lumnimin e Shërbëtorëve të Hyjit, Lumnimin e 38 Martirëve Shqiptarë.