rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:
Radio Vatikani

Kryefaqja / Vatikani / Dokumente

Vatikan: kardinali Muller: Të vdekurit nuk janë pronë private


“Të vdekurit nuk janë pronë private e farefisit, që të mund të bëjë me ta ç’të dojë e si të dojë”. E theksoi kardinali Gerhard Müller, prefekt i Kongregatës për Doktrinën e Fesë, gjatë një konference shtypi mbajtur këto ditë në Vatikan, në të cilën u paraqit dokumenti lidhur me varrosjen e të vdekurve dhe ruajtjen e hirit, në rast djegieje në furrën krematore. Zyra Shenjte sqaroi, me këtë rast, se kur, për shkaqe të arsyeshme vendoset të digjet kufoma e të vdekurit, sipas rregullit, hiri duhet ruajtur në një vend të shenjtë, në varrezë ose në ndonjë kishë.

Hirësia a Tij shpjegoi se Udhëzimi i Kongregatës për Doktrinën e Fesë është tekst i botuar me autoritetin e Papës. Vdekja - vijoi të shpjegojë kardinali Müller - nuk është fundi i jetës. E kjo duhet të jetë një bazë e padiskutueshme!

Hiri i të vdekurve nuk duhet ruajtur në shtëpi. Një gjë e tillë mund  të ndodhë vetëm në raste të jashtëzakonshme e në marrëveshje me Konferencën ipeshkvnore ose me Sinodin e ipeshkvijve. Për të shmangur çdo tip keqkuptimi panteist, natyralist ose nihilist, nuk lejohet as përhapja e hirit  në ajër, nëpër tokë, në ujë apo në ndonjë mënyrë tjetër. Aq më pak, shndërrimi i hirit të mbetur nga djegia, në objekte përkujtimore.

Atë Serge Thomas Bonino, sekretar i Komisionit Teologjik Ndërkombëtar, duke folur në konferencën e shtypit për paraqitjen e dokumentit lidhur me varrosjen dhe me ruajtjen e hirit në rast djegieje, theksoi se “Djegia është proces, që ka në vetvete diçka mizore”.

“Procesi i djegies - nënvizoi - nuk është i natyrshëm. Është proces në të cilin njeriu vendos të jetë zot i jetës e i vdekjes së tij pa Zot. Është proces, që shkatërron, duke na bërë të harrojmë se humbëm një njeri të dashur, jo një grusht me hi”.

Në dokument i jepet përgjigje edhe një pyetjeje “Në rastin kur  i vdekuri e ka lënë amanet që hiri i tij të shpërndahet në natyrë, duhen apo nuk duhen mohuar salikimet?”. Atë Bonino kujtoi se kur shpërndarja e hirit  bëhet pa asnjë paralajmërim e pas salikimeve, atëherë salikimet, natyrisht, nuk mund të refuzohen. Por edhe në rast se salikimet zyrtare refuzohen, kjo nuk do të thotë se nuk mund a nuk duhet të lutemi për shpirtin e të vdekurit.

Dokument me vlerë edhe për katolikët shqiptarë, ky i djegies së trupave. Vërtet ndër shqiptarë nuk ka ende furra krematore, por procesi nuk është aspak i panjohur. Shumë shqiptarë mërgimtarë, kur ndjejnë se po u afrohen çastet e fundme, dëshirojnë të kthehen në atdhe, për të pushuar në paqe pranë familjarëve. Por kur vdekja u troket papritur, shumë larg nga varret e të parëve, atëherë lind problemi i djegies, për ta mbartur më lehtë ç’mbetet nga trupi i vdekshëm. Prej këndej, ka mjaft raste kur mërgimtarët kthehen në trajtën e një grushti me hi. Ashtu si ka pasur edhe raste kur hiri është shpërndarë mbi ujë e mbi tokë. Prej këndej, dokumenti ka vlerë edhe për viset ku as që bëhet fjalë për krematorë, ndërsa  mbetet problem sigurimi i hapësirës së duhur për varrosjen e të vdekurve, sidomos në varrezat e qyteteve të mëdha.

Të varrosur a të djegur, të shoqëruar a jo me ritet e mortit, të vdekurit tanë të dashur kanë nevojë për lutjet e të gjallëve, që të pushojnë në paqe, të ndritur nga Drita e pambaruar.