rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:
Radio Vatikani

Kryefaqja / Papa Françesku / Udhëtime e vizita

Papa, në avion, flet për emigracionin, trafikët, shekullarizimin


Në avionin, që e solli nga Malmoe në Romë, si zakonisht në përfundim të çdo udhëtimi papnor, Papa Françesku u takua me gazetarët dhe iu përgjigj pyetjeve të tyre. Ndër temat e përmendura: emigrantët e refugjatët, shekullarizimi, laiciteti e laicizmi, mendësia shpirtërore e kësaj bote, trafiku i njerëzve dhe puna vullnetare kishtare në Itali.

Mendohet se kultura e krishterë në Evropë kërcënohet nga refugjatët, që vijnë nga Siria e Iraku. Në disa vende janë ngritur barrikada për të mos i lejuar të qëndrojnë, i kërkoi Papës një mendim, gazetarja suedeze. Ati i Shenjtë Bergoglio kujtoi se pikërisht në Suedi, në kohën e diktaturave ushtarake në Amerikën Latine, janë strehuar shumë argjentinas e shumë njerëz nga vende të tjera. Nga 9 milion banorët e Suedisë, 850 mijë janë “suedezë të rinj”, vërejti Papa, i cili, më pas, bëri dallimin ndërmjet emigrantit e refugjatit. Emigracioni është e drejtë, nënvizoi, por kjo e drejtë duhet rregulluar me ligje e me norma, që duhen ndjekur nga të gjithë. Ndërsa refugjati ikën nga lufta, nga ankthi, nga uria, nga një gjendje e tmerrshme e ka nevojë për më shumë kujdes. Kulturat e tjera, nënvizoi Ati i Shenjtë, nuk duhet të na frikësojnë, sepse Evropa është bërë pikërisht nga integrimi i vazhdueshëm i shumë kulturave. “Çfarë mendoj për vendet, që mbyllin kufijtë – ngriti zërin Papa. Besoj se në teori nuk mund të mbyllet zemra para një refugjati, por është e nevojshme edhe kujdesi i qeveritarëve: duhet t’i mirëpresin, por edhe të bëjnë llogaritë si t’i sistemojnë, sepse refugjati nuk duhet vetëm të pritet si duhet, por edhe të integrohet”. Nëse një vend pret më shumë refugjatë nga sa mund të ndihmojë, rrezikon t’i getizojë ata e të mos i integrojë si duhet. Kjo është e rrezikshme, vuri në dukje Papa.

I pyetur për mundësinë e shugurimit të grave-meshtare, Ati i Shenjtë sqaroi se fjalën e fundit në këtë drejtim e ka thënë Shën Gjon Pali II e ajo mbetet. Megjithatë, gratë në Kishë mund të bëjnë gjëra të tjera e, edhe më mirë se burrat. Kisha nuk ekziston pa përmasën e saj mariane, pra, pa përmasën femërore.

Përsa i përket Lëvizjes Karizmatike, Papa Françesku pranoi se fillimisht ka qenë kundër saj, por “kur gjërat bëhen mirë”, pra, ashtu si duhet e jo si “shkollë sambe”, ndryshoi mendim. Vitin që vjen do të marrë pjesë në kremtimet për 50-vjetorin e Lëvizjes, në Circolo Massimo të Romës.

I pyetur për shekullarizimin aktual të shoqërisë, Papa Françesku nënvizoi se ky është proces kulturor, në të cilin njeriu po përpiqet të zërë vendin e Zotit. “Nuk është problem laiciteti, sepse na duhet një laicitet i shëndoshë, që është autonomia e shëndoshë e gjërave, autonomia e shëndoshë e shkencës, e mendimit, e politikës. Tjetër gjë është laicizimi, më i ngjashëm me ç’na ka lënë trashëgim iluminizmi. Por unë besoj se gjërat janë dy: nga njëra anë, mendjemadhësia e njeriut, krijues i kulturës, por që shkon përtej kufijve dhe e ndjen veten Zot e, nga ana tjetër, dobësia e ungjillëzimit, që bëhet i vakët e kështu, të krishterët bëhen të vakët”. Kur shekullarizimi hyn në Kishë, nënvizoi më tej Papa, krijohen forma mendësie shpirtërore të kësaj bote, që s’kanë të bëjnë me fenë e vërtetë, por që kamuflohen si moderne.

Më pas, Ati i Shenjtë Bergoglio tregoi për përvojën e tij në fushën e luftës kundër trafikëve të ndryshëm, për impenjimin me skllevërit e punës e të prostitucionit, por edhe për grupet e vullnetarëve, që përpiqen t’i shpëtojnë këta njerëz, duke u dhënë dinjitetin, që meritojnë. Lavdëroi veçanërisht grupet e vullnetarëve në Itali e në përfundim, i përshëndeti gazetarët duke u uruar drekën e mirë.