rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:
Radio Vatikani

Kryefaqja / Papa Françesku / Udhëtime e vizita

Papa në Asizi, e kalon drekën me refugjatët


Papa Françesku, në Asizi për Takimin ndërfetar të lutjes për paqen, e hëngri drekën, përveçse me liderët fetarë të pranishëm, edhe me një grup refugjatësh, ardhur nga vende në luftë. Aktualisht, ata strehohen nga Bashkësia e Shën Egjidit, një nga organizatoret e Takimit.

“Ndër ta – shpjegon bashkësia në një komunikatë – Rasha, së bashku me të bijën Janin, vetëm shtatë vjeçe. Mbërritën në Itali shkurtin e kaluar me korridoret humanitare të Shën Egjidit, në bashkëpunim me Federatën e Kishave Ungjillore dhe me Tryezën Valdeze. Me origjinë palestineze, jetonin në një kamp refugjatësh në periferi të Damaskut, deri sa ikën në Liban. Po përmes korridoreve humanitare, kanë mbërritur edhe pesë të krishterë sirianë: janë katolikë asirë Fadi dhe Ruba, që me të birin 11-vjeçar, Murkus, u detyruan të iknin nga Hasake; të krishterë armenë janë Osep, Kevork dhe Tamar. Ky i fundit, më vonë flet në ceremoninë përfundimtare, duke dëshmuar vuajtjen e qytetit të vet, Halebit”.

“Vijnë prej rajonit të përgjakur nga Boko Harami – vijon komunikata – nigerianet Paulina dhe Evelyn; ka ikuar nga Eritrea, Enes, ndërsa është me origjinë nga Mali 23-vjeçari Alou, i mbijetuar nga një udhëtim i tmerrshëm me gomone, nga Libia në Sicili”, shpjegon akoma bashkësia e Shën Egjidit.

E plot emocion e priti drekën me Papën Françesku edhe Maria, vajza siriane 6-vjeçare, mbërritur në Itali, së bashku me prindërit, vetëm 4 muaj më parë, pasi kishte përjetuar tmerret e luftës në Damask e përballuar udhëtimin me gomone. Ishte më e vogla në tryezën e Kuvendit Shenjt të Asizit, të cilën Papa e ndau jo vetëm me refugjatët, viktima të luftës, por edhe me përfaqësuesit e feve botërore.