rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:
Radio Vatikani

Kryefaqja / Vatikani / Ngjarje

Fal dhe harro: filozofia e Nënë Terezës në konferencën e shtypit


“Forgive and forget” (Fal dhe harro): fjalët e postulatorit të çështjes së shenjtërimit të Nënë Terezës, atë Brian Kolodiejchuk, përshkruan qartë sot një aspekt të rëndësishëm të mendimit të shenjtes, në Sallën e Shtypit të Vatikanit, gjatë konferencës për paraqitjen e kanonizimit të misionares së madhe shqiptare të dashurisë, të cilën Papa Françesku e zgjodhi si ikonë të Mëshirës Hyjnore. Se nuk mund të falim vërtet, pa e harruar ç’po falim, siç thoshte Nënë Tereza.

“Ne kemi nevojë për shumë dashuri që të falim e kemi nevojë edhe për shumë përvuajtëri që të harrojmë, sepse falja është e plotë vetëm kur harrojmë – citoi atë Brian, Nënë Terezën. E duke mos harruar, shpesh, themi se falim, ama s’mund të harrojmë. Por nëse nuk harrojmë, në të vërtetë, nuk falim plotësisht”.

Përveç atë Brian Kolodiejchuk, e pranishme edhe  motër Mery Prema e Marcilio Haddad Andrino, braziliani i mrekullisë së shërimit përmes ndërhyrjes së Nënë Terezës, që ka ardhur në Vatikan së bashku me të shoqen, Fernanda.

 Si kurrë ndonjëherë, 600 gazetarë do të ndjekin meshën e 4 shtatorit në Sheshin e Shën Pjetrit, por edhe në Sallën e Shtypit, sot, ishin të paktën 200. Dëgjuan me vëmendje kur motër Mary Prema solli dëshmi personale për Nënë Terezën, nga e cila pati marrë kryqin dhe Rruzaren. “Ishte nënë dhe mësuese për ne. E jetonte me kaq gëzim Ungjillin, sa të gjitha e donim pranë. Nuk pranoi asnjëherë ndonjë gjë që nuk e kishin të gjitha motrat e tjera”.

 Përshkoi ditën e Nënë Terezës, që fillonte në orën 5 të mëngjesit, me lutjen e me meshën e vijonte me punën për më të varfërit. Çdo ditë, nënvizoi motër Prema, gjente disa çaste për të na folur e për të na mësuar, gjithnjë me buzëqeshje. “Besoj – vuri në dukje rregulltarja gjermane, edhe ajo me buzë në gaz – se buzëqeshja e Nënës ishte dhurata më e bukur e saj për Zotin…Kudo shkonte çonte dashurinë e Krishtit që të gjithë ta shihnin sa shumë i do Zoti”.

E përsa i përket “errësirës” shpirtërore, për të cilën është folur shumë, postulatori i çështjes së shenjtërimit të Nënë Terezës sqaroi se ajo e shihte këtë si pjesë krejt të vogël të mundimeve dhe të “errësirës” së Jezusit mbi tokë. “Nënë Tereza – përfundoi atë Brian – është shenjte për këdo, pikërisht sepse ajo ishte në gjendje ta ndante vuajtjen e Jezusit, ta kuptonte se Zoti e donte në mënyrë të veçantë. Nënë Tereza është shenjte për këdo, për të varfërit dhe të pasurit, në kohën tonë të përshkuar nga dhuna dhe zemërngurtësia, sepse ajo dëshmoi se e keqja/mjerimi shpirtëror, që mbartim në vetvete, mund të falen e se, duke u kapur pas dorës së mëshirshme dhe të sigurt, që na shtrin Jezusi, mund të dalim nga errësira”.

Marcilio tregoi hap pas hapi si ndodhi mrekullia e shërimit të tij, me ndërhyrjen e Nënë Terezës, pas lutjeve të zjarrta drejtuar asaj nga ai vetë, e shoqja dhe të afërmit. Shpjegoi se mjekët nuk i kishin dhënë shpresa për shërimin e abseseve të shumta në tru, por tani, prej tyre, kanë mbetur vetëm shenjat e plagëve të mbyllura, që shihen veç me skaner. Për mrekullinë e shkallës së parë, siç e ka përcaktuar Vatikani – pra, një shërim që nuk mund të ndodhë as me zhvillimin e mëtejshëm të shkencës – braziliani Marcilio Haddad Andrino iu përgjigj gazetarëve, duke u thënë se nuk e ndjente veten të veçantë, sepse pikërisht atë e zgjodhi Zoti. Hyji, u dha ai një mësim të mirë të gjithëve, i sheh të gjithë, ka mëshirë për të gjithë dhe i do të gjithë. “Sot jam unë, nesër, një tjetër”, përfundoi.