rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:
Radio Vatikani

Kryefaqja / Rubrika / Kalendari

Mrekullia e borës dhe Kushtimi i Bazilikës së Zojës së Madhe


Mrekullia e dëborës përkujton sot festën kishtare të Kushtimit të Bazilikës së Shën Marisë së Madhe. Sonte, një borë me petale të bardha lulesh, nga tavani e në sheshin e Bazilikës në Romë, na çon në 5 gushtin e gati 1700 vjetëve më parë, në zanafillën e ndërtimit të tempullit marian, që më pas, u shndërrua në Bazilikën papnore të sotme.

Ëndërra

E njëjta ëndërr, të njëjtën natë. Prova, e pabesueshme, të nesërmen në mëngjes. Është një frat domenikan, i cili shkruan tregimin e traditës, që në atë kohë, ishte 1000 vjet e lashtë. Fra Bartolomeu nga Trento është njeri i letrave në Mesjetë, në gjysmën e dytë të shekullit të 13-të. I pëlqen të mbledhë në “liber” (libër, nga latinishtja) gjestet e shenjtorëve dhe mrekullitë, që i atribuohen Zojës. Pikërisht ai tregon atë vizion me sy mbyllur, që në natën ndërmjet 4 e 5 gushtit të vitit 358, shqetëson gjumin e Gjonit, një patric romak, i cili prej kohësh, së bashku me gruan, kishte dëshirë të ndërtonte një tempull, ku të nderohej Nëna e Zotit. “Më ndërto një kishë në atë pikë, ku nesër do të gjesh dëborë”, i tha Ajo vetë në ëndërr.

Borë me diell

         Ëndërr e jashtëzakonshme, po aq sa shenja që do ta bënte atë të vërtetë: reshje dëbore në Romë, në vapën e gushtit. Një ëndërr e një shenjë, që iu treguan menjëherë Papës Liberi, ku Gjoni shkoi të nesërmen, për të zbuluar – përkim i pabesueshëm – se edhe Ati i Shenjtë, ndërsa flinte, ishte “vizituar” nga Virgjëra. E në Romë, epiqendër e një perandorie, që po lëkundej nga valët e barbarëve, sidomos të gjermanëve që dhunonin kufirin në veri e, ku përhapej edhe herezia e Ariosit, por edhe në Romën qytet-fshat, përhapet menjëherë zëri se diku, ka ndodhur një mrekulli.

Në majë të “Cispius”

         Kështu, nuk qe e vështirë për Papën Liberi dhe për Gjonin, të ndjekur nga një shpurë prelatësh e nga një turmë e madhe njerëzish, të zbulonin se ëndërra ishte bërë realitet në “Cispius”, pjesa veriore e Eskuilinit, kodra më e lartë dhe më e shtrirë e shtatë kodrave të kryeqytetit. Kronisti mesjetar nuk e përshkruan emocionin e të pranishmëve, por është e lehtë të imagjinohet efekti i rrezeve të gushtit, që reflektohen mbi një tapet të bardhë e të akullt bore, shtrirë para syve të qindra vetëve. “Mbi borën akoma të pashkelur”, shkruan fra Bartolomeu, Papa Liberi “shënoi planimetrinë e kishës së re, që u ndërtua me shpenzimet e patricit dhe të gruas së tij”.

Tradita e guri

         Dëbora e një tradite të bukur e të padokumentuar bëhet, rreth 70 vjet më vonë, gur kilometrik i historisë, kur Papa Siksti III ndërton mbi kishën e Liberit, strukturën e Bazilikës aktuale të Zojës së Madhe, për të kremtuar, me një tempull të paparë për nga madhështia e madhësia, dogmën e amësisë hyjnore të Marisë, që Koncili i Efesit e kishte miratuar në vitin 431.

Tek Nëna e Romës

         Kisha nuk i ka harruar kurrë ato flokë të rëna në vapën e verës e, prej kohësh tashmë, çdo 5 gusht, reshë mbi turmën e mbledhur fillimisht brenda Bazilikës e pastaj në shesh për kremtimin e festës, një “dëborë” të dendur me petale lulesh të bardha. I pari, që e përsëriti në këtë mënyrë mrekullinë, qe arkitekti Cesare Esposito, në vitin 1983. E do të përsëritet edhe sonte, nga ora 21 deri në orën 24, pavarësisht se për të marrë pjesë, duhet shkuar përpara, për kontrollet e sigurisë, në 6 hyrje të caktuara nga Kuestura. Edhe më shumë, në epokën e barbarëve të rinj të terrorit, është bukur të çosh një përshëndetje e një lule e të kërkosh mbrojtje, siç bën gjithmonë Papa Françesku, tek Nëna e Romës, Salus Populi Romani.