rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:
Radio Vatikani

Kryefaqja / Papa Françesku / Takime e ngjarje

Papa Dioqezës së Romës: “Të mirëpriten familjet me delikatesën e Zotit”


“Puna baritore familjare duhet të arrijë në të gjitha familjet. Familjet tona, familjet e famullive tona, me fytyrat e tyre, me historitë, gëzimet e shqetësimet, nuk janë problem, janë mundësi, që Zoti e vë para nesh”. Kështu u shpreh Papa Françesku, duke hapur, në Bazilikën e Shën Gjonit në Lateran, kuvendimin dioqezan kushtuar kujdesit për familjen, parë në dritën e Nxitjes apostolike  Amoris Laetitia (Gëzimi i Dashurisë).

“E kjo mundësi - shpjegoi Françesku - synon të ngjallë një frymë krijuese misionare, të aftë për t’u marrë me të gjitha situatat konkrete, në rastin tonë, me familjet romake”. E jo vetëm me ata, që vijnë ose që gjinden në famullitë. Kjo do të ishte pak a shumë e lehtë. Problemi është të arrihet tek familjet e lagjeve tona, tek ata, që nuk vijnë. Baritoria familjare duhet të arrijë tek çdo familje. Me sjellje plot mëshirë e kujdes të posaçëm për të moshuarit. Kjo, thënë përmbledhtas, ishte ftesa e Papës në Kuvendimin e dioqezës së Romës.  

Takimi nisi me një përshëndetje nga ana e mëkëmbësit të Papës, kardinalit Agostini Vallini. Punimet vijuan edhe sot,  me pesë laboratore tematike në 36 prefekturat e dioqezës së Romës. Përfundimet, me relacionin e Kardinalit-mëkëmbës dhe paraqitja e orientimeve baritore, parashikohen për datën 19 shtator.

Të ecet në udhët e hapura nga Sinodi

Të ecet në udhët e hapura nga Sinodi, për ta kuptuar më mirë Nxitjen “Amoris Laetitia”: ky, synimi i fjalimit të Papës në këtë Kuvendim të dioqezës së tij. Për t’ia arritur këtij qëllimi, Ati i Shenjtë skicoi, përmes figurave biblike, tri çështje themelore: “të arrihen të gjitha familjet”; “larg baritorisë së  ‘getove’” dhe “t’u krijohet hapësira e duhur të moshuarve, me përvojën e tyre tejet të pasur”.

Fjala e Françeskut u frymëzua nga tri figura biblike. E para, ajo e Moisiut, të cilit Zoti i thotë, para gëmushës së përflakur, t’i zbathë sandalet. Figurë, kjo, që synon të kujtojë se temat, trajtuar në dy sinodet, nuk ishin çfarëdolloj argumentesh, por fytyrat konkrete të shumë familjeve.

Figura e dytë ishte ajo e farizeut, që i lutet Zotit, duke e falënderuar se nuk është si njerëzit e tjerë. Papa tërheq vëmendjen për t’u ruajtur nga tundimi, që të shtyn të mendosh se identiteti fitohet, kur dallohesh nga të tjerët e harron se të gjithë kemi nevojë për pendesë.

Figura e tretë,  ajo e Joelit Profet, sipas të cilit ëndrrat e të moshuarve janë profetike. T’i flakësh të moshuarit, mendon Papa, do të thotë të flakësh pasurinë e përvojës së tyre, të pjekurisë së tyre, të urtisë së tyre.

Porositë themelore të Françeskut: jeta e çdo familjeje duhet trajtuar me kujdesin më të madh, me logjikën e dhembshurisë ndaj çdo familjeje, duke i vlerësuar të moshuarit, dëshmitarë të çmuar të dashurisë e, sidomos, duke hequr dorë nga  krijimi i atmosferës së “getos”, nga “rrethimi me gardh”. Papa fton të zhvillohet një baritori familjare, e aftë për të krijuar lidhje të drejtpërdrejta me të tjerët, për të hyrë me delikatsë të madhe në jetën e familjeve, të cilat duhen të mirëpriten, të shoqërohen, të njihen, të intregrohen e, sidomos ta njohin forcën e  dashurisë, në mënyrë që jeta, e  cila na u besua, të mund të jetohet sipas ëndrrës së vetë Zotit”.