rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:
Radio Vatikani

Kryefaqja / Papa Françesku / Audienca dhe Engjëlli i Tënzot

Papa: vende e popuj të martirizuar, në qendër të mesazhit të Pashkëve


Në mesazhin e Pashkëve Papa Françesku, pasi kryesoi, në Sheshin e Shën Pjetrit, Meshën Shenjte, kujtoi plagët e botës, plot me njerëz që vuajnë në korp e në shpirt. Ati i Shenjtë, që dha edhe bekimin Urbi et Orbi nga lozha qendrore e Bazilikës së Vatikanit, u ndalua edhe tek drama e krimeve mizore, që shpesh herë kryhen ndërmjet mureve shtëpiake si tek tragjedia e konflikteve të armatosura në shkallë të gjerë, që i detyrojnë popullsi të tëra të kalojnë prova të rënda. Mendimi i Papës shkoi posaçërisht tek popullsitë e viseve të martirizuara nga luftërat, tek viktimat e terrorizmit e tek emigrantët: “Jezu Krishti u ngjall! Dashuria – shkruan akoma Papa sot, në një tweet – e mundi urrejtjen, jeta fitoi mbi vdekjen, drita e dëboi errësirën!”. Më poshtë, mesazhi i Papës: 

“Lavdërojeni Zotin, sepse është i mirë:

Sepse e amshueme është mëshira e Tij” (Ps. 135,1).

Të dashur vëllezër e motra: gëzuar Pashkët!

Jezu Krishti, mishërim i mëshirës së Zotit, për dashuri vdiq në kryq e për dashuri edhe u ngjall. Prandaj sot shpallim: “Jezusi është Zoti!”.

Ngjallja e Tij përmbush plotësisht profecinë e Psalmit: mëshira e Zotit është e amshueshme, dashuria e tij është përgjithmonë e jetës, nuk vdes kurrë. Prej këndej, mund të besojmë plotësisht në Të e ta falënderojmë, sepse për ne zbriti deri në fund të honit.

Përballë greminave shpirtërore e materiale të njerëzimit, përballë golleve që hapen në zemra e që shkaktojnë urrejtje e vdekje, vetëm mëshira e pambaruar mund të sjellë shëlbimin. Vetëm Zoti mund t’i mbushë, me dashurinë e Tij, këto golle, këto hone, e të na ndihmojë të mos fundosemi, por të vijojmë të ecim së bashku kah Toka e lirisë dhe e jetës.

Lajmi i gëzuar i Pashkëve: Jezusi, i kryqëzuari, nuk është këtu, u ngjall!(krh Mt 28,5-6), na jep sigurinë ngushëlluese se humnera e vdekjes u kapërcye e, me të, u mposhtën zija, vaji e ankthi (krh Vap 21,4). Zoti , që pësoi braktisjen e dishepujve të vet, barrën e dënimit të padrejtë dhe turpin e vdekjes çnderuese, na bën tani pjesëtarë të jetës së Tij të pavdekshme e na jep sytë e Tij të dhimbshëm e të mëshirshëm, për t’i parë me ta të uriturit e të eturit, të huajtë e të burgosurit, të përjashtuarit e të  flakurit jashtë radhëve të shoqërisë, viktima të padrejtësisë e të dhunës. Bota është plot me njerëz që vuajnë në korp e në shpirt, ndërsa kronikat e përditshme mbushen me lajme krimesh mizore, që shpesh herë kryhen edhe brenda mureve shtëpiake, si dhe konfliktesh të armatosura, në shkallë të gjerë, që i detyrojnë popullsi të tëra t’i nënshtrohen provave të papërshkrueshme.

Krishti i ngjallur i tregoftë shtigjet e shpresës Sirisë, vendit të dërrmuar nga konflikti i gjatë, me zinxhirin e shkatërrimit, të vdekjes,  mospërfilljes të së drejtës humanitare dhe shthurjes së bashkëjetesës civile. Pushtetit të Zotit të ngjallur ia besojmë bisedimet, në vijim, që me vullnetin e mirë dhe bashkëpunimin e të gjithëve, të mund të mblidhen fryte paqeje e të fillojë ndërtimi i një shoqërie vëllazërore, që respekton dinjitetin dhe të drejtat e të gjithë qytetarëve. Mesazhi i jetës, që jehoi me gojën e Engjëllit pranë gurit të rrokullisur të varrit, e mposhtët ngurtësimin e zemrave  dhe nxitët takimin e frytshëm të popujve e të kulturave në zona të tjera, si  pellgu i Mesdheut dhe Lindja e Mesme, posaçërisht në Irak,  Jemen e Libi. Shëmbëllimi i njeriut të ri, që shkëlqen mbi fytyrën e Krishtit, favorizoftë bashkëjetesën ndërmjet Izraelitëve e Palestinezëve në Tokën Shenjte, ashtu si dhe gatishmërinë durimtare e angazhimin e përditshëm në përpjekjen për të hedhur themelet e paqes së drejtë e të qëndrueshme përmes bisedimeve të drejtpërdrejta e të sinqerta. Zoti i jetës i shoqëroftë edhe përpjekjet, që synojnë arritjen në zgjidhjen përfundimtare të luftës në Ukrainë, duke i frymëzuar e duke i mbështetur edhe nismat e ndihmës humanitare, ndërmjet të cilave, lirimi i njerëzve të burgosur.

Zoti Jezus, paqja jonë (Ef 2,14), që duke u ngjallur, fitoi mbi vdekjen, e nxitët në këtë festë Pashkësh afërsinë tonë me viktimat e terrorizmit, formë e verbër dhe mizore e dhunës, që nuk pushon së derdhuri gjak të pafajshëm në anë të ndryshme të botës, siç ndodhi kohët e fundit në Belgjikë, Turqi, Nigeri, Çad, Kamerun e në Bregun e Fildishtë e në Irak; i shndërroftë në sukses tharmet e shpresës dhe perspektivat e paqes në Afrikë: mendoj posaçërisht për Burundin, Mozambikun, Republikën Demokratike të Kongos dhe Sudanin e Jugut, ku vijojnë tensionet politike e shoqërore.

Me armët e dashurisë, Zoti e mposhti egoizmin dhe vdekjen; Biri i Tij, Jezus është porta e mëshirës, e hapur në dy kanatat për të gjithë. Mesazhi i Tij i Pashkëve rrezatoftë gjithnjë më shumë mbi popullin e dashur venezuelan, në kushtet e vështira ndër të cilat jeton, si dhe mbi të gjithë ata, të cilët i kanë në dorë fatet e vendit, që të mund të punojnë për të mirën e përbashkët, duke kërkuar hapësira dialogu dhe bashkëpunimi me të gjithë. U bëfshin ngado përpjekje për të favorizuar kulturën e takimit, drejtësinë dhe respektin reciprok, sepse vetëm këto mund të garantojnë mirëqenien shpirtërore e materiale të qytetarëve.

Krishti i ngjallur, kumtim i jetës për mbarë njerëzimin, rrezaton dritën e Tij në shekuj e na fton të mos i harrojmë burrat e gratë që shtegtojnë në kërkim të një jete më të mirë, aradhe gjithnjë më të shumënumërta emigrantësh e refugjatësh - ndërmjet të cilëve, shumë fëmijë - në ikje nga luftërat, nga uria, nga varfëria e nga padrejtësia shoqërore, të cilët, gjatë rrugës ndeshen shpesh me vdekjen ose me refuzimin e atyre, që  mund t’u japin strehë e ndihmë. Takimi i ardhshëm humanitar botëror i rangut të lartë, mos e lëntë pa e vënë në qendër njeriun me dinjitetin e tij e pa hartuar politika të afta për t’i asistuar e për t’i mbrojtur viktimat e konflikteve e të emergjencave të tjera, posaçërisht njerëzit më të ligshtë dhe të gjithë ata, që persekutohen për shkaqe etnike dhe fetare.

Në këtë ditë lavdiplote, “të galdojë toka e përmbytur nga një shkëlqim kaq i madh”(krh Shpallja e Pashkëve), ndonëse e keqtrajtuar edhe e poshtëruar nga shfrytëzimi i etshëm për fitime, që e tjetërson ekuilibrin e natyrës. Kujtoj posaçërisht zonat e dëmtuara nga efektet e ndryshimeve klimaterike, të cilat gjithnjë më shpesh shkaktojnë thatësira ose përmbytje të mëdha, me pasojë, krizat ushqimore në disa vise të planetit.

Me vëllezërit e motrat tona, që persekutohen për fenë e për besnikërinë e tyre në emër të Krishtit e përballë së keqes, që duket sikur ngadhënjen mbi jetën e një mori njerëzish, ridëgjojmë fjalën ngushëlluese të Zotit: “Mos kini frikë! Unë e munda botën!”(Gjn 16,33). Sot është dita e shndritshme e kësaj fitoreje, sepse Krishti e vu nën thembër vdekjen e me ngjalljen e Tij bëri të shkëlqejë jeta e pavdekësia (krh 2Tim 1,10), “Ai na bëri të kalojmë nga skllavëria, në liri, nga trishtimi në gëzim, nga zija në festë, nga errësira në dritë, nga robëria në ringjallje. Prandaj të themi para Tij: Aleluja! (Melitone di Sardi, Homelia e Pashkëve).

Të gjithë atyre që, në shoqëritë tona, e kanë humbur çdo shpresë e deri shijen e të jetuarit, pleqve të dërrmuar që, në vetmi, ndjejnë t’u shuhen forcat, të rinjve, që u duket se u mungon ardhmëria, të gjithëve, u drejtoj edhe një herë fjalët e të Ngjallurit: “Ja, unë i bëj të reja të gjitha sendet... Atij, që ka etje, do t’i jap falas ujë nga burimi i jetës” (Zb 21,5-6).

Ky mesazh ngushëllues i Jezusit e ndihmoftë secilin nga ne të riniset plot guxim e shpresë për të ndërtuar udhë pajtimi me Zotin e me vëllezërit. Kemi shumë nevojë!

Për shumë vjet Pashkët!