rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:
Radio Vatikani

Kryefaqja / Papa Françesku / Kremtime

Papa në Meshën e Bagmit: “Nganjëherë mbetemi pa fe, për shkak të teprimit të teologjive të ndërlikuara”


Filloi kremtimi i Treditshit të Pashkëve. Papa Françesku  kryesoi  Meshën e Bagmit, duke vënë fort theksin mbi fenë e vërtetë, që duhet ta mbushë plot zemrën e besimtarit. “E ndjejmë veten si të burgosur – theksoi gjatë homelisë – të rrethuar nga mendësia virtuale e botës, që hapet e mbyllet me një klik”. Për t’i drejtuar, më pas, secilit nga ne një pyetje tejet të rëndësishme, që e ka aq për zemër: “Kur rrëfehem, a bëj festë?”:

“Shumë herë verbohemi, na mungon drita e fesë,  pasojë e teologjive të tepruara e të ndërlikuara”.

Këtë theksoi Françesku, duke kryesuar, në Bazilikën e Shën Pjetrit, në bashkëkremtim me priftërinjtë e Romës, Meshën e Bagmit, liturgji që, të Enjten e Madhe, e kryeson çdo ipeshkëv në katedralen e me klerin e vet. Meshtarët përsërisin premtimet e bëra në çastin e shugurimit e, më pas, bekohen vajërat: vaji i të sëmurëve, i katekumenëve dhe i meshtarëve.

Homelia e Papës, në këtë ditë tejet të shënuar të vitit, ishte katekizëm i mirëfilltë kushtuar Mëshirës. Françesku kujtoi reagimin e njerëzve, pas fjalëve të Jezusit në sinagogën e Nazaretit, kur foli për pëmbushjen e Shkrimeve të Shenjta në vetjen e tij. Por, në vend që ta duartrokisnin e të qanin me lot gëzimi - vijoi Papa - ata, që e rrethonin, u larguan, ia mbyllën zemrat. Madje deshën ta flakin nga maja e shkëmbit, në greminë. E  pikërisht atje Zoti kumton ungjillin e mëshirës së pakushtëzuar të Atit ndaj njerëzve më të varfër, më të largët e më të shtypur. Atje jemi të thirrur të zgjedhim rrugën e të luftojmë luftën e mirë të fesë:

“Lufta e Jezusit, kujtoi Papa, nuk është betejë kundër njerëzve, por kundër djallit, armikut të njerëzimit”.

Jezusi nuk lufton për të zgjeruar e as për të forcuar sundimin e tij. Nëse i shkallmon gjerdhet dhe i vë në diskutim siguritë, e bën për të hapur një plasë, që prej saj të mund të vërshojë mbi dhe përroi  i rrëmbyer i mëshirës:

“Mëshira e Zotit tonë është e pakufishme. Mëshira e Atit nuk rrëfehet dot me gojë - vijoi Françesku - mëshirë që, ditë për ditë, kërkon mënyrën për të bërë një hap para, një hap të vogël përtej, duke përparuar mbi tokën e askujt, ku mbretëron indiferenca e dhuna”.

Kjo ishte dinamika e Samaritanit të Mirë, dinamika e mëshirës, që e lidh një gjest të vogël me tjetrin e, pa fyer asnjë ligështi, shtrihet për ditë pak më tutje, me forcën e dashamirësisë e të dashurisë.

Secili nga ne, vijoi Papa, duke e shikuar jetën e vet me syrin e Zotit të mirë, mund të bëjë, në kujtesë, një ushtrim e të zbulojë se Zoti ka qenë gjithnjë i mëshirshëm me ne, shumë më tepër nga sa besonim, e kështu, duke na inkurajuar që të bëjmë një hap të vogël më shumë, do të tregohet edhe më i mëshirshëm në të ardhmen. Kjo mënyrë “paradoksale” e lutjes drejtuar një Zoti gjithnjë e më të mëshirshëm, na ndihmon t’i copëtojmë skemat e ngushta, në të cilat e mbyllim shpesh herë, si në një kuti, zemrën e Tij të rrëmbushur me dashuri e mëshirë. Na bën mirë të dalim nga gjerdhet tona, për të hyrë në zemrën e Zotit, prej nga vërshon me vrull mëshira, duke përhapur kudo freskinë e dashurisë së tij:

“Si meshtarë - vërejti Françesku - jemi dëshmitarë e shërbëtorë të mëshirës gjithnjë më të madhe të Atit tonë; kemi detyrën e ëmbël e ngushëlluese ta mishërojmë në një mijë mënyra, që të arrijë tek të gjithë”.

Këtë nënvizoi Papa, për të folur, më pas, për dy caqe, në të cilat Zoti i tejkalon kufijtë e mëshirës:

“E ngaqë shembullin na e jep ai Vetë, as ne nuk duhet të kemi frikë t’i tejkalojmë caqet, njëri nga të cilët është ai i takimit; tjetri është ai i faljes së Tij, që na bën të turpërohemi e na rikthen dinjitetin”.

Në takim, Zoti dhurohet plotësisht. Në një mënyrë të tillë që, në çdo takim, krijon në zemrën tonë atmosferën e festës. Papa citoi shëmbëlltyrën e djalit plangprishës, duke kujtuar mrekullinë e gufimit të gëzimit në zemrën e atit, i cili, pas rikthimit të birit, e shpreh lirisht dashurinë, pa ngurruar për asnjë çast. Prandaj as ne nuk duhet të kemi fare frikë se po e teprojmë me falënderimin tonë:

“Mëshira mëkëmb gjithçka, mëshira ia kthen njerëzve dinjitetin e zanafillës. Prandaj falënderimi shpërthimtar është përgjigjja më e drejtë: duhet hyrë menjëherë në atmosferën e festës, duhet të veshim petkun e mirë, ta shlyejmë nga shpirti zilinë e djalit të madh, të gëzohemi, të galdojmë e të kremtojnë me gjithë zemër”.

Sepse vetëm kështu, duke marrë pjesë me gjithë zemër në këtë klimë kremtore, mund të mendojmë, pastaj, vetëm mirë, të lypim ndjesë e të shikojmë më qartë sesi mund ta ndreqim të keqen, që kemi bërë:

“Mund të na bëjë mirë - këshilloi Françesku - të pyesim veten: pasi rrëfehem, a festoj?”.

Apo kaloj menjëherë në punë e kujdese të tjera, si atëherë kur shkojmë te mjeku, shikojmë se analizat nuk kanë dalë edhe aq keq e kalojmë në punë e shqetësime të tjera. E kur japim lëmoshë, a e presim atë, që e merr, të na shprehë falënderimin e tij,  a e festojmë buzëqeshjen e bekimin, që jep i varfëri, apo  nisemi me vrap për të kryer punët tona, pasi ia lëshuam me ngut një  grosh të hollë në shuplakë?

“Caku tjetër, ku Zoti e tejkalon me mëshirën e Tij gjithnjë më të madhe, është vetë falja. Ai jo vetëm na i falë borxhet e pallogaritshme, por na bën të kalojmë menjëherë nga turpi më i turpshëm, në dinjitetin më të lartë, pa udhë të ndërmjetme”.

Pjetrin, sapo i rrëfen mëkatin e rëndë e i kërkon të largohet prej tij, sepse i padenjë për afërsinë e Zotit, Krishti e larton në dinjitetin e peshkatarit të njerëzve. Ndërsa ne kemi prirjen t’i ndajmë këto dy sjellje: kur turpërohemi nga mëkati, fshihemi e shkojmë kokulur, si Adami e Eva, e kur lartohemi në dinjitet, kërkojmë t’i mbulojmë mëkatet e na pëlqen të dukemi, gati-gati duke u krekosur.

Përgjigjja, që duhet t’i japim faljes tejet të begatë të Zotit - porositi Bergoglio - duhet të jetë ajo, që na mban gjithnjë në atë tension të shëndetshëm ndërmjet turpit dinjitoz e dinjitetit, i cili di edhe të turpërohet: e kjo është sjellja e atij, që kërkon të përulet, por që është i aftë edhe të pranojë se Zoti do ta lartojë, për të mirën e misionit, pa pritur miratimin.

Si meshtarë, vijoi Françesku, ne njëjtësohemi me atë popull të përjashtuar, që Zoti e shpëton, për të kujtuar se ka shumë, tepër, njerëz të varfër, të padijshëm, të burgosur, që ndodhen në këtë gjendje, sepse të shtypur e të shfrytëzuar nga të tjerët:

“Por kujtojmë edhe se secili nga ne e di deri në ç’masë shpesh herë jemi edhe të verbër, pa dritën e bukur të fesë, jo sepse nuk e kemi përdoresh Ungjillin, por për shkak të teprimit të teologjive të ndërlikuara”.

E ndjejmë se shpirti ynë shkon i etur për përshpirtëri, por jo sepse mungon uji i gjallë - të cilin e pijmë me gllënjka - por për shkak të teprimit të përshpirtërive “shkumbuese”, të përshpirtërive “light”:

“Ndjehemi edhe si të burgosur - përfundoi Papa - jo të rrethuar, si shumë popuj të tjerë, nga mure të pakapërcyeshme prej gurësh ose nga perde të hekurta, por nga mendësia virtuale e botës, që hapet e mbyllet me një klik të thjeshtë”.

Jemi të shtypur, por jo nga kërcënimet e nga të shtyrat e forta, si shumë njerëz të varfër, por nga joshja e mijëra propozimeve të konsumit, që nuk mund t’i flakim tutje, për të ecur të lirë në shtigjet, që na çojnë tek dashuria ndaj vëllezërve tanë, tek grigja e Zotit, tek delet, që presin  të dëgjojnë zërin e barinjve:

“E Jezusi vjen të na shpëtojë, të na bëjë të dalim, për të na shndërruar nga të varfër e të verbër, nga të burgosur e të shtypur, në ministra të mëshirës e të ngushëllimit”.