rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:
Radio Vatikani

Kryefaqja / Kisha / Kisha shqiptare

“Fiala e T’in’ Zoti” në përvjetorin e botimit, 25 shkurt 1912


Më 25 shkurt, kujtojmë përvjetorin e botimit, në Palermo të Sicilisë, të numrit të parë të fletëpalosjes e përvajshme “Fiala e T’in’ Zoti” (1912-1915) nga imzot Paolo Schirò. Pra, më datën 25 shkurt të vitit 1912, në Imzot Paolo Schirò, pranë Seminarit në fshatin e Arbëreshëve mbi Palermo, botoi fletëpalosjen “Fiala e T’in’ Zoti”. Një vegël e vogël, por tejet e rëndësishme, për t’i ndihmuar besimtarët e krishterë arbëreshë të marrnin pjesë në kremtimet e ndryshme liturgjike, e në mënyrë të veçantë në liturgjinë e Fjalës Hyjnore e në Eukaristi të Shenjtë.

“Fiala e T’in’Zoti” nuk qe vetëm një revistë fetare e së dielës, por edhe e sidomos një shkollë dhe një vatër patriotizmi, ku bënin pjesë shumë të rinj. “Fiala e T’in’Zoti” qe një palestër studimi e një farkëtari të arbëreshëve entuziastë. Përmes saj, në Kishat arbëreshe të Sicilisë jehonte përsëri gjuha e ëmbël shqipe.

Albanologët më të mëdhenj të kohës, qenë të parët që e përshëndeten dhe pritën me interes shkencor botimin e “Fiala e T’in’Zoti”, kështu Nobert Jokl, Geitle, Gusy Holger Pedersen. Falë botimit të “Fiala e T’in’Zoti”  imzot Paolo Schirò zhvilloi një letërkëmbim me studiuesin  dhe atdhetarët e kohës, Kristo Luarasi, Lumo Skendo, Lef Nosi, atë Shtjefën Gjeçovi, atë Gjergj Fishta, dom Lazër Mjedja e shumë të tjerë, të cilët e admironin doktrinën dhe patriotizmin e imzot Paolo Schiròs.

Revista “Fiala e T’in’ Zot”, pra qe një ndihmë për besimtarët arbëreshë që merrnin pjesë në kremtimin e Meshës së Shenjtë, e ka meritë të jashtëzakonshme, sepse me të nis përpjekja për t’i pajisur të arbëreshët e krishterët me fletën e përjavshme të së dielës, të  merrnin pjesë gjallërisht, pra në mënyrë aktive në kremtimin e Liturgjisë së Fjalës së Hyjit, të Eukaristisë Shenjte dhe në kremtimin e Sakramenteve.

Krahas kësaj, “Fiala e T’in’ Zoti” ishte edhe një nxitje, një ndihmë e një mënyrë për përtëritjen dhe përforcimin e përdorimit të gjuhës së lashtë e të bukur shqipe, larg atdheut, këndej edhe për rizbulimin e përforcimin e identitetit kombëtar.

Natyrisht, ishte tepër shpejt të pretendohej shumë për një fletë me leximet biblike: fletëpalosja e parë, që nisi të dilte në fshatin e Arbëreshëve mbi Palermo, tek Hora e Arbëreshëve, më datën 25 shkurt të vitit 1912, përmbante pra pjesën e Ungjillit të së dielës së parë të Krezhmëve (Jani -Gjoni) 1,44-52), komentin e kësaj pjese ungjillore dhe një fragment nga letra drejtuar Hebrenjve (Hb 11,24-26;32-49).

Si fletëpalosje kishte dy fletë, katër faqe. Kryeredaktori i fletëpalosjes ishte Imzot Pal Schirò me bashkëpunëtorët e ngushtë papas Gaetano Petrotën e papas Gjergj Dorangrikjen. E kujtojmë se imzot Paolo Schirò qe jo vetëm një apostull i zellshëm, por edhe një albanolog i madh, që la punime të rëndësishme gjuhësore.

Kujtojmë se përpjekjet e para për t'i pajisur besimtarët me fletëpalosje të Meshës në Shqipëri, do të ishin fryt i penës të Atë Vinçenc Prennushit, i cili nisi ta botonte fletëpalosjen e vet, tri vjet pas mbylljes së fletëpalosjes arbëreshe, më 1918, duke e quajtur krijesën e vet njëlloj: "Fjala e Tynzot".