rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:
Radio Vatikani

Kryefaqja / Papa Françesku / Kremtime

Papa kremton Mbrëmësoret e Marisë, Nënë e Zotit dhe “Te Deum”


Sot, Nata e Shën Silvestrit dhe e Vitit të Ri, Papa kryesoi Lutjet mbrëmësore të Solemnitetit të Marisë, Nënë e Zotit dhe Himnin “Te Deum”, i rrethuar nga një turmë e madhe besimtarësh. Atyre, dhe gjithë njerëzve vullnetmirë të botës, në festë, iu drejtua Ati i Shenjtë në fillim të homelisë, duke theksuar sesa domethënës është falënderimi i Zotit në përfundim të këtij viti, kur të gjithë meditojnë ngjarjet që jetuan gjatë 365 ditëve dhe i urojnë njëri-tjetrit: “Mot më mirë!”.

Kisha, në shumë raste, ndjen gëzimin e edhe detyrën t’i lartojë këngën e saj Zotit me këto fjalë lavdërimi, të cilat e shoqërojnë që nga shekulli IV, në çastet e rëndësishme të shtegtimit të saj tokësor. Është gëzimi i falënderimit, që  buron vetvetiu nga lutja për të pranuar praninë plot dashuri të Zotit në ngjarjet e historisë sonë.

Por, shtoi Ati i Shenjtë, e ndjejmë se në këtë lutje nuk mjafton vetëm zëri ynë: mbarë populli i Zotit duhet ta lartojë sonte, në kor, këngën e tij të falënderimit.

Më pas Papa shpjegoi domethënien e Lutjes “Te Deum”. Përmes saj, kujtoi, i kërkojmë ndihmë Engjëjve, Profetëve dhe gjithë krijesës, për t’i dhënë lavd Zotit. Me këtë Himn rikujtojmë gjithë historinë e shëlbimit në të cilën, përmes planit misterioz të Zotit, kanë vendin e tyre edhe ngjarjet e ndryshme të jetës sonë gjatë vitit të kaluar.

Në këtë vit Jubilar, nënvizoi Ati i Shenjtë Bergoglio, kanë një tingëllim të veçantë fjalët e fundme të Himnit të Kishës: “Qoftë gjithnjë me ne, o Zot, mëshira jote, në ty shpresuam!”. Shoqëria e mëshirës është dritë për ta kuptuar më mirë, atë që jetuam, e shpresë, që na shoqëron në fillim të një viti të ri.

Kujtojmë sonte gëzime e dhimbje, që mbushën përplot ditët e një viti të tërë, duke u përpjekur të kuptojmë nëse  e kemi perceptuar praninë e Zotit, që rinon gjithçka e nëse ngjarjet e botës u realizuan sipas vullnetit të Tij, apo nëse ia vumë veshin kryesisht projekteve të njerëzve, shpesh ngarkuar me interesa private, me etje të pashuar për pushtetet e dhunë. E, gjithsesi, sot sytë tanë kanë nevojë të përqendrohen posaçërisht mbi shenjat, që na jep  Zoti, për ta prekur me dorë forcën e dashurisë së Tij përdëllyese:

“Nuk mund të harrojmë se shumë ditë ishin të ngarkuara me dhunë, me vdekje, me vuajtje të patregueshme të një mori njerëzish të pafajshën, të refugjatëve, që u detyruan të largohen nga atdheu, të burrave, grave e fëmijëve pa strehë mbi kokë, pa bukë e pa mbrojtje. Por edhe me gjeste të shumta mirësie, dashurie e solidariteti, që i mbushën plot ditët e këtij viti, edhe pse nuk u bënë lajme televizive! Këto shenja dashurie nuk mund e as nuk duhet të lihen në harresë nga prepotenca e së keqes. E mira fiton gjithnjë, edhe nëse për ndonjë çast mund të duket e ligshtë dhe e fshehur”.

Papa iu drejtua edhe dioqezës së tij, Romës, të cilën e ftoi t’i kapërcejë vështirësitë e së sotmes dhe të angazhohet për t’i rifituar vlerat themelore të shërbimit, të ndershmërisë e të solidaritetit, të cilat do t’i krijojnë mundësitë për t’i kapërcyer pasiguritë e rënda, që sunduan në skenën e këtij viti, simptoma të përkushtimit të pamjaftueshëm ndaj së mirës së përbashkët.

Papa uroi që Romës të mos i mungojë kurrë  kontributi  pozitiv i dëshmisë së krishterë, për të qenë, sipas historisë së saj e me ndërmjetësimin amtar të Zojës Salus Populi Romani, interpretuese e privilegjuar e fesë, e mikpritjes, e vëllazërisë dhe e paqes.

Papa e përfundoi kremtimin me fjalët e Himnit, që jehoi sonte në të gjitha kishat katolike të botës: “Ne të lavdërojmë, o Zot […] Ti je shpresa jonë. S’ do të jemi të pështjelluar në amshim”.