rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:
Radio Vatikani

Kryefaqja / Papa Françesku / Audienca dhe Engjëlli i Tënzot

Papa në festën e Shën Shtjefnit : me falje mundim të keqen dhe i afrohemi Zotit


“Duke falur e mundim të keqen me të mirë, e shndërrojmë urrejtjen në dashuri dhe e bëjmë, kështu, më të pastër botën”. Këto, fjalët e Papës gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot, në ditën kur Kisha feston Shën Shtjefnin, martirin e parë. Është tepër keq të jetosh duke mbajtur inat. Falja, pohoi Ati i Shenjtë, e afron njeriun pranë Zotit.

Falja i shëron, i përtërin zemrat. Çdo ditë, kujtoi Papa Françesku, kemi raste për ta jetuar këtë gjest kaq të lartë, që e afron njeriun me Zotin. Lindim nga falja e Zotit e sa herë falemi, shtoi Papa, zemra jonë rilind, përtërihet:

“Nëse duam të përparojmë në fe, para së gjithash duhet të marrim faljen e Zotit; ta takojmë Atin, që është gati të na falë gjithçka e gjithnjë. E pikërisht duke na falur, na shëron zemrën e na e gjallëron dashurinë. Nuk duhet të lodhemi kurrë së faluri e së kërkuari faljen hyjnore, sepse vetëm kur falemi, kur e ndjejmë se na janë falur fajet, mësojmë edhe të falim”.

Falja lind nga lutja

E megjithatë, të falësh nuk është aspak e lehtë. Madje është e vështirë. E si mund t’i ngjajmë Jezusit, atëhere? - pyeti Papa. Nga duhet t’ia fillojmë, për t’i falur paudhësitë  e mëdha e  të vogla, që pësojmë ditë për ditë?

“Duhet të nisemi nga zemra jonë: mund ta përballojmë me lutje mllefin, që provojmë, duke ia besuar atë që na bëri keq, mëshirës së Zotit: ‘Zot ta kërkoj për atë burrë, për atë grua’: pastaj zbulohet se kjo luftë e brendshme për të falur, të pastron nga e keqja e se lutja dhe dashuria të çlirojnë nga zinxhirët shpirtëror të inatit”.

Dëshmitari i vërtetë i Jezusit lutet, dhuron e fal

Duke u gozhduar mbi Kryq, kujtoi Ati i Shenjtë, Jezusi fali. E edhe Shën Shtjefni bëri si Jezusi. Ndërmjet atyre, për të cilët Shën Shtjefni kërkoi me gjithë zemër falje, pohoi Papa, ishte edhe një  djalosh me emrin Saul, që e persekutonte Kishën. Sauli, pak më pas, bëhet Pal, Apostull i Popujve. Pali, tha në vijim Papa, lind nga hiri i Zotit e nga falja e Shtjefnit. Nga falja e një dëshmitari, e një martiri:

“Është dëshmitar i vërtetë kush sillet si Ai: kush lutet, kush do, kush dhurohet, por sidomos, kush fal, sepse falja, siç e thotë fjala vetë, është shprehja më e lartë e dhuratës”.

Sot shndrit drita e dashurisë

Në kremtimin e Krishtlindjes kundruam dashurinë përdëllyese të Zotit. Ditën kur Kisha kujton martirizimin e Shën Shtjefnit, shpjegoi Papa, dëgjojmë përgjigjen koherente të dishepullit të Jezusit, që jep jetën. Dje lindi mbi Tokë Shëlbuesi, sot lind në qiell dëshmitari i tij besnik:

“Si dje, ashtu edhe sot, dynden përsëri retë e mohimit të jetës, por  nuk mungon as drita e dashurisë, që shkëlqen gjithnjë më fort, e mund urrejtjen dhe përuron një botë të re”.

Maria orienton lutjen

“Virgjëra Mari, së cilës ia besojmë ata që, si Shën Shtjefni, pësojnë persekutime në emër të fesë, martirët tanë të sotëm, të cilët për fat të keq janë shumë, e drejtoftë lutjen tonë për të  falur e për t’u falur”.