rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:
Radio Vatikani

Kryefaqja / Rubrika / Kalendari

Imzot Gaspër Thaçi në përvjetorin e vdekjes


Më 26 maj bie përvjetori i vdekjes së kryeipeshkvit të Shkodrës, izmot Gaspër Thaçit, i cili ndërroi jetë më 1946. Figurë e madhe kombëtare e kishtare, imzot Gaspër Thaçi qe bari shpirtëror i vërtetë, mbrojtës e kultivues i vlerave kombëtare e kishtare, kulturore e shpirtërore. Dëshmitar i patrembur i fesë në Krishtin e mbrojtës i të vërtetës.

Me vdekjen e Imzot Lazër Mjedjes, kryeipeshkvit të Shkodrës, vendin e tij me 19 mars 1936 e zuri Imzot Gaspër Thaçi. Mësimet fillore Imzot Thaçi i kreu në shkollat kishtare të vendlindjes, në Shkodër e pastaj, sikurse edhe shumica e klerikëve të tjerë shqiptarë, vijoi studimet teologjike e filozofike në Insbruk, Austri. Meshën e parë e çoi më 21 nëntor 1911 dhe menjiherë filloi shërbimin si famullitar në dioqezin e Sapës në Nënshat, Dajç e Qelëz të Pukës, ku me 8 dhjetor 1912 ngriti edhe flamurin shqiptar.
Nën drejtimin e tij u organizuan shumë konferenca tepër të rëndësishme me karakter doktrinor e shoqëror që patën për qëllim përgatitjen e besimtarëve katolikë për kohët që po afroheshin nën diktaturën komuniste.
Imzot Thaçi qe organizatori i komitetit për kremtimin e festive jubilare të Shna Ndout e të Shën Luigj, si edhe 700-vjetorit të lindjes së Shën Françeskut, ngjarje të cilave, shtypi i asaj kohe u kushtoi vëmendje të veçantë.
Mbylli sytë në Shkodër me 26 maj të vitit 1946 pas një lëngate të gjatë e pasi kishte parë edhe fillimin e martirizimit të Kishës katolike shqiptare nën diktaturën ateiste të komunizmit.
Salikimet u kremtuan me datë 29 të po atij muaji. E ishin salikimet e fundit madhështore që përjetonte Shkodra, me një mesazh të qartë se populli nuk e donte komunizmin.
Imzot Thaçi ashtu si edhe vëllai i tij Kolë Thaçi u dallua edhe në fushën e letërsisë. Më poshtë po japim disa tingëllima (sonete) që Imzot Thaçi i kushtonte meshtarit martir shqiptar Dom Lazër Shantojës, kur ky i fundit ishte famullitar në Sheldi të Shkodrës.

PREJ RRANZET TË NENSHATIT
Pak para Pashkëvet (1920) i Nder. Dom Gaspër Thaçi lête shkrepin e Nenshatit, prej kah shifet per bukurí e begatshmja fush’ e Zadrimës, e shkote m’u pjekë në kolegen e vet Dom Lazër Shantojën, qi tash â famullitár në mal të Sheldís.
Mbet i shtangun aj Zotní tuj himun n’odë kndimit të kolegës. Në njen anë, kah e djathta e atí qi hinë mbrendë; pau pjanoforten e në tjetrën, kah e rrmakta, shtratin e qemalen; kundruell deret, e shi per krahë të dritsores pat para sysh dy bibljoteka mbushë me libra gjithënduersh, e njitë me bibljoteka, dy tavolina, ku per gjith ditë prifti i rí i Sheldís rrin 3 a 4 orë tuj këndue e tuj punue për letratyrë t’onë; e si të lodhet merr në dorë qemalen a ulet tu pjanoforta, e tuj u argtue me muzhikë harron të lodhunit e kndimevet e pregatitet per studime tjera, qi shpejt (na vê mendja) kan me vjeftun fort edhe për letratyrë t’onë kombtare.
Si u kthye Dom Gaspri në qelë të vet të Nënshatit deshti me 6 tingllime m’e shprehë përshtypjen e kandshme qi pat at ditë n’odë të kolegës; e Kalendari ynë këto vjerrsha po don me i botuemun përsé vínë jo veç me i diftue shumkuej se si mund t’a shkojnë kohen me dobi të vet e të kombit, por edhe pse na zblojnë se Dom Gaspri vetë â i zoti me begatuem letratyrën t’onë me shkrime edhe mâ të randa, falemi nderës Zotit, e dimë se ja ká nisë.
Qe pra rreshti i ktyne tingllimevet:

NDJESINA E KUJTIME

Bibljoteka
Mbylle, shekull proshmues, at gojë restare
Qi tuj ferflluemun vnerin e idhnís
Po i helmatisë sot zemrat atdhetare
E nderën ftofë qi i duhet bâ Priftnís.
Mbylle; persé nuk âsht jo kundershtare
Gjendja e Meshtarit per lulzim t’Arbnís:
E ndjesinat e tija besimtare
S’ja presin udhën dritës e gjytetnís.
Avitu ktu e shikjo, në paç sy me pá;
Shikjoj kto rafta dijet gjithnduerishte,
Qi mbledhë nji bìr i popullit e ká
Kqyr, kqyr sá vepra të bukra letrarishte
Kenka bashkue në ket Bibljotekë!
Ai bir i popllit âsht nji i Çetës Klerishte!

Shkritorja
Jo, s’e shkon jetën në papuná të mjerueme
Letrari i jem; por ulë permbi Shkritore
Thithë lângë gjith ditën, si nji bletë e msueme,
Nder lule të kandshme të bimave letrore.
E kuer hijen e vet mbi tokë të zezueme
E shtrin nata gjithkund, në dritë kandilore
Vijon aj prep se prep me të papushueme
Hitì në frytnim të lulzimevet Arbnore.
Të falem, Shkritore e ndershme e ktì Letrarit,
Permbrenda së cilles kush e din sà gjindet
Vepër e ruejtme per dobì të Shqyptarit!
Të falem! Atdheu, qi sod âsht kah perlindet,
Deri në mâ të largtat mote asaj Pendë arit
Me të zemerta falnderje tesh i bindet.

Shtrati
Âsht lodhë e kputë prej kndimesh; teshmâ shtati
I lypë natyrës nder të vona të natës pushimin.
Çou, o Letrar i jem, e shko tu Shtrati,
E lecoja vetvedit pak mundimin.
Shkò tu Shtrati mbloj-bardhë!... I bardhë ty fati
Në zemër të kullueme do të kèt qeshë, qi shllimin
E ngule të bukren Bardhesì!...fatngrati
Kush n’ideale të zeza e mban kujtimin!
Pushoni, o gjymtyrë të lodhuna!me fleta
Të prarueme në pushim t’uej tesh u bâjnë mblojë
Êjt e Parrizit, qi me kangla të veta
Gjumin e âmbel kan m’e ndjellë, e në rojë
Fisnike rreth e rreth tesh siellen çeta—
Çeta mbi ju të derguem prej s’Lumes Zojë.

Pjanoforta
Të bukur e paska Pjanoforten! Sà
Kandshem po i xirka tingellat! Shijimi
Sa do të ndihet hyjnuer kuer merr me i rà
Ai qi per hartë zanore e shkrin mallimi!
Të lodhun prej xânesave, si m’e pà
Letrarin t’em po më bâhet, kah trillimi
I kcen per Pjano të vet; e shkon tuj ngà,
E në të prekuna të përmallshme i derdhet gzimi.
Zana, knaqnju; e dishepullit t’uej rrini
Gadi, sa herë aj plot me harmoni
U joshë qi në ndihmë per vepra ju t’i vini.
Po, po; der sà t’a xéjn ajo dashtni
Qi mbreti i uej per harte të bukra i shtini,
Në mâ t’amblat vepra jetën kà m’e shkrî.

Interrumpendum
Po kush do të jén ai djalë qi turr çohet
Prej shkritorjet; e fill shkon e i avitet
Stufës; e në karrigë të posaçme po na lshohet
Në pushim me’j liber në dorë; e nuk i pritet
Pà i shtrimun kambët e ftofuna, qi të ngrehet
E prep forcadja e lodhun t’i persritet?
Aj âsht Letrari i jem, qi nji grimë kohet
Pushon, sà mendja pak t’i davaritet.
Perpushet zjermi...vlon nji xheze...shtîhet
Sheqeri në tas...âsht gadi, e plot shije
Hurba-hurba valukeza perdîhet...
Të baftë mirë! Në pushim, tu stufa, me njat pije
Gjaku xehet e jeta edhe pertrihet...
Tesh çou, e menden zhyte prep nder dije.

Të lumët
Të lumët, o Dom Lazër! Ti jo veç me fjalë,
Por me nji cenë të palodhshme tuj punue,
Se Kleri në të vojtun para nuk âsht ndalë
Proshmuesit shekull don me ja diftue.
Të lumët! mbas shembullit t’and tesh kan me dalë
Prep lule tjera, e tubë kan m’u bashkue;
E nji zgjimit fatbardhë tue u përfalë,
Jetën e vet veprueshëm m’e kalue.
Un të shikjoj e pergzohem; e nji farë
Turpit kujtimet lerg e lerg m’i tretë,
Kah më ndezet në zemër andja qi n’e parë
Plot zell per harte të bukra e pata vetë;
E më thotë: Persé, persé nuk sillesh mbarë,
Per mos m’e lanë mâ kurr letraren jetë?

Gaspër Thaçi, nga Kalendari i veprës Pijore, 1921, ff. 21-24.