rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:
Radio Vatikani

Kryefaqja / Papa Françesku / Takime e ngjarje

Ati i Shenjtë: nesër takohet me rregulltarë e rregulltare të Romës, edhe të klauzurës


Me rastin e Vitit kushtuar Jetës Rregulltare, nesër Papa Françesku do të takohet me rregulltarët e rregulltaret, duke nisur nga ora 11.00, në Sallën e Palit VI, në Vatikan. Do të jenë çaste feste e reflektimi, kushtuar jetës e misionit të rregulltarëve. Ky takim, shpjegon atë Agostino Montan, drejtor i zyrës për jetën rregulltare pranë Vikariatit të Romës, që e organizoi, do të zhvillohet në dy çaste. Pjesa e parë do të jetë  festë e vërtetë me lutje, këngë e dëshmi. Në të dytën do të jetë i pranishëm Papa Françesku, të cilit do t’i drejtohen disa pyetje nga dëshmitarë të jetës rregulltare në Romë.

Papa do të arrijë rreth orës 12.00, do të përshëndetet nga kardinali Agostino Vallini e do t’u përgjigjet pyetjeve, që do t’i bëjnë katër përfaqësues të 25 mijë rregulltarëve të Romës. Prania e tyre në qytetin tonë, nënvizon drejtori i Zyrës për Jetën Rregulltare, është me rëndësi të dorës së parë e ndjehet fort sidomos në ato, që Papa i quan periferi ekzistenciale. Rregulltarët i gjen kudo ka nevojë për një dorë të shtrirë: pranë të burgosurve, fëmijëve të braktisur, nënave të vetmuara, emigrantëve e nxënësve në shkollat katolike. Janë pranë të sëmurëve e shikojnë në korpin e të varfërit, Korpin e vetë Krishtit.

Do të përfaqësohen para Papës nga motra Fulvia Sienim, agostiniane e manastirit të Katër Shenjtorëve të kurorëzuar, që do të flasë për jetën e klauzurës, me 28 manastire në Dioqezën e Romës. Do të vijojë, për Ordo virginum, motra Iwona Langa, e shtëpisë-familje “Ain Karim”, për t’i lëshuar radhën atë Gaetano Saracino, rregulltar i Misionarëve Skalabrinianë e famullitar i Të Shenjtnueshmit Shëlbues; bisedën do ta mbyllë atë Gaetano Greco, kapelan i burgut të të miturve Casal del Marmo.