rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:
Radio Vatikani

Kryefaqja / Papa Françesku / Kremtime

Mesazhi i Pashkëve: “Krishti i gjallë ecën me ne!”.


Jezu Krishti u ngjall!

Dashuria e mundi urrejtjen, jeta e mundi vdekjen, drita e dëboi errësirën!

Jezu Krishti, për dashurinë tonë, u zhvesh nga lumnia e tij hyjnore; e zbrazi vetveten, mori pamjen e shërbëtorit, u përul deri në vdekje, e në vdekjen në kryq. Prandaj Zoti  e lartoi dhe e bëri Zotëri të gjithësisë. Jezusi është Zoti!

Me vdekjen dhe ngjalljen e tij, Jezusi u tregon të gjithëve udhën e jetës e të lumturisë: kjo udhë është përvujtëria e kërkon përulje. E kjo është udha, që çon në lumni. Vetëm kush përulet, mund të shkojë kah “sendet atje lart”, kah Hyji(cfr Kol 3,1-4). Krenari shikon “nga lart poshtë”, i përvuajturi, “nga poshtë,  lart”. 

Në agun e Pashkëve, të lajmëruar nga gratë, Pjetri e Gjoni rendën tek varri dhe e gjetën të hapur e të zbrazët. Atëhere u afruan e “u përkulën” për të hyrë në varr. Për të hyrë në mister duhet “të përkulesh”, të ulesh. Vetëm kush ulet e kupton lumnimin e Jezusit e mund ta ndjekë në udhën e tij.

Bota propozon të imponohesh me çdo kusht, të konkurosh, të vlerësohesh. Por të krishterët, për hir të Krishtit të vdekur e të ngjallur, janë lastarë të një njerëzimi tjetër, në të cilin kërkojmë të jetojmë në shërbim të njëri-tjetrit, të mos jemi arrogantë, por të gatshëm e respektues.

Kjo nuk është ligështi, është forcë e vërtetë! Kush ka në shpirt forcën e Hyjit, dashurinë e drejtësinë, nuk ka nevojë të përdorë dhunën, por flet e vepron me forcën e së vërtetës, të bukurisë, të dashurisë.

Nga Zoti i ngjallur lypim hirin të mos i nënshtrohemi krenarisë, që ushqen dhunë e luftëra, por të kemi guximin e përvuajtur të faljes e të paqes. Jezusit ngadhënjimtar t’i kërkojmë t’i lehtësojë vuajtjet e vëllezërve tanë të shumtë të persekutuar për shkak të emrit të Tij, ashtu si edhe të atyre, që vuajnë padrejtësisht pasojat e konflikteve e të dhunës, në vijim. Janë shumë.

Paqe kërkojmë posaçërisht për Sirinë e për Irakun, që të marrë fund vringëllimi i armëve e të rivendoset bashkëjetesa ndërmjet grupeve të ndryshme të  këtyre vendeve të dashura. Bashkësia ndërkombëtare të mos rrijë duarkryq përballë tragjedisë së pamasë humanitare brenda këtyre vendeve e dramës së refugjatëve të panumërt.

Paqe kërkojmë për mbarë banorët e Tokës Shenjte. Urojmë të rritet ndërmjet Izraelitëve e Palestinezëve kultura e takimit e të rifillojë procesi i paqes, që t’i jepet, kështu, fund, viteve të vuajtjeve e të ndarjeve.

Paqe kërkojmë për Libinë, që të ndalohet gjakderdhja e pakuptimtë, në vijim, si dhe çdo dhunë barbare, e ata, që e kanë për zemër fatin e vendit, të përpiqen për të favorizuar pajtimin e për të ndërtuar një shoqëri vëllazërore, që e respekton dinjitetin e njeriut. Edhe në Jemen urojmë të fitojë vullneti i paqësimit, për të mirën e gjithë popullsisë.

Njëkohësisht me shpresë ia besojmë Zotit të mëshirshëm marrëveshjen e arritur këto ditë në Lozanë, duke uruar të jetë hap përfundimtar drejt një bote më të sigurt e më vëllazërore.

Nga Zoti i ngjallur kërkojmë dhuratën e paqes për Nigerinë, për Sudanin e Jugut e për zona të tjera të Sudanit e të Republikës Demokratike të Kongos. Një lutje e paprerë të lartohet nga të gjithë njerëzit vullnetmirë për ata që kanë humbur jetën - mendoj posaçërisht për të rinjtë e vrarë të enjten e kaluar në Universitetin e Garissës, në Kenia - për ata, që janë rrëmbyer, që kanë humbur shtëpitë e ngrohtësinë njerëzore. 

Ngjallja e Zotit i sjelltë dritë Ukrainës së dashur, posaçërisht atyre që pësuan dhunën e konfliktit të muajve të fundit. Vendi rigjetët paqen e shpresën, falë angazhimit të të gjitha palëve të interesuara.

Paqe e liri kërkojmë për të gjithë burrat e gratë, që i nënshtrohen formave të vjetra e të reja të skllavërisë nga ana e njerëzve e organizatave kriminale. Paqe e liri për viktimat e tregtarëve të drogës, shumë shpesh aleatë me pushtetet,  të cilat duhej të mbronin paqen e harmoninë e familjes njerëzore. E paqe kërkojmë për këtë botë, që i nënshtrohet trafikantëve të armëve, që fitojnë me gjakun e burrave e të grave.

Të shtypurve, të burgosurve, të varfërve, emigrantëve, që shpesh nuk pranohen, keqtrajtohen e përjashtohen; të sëmurëve e të vuajturve, fëmijëve, posaçërisht atyre që pësojnë dhunë; atyre që janë në zi, të gjithë burrave e grave vullnetmira, urojmë t’u arrijë zëri ngushëllues i Zotit Jezus: “Paqja qoftë me ju!”(Lk 24.36). “Mos kini frikë, u ngjalla e do të jem gjithnjë me ju!” (Cfr Meshari Romak, Antifona e hyrjes e ditës së Pashkëve).  

 Të dashur vëllezër e motra,

dëshiroj t’ju drejtoj urimet e mia “gëzuar Pashkët” të gjithë juve, që erdhët në këtë Shesh nga vende të ndryshme, si dhe të gjithë atyre, që janë të lidhur përmes mjeteve të komunikimit shoqëror. Çojeni në shtëpitë tuaja e në zemrat e të gjithë atyre, që takoni, lajmin e gëzuar; kumtoni se Zoti i jetës u ngjall, duke sjellë me vete  dashuri, drejtësi, respekt e falje!

Ju falënderoj për praninë tuaj. Një mendim i posaçëm plot mirënjohje për dhuratën e luleve, që edhe sivjet vijnë nga Vendet e Ulëta.

Gëzuar Pashkët të gjithëve!