2015-03-29 13:58:00

E Diela e Larit. Historia e traditat: mozaik


Në kalendarin liturgjik katolik e Diela e Larit festohet një të diel para kremtimit të Pashkëve. Me të nis Java e Madhe, por nuk mbyllen  Kreshmët, që përfundojnë vetëm me kremtimin e orës së nëntë të së Enjtes së Madhe, ditë në të cilën, me uratët e mbrëmjes, nis Triditshi i Shenjtë i Pashkëve.

Në formën e zakonshme të ritit romak, quhet edhe “De Passione Domini”, e Diela e Mundimeve të Zotit. Në formë të jashtëzakonshme, e Diela e Mundimeve kremtohet një javë  më parë, prej këndej quhet edhe “e Diela e dytë e Mundimeve”.

Solemniteti kremtohet jo vetëm nga katolikët, por edhe nga ortodoksët e protestantët. Krishtërimi mbarë e përcjell Krishtin, që hyn ngadhënjimtar në Jeruzalem, shaluar mbi një gomar, i brohoritur nga turma, që e përshëndet duke tundur rrema palmash (cfr Gjn 12,12-15). Turma  e mbledhur  që në zërin e parë, që kumton ardhjen e Jezusit, shtrin përdhe mantelat, pret degë palmash e i tund si suvalë, duke krijuar atmosferën pranverore të festës, për t’i shprehur nderimin Atij, që po vjen.

Kremtimi liturgjik

Liturgjia e së Dielës së Larit kremtohet duke nisur nga një vend jashtë kishës, ku besimtarët mblidhen rreth meshtarit, që ua bekon rremat e larit, të ullinjve a të palmave. Më pas nis procesioni deri në Kishë. Si arrihet këtu, fillon kremtimi i Meshës, me leximin e gjatë të Mundimeve të Krishtit. Rrëfimi kushtuar Mundimeve lexohet nga tre vetë, që luajnë rolin e Krishtit (lexuar nga meshtari) të historianit e të popullit. Në këtë të dielë meshtari, ndryshe nga të gjitha të dielat e tjera të Kreshmëve (përveç së katrës, në të cilën mund të veshë paramente rozë) vishet me të kuqe.

Tradita

Zakonisht besimtarët i çojnë në shtëpi degët e palmave, të larit a të ullinjve për t’i ruajtur si simbole paqeje, duke e shkëmbyer një pjesë me të afërmit e miqtë. Disa zona kanë zakon që kryefamiljari të marrë një degëz e, pasi ta zhysë në ujë të bekuar, të spërkasë me të gjithë shtëpinë gjatë Natës pa gjumë të Pashkëve e, Ditën e Solemnitetit, sofrën festive, rreth së cilës mblidhet e gjithë familja.

Në shumë zona, me  gjethet e gërshetuara të palmave, realizohen vepërza të vërteta arti, që shkëmbehen si dhuratë feste ndërmjet besimtarëve. Në prag të Pashkëve të reja, degët e vjetra digjen e hiri i tyre përdoret për përhimjen e besimtarëve të Mërkurën e Përhime.

Në Ungjillin e Gjonit (12,12-15) tregohet se populli i Jeruzalemit pati përdorur vetëm rrema palmash që, sipas shumë komentuesve, janë simbol i ngadhënjimit, brohorisë e madhështisë mbretërore. Nësa degët e ullirit, të cilat në Ungjill nuk përmenden, nisën të përdoren më vonë në traditën popullore, sidomos atje, ku nuk kishte palma. Në Shqipëri, për shembull, ku kishte shumë lari e pak e aspak palma. Palmat, që shikojmë sot në oborre, janë shumë më të vona se koha kur meshtarët katolikë e panë të arsyeshme të përdorin degët e larit për të Dielën e Palmave e, prej këndej, edhe ta quanin e Diela e Larit, siç quhet edhe sot e kësaj dite.

Ndërsa në një antifonë të lashtë gregoriane këndohet: “Pueri Hebraeorum portantes ramos olivarum obviaverunt Domino”(Të rinjtë hebrenj shkonin ta takonin Zotin duke  mbajtur në duar degë ulliri).

Në zonat ku nuk rritet ulliri, si Evropa veriore, palmat, ullinjtë e lari zëvendësohen me lule e gjethe, gërshetuar bashkë, ose thjesht me degë pemësh në lulëzim.

Shënime historike

Lajmet, të cilat flasin për bekimin e palmave, vijnë nga shekulli  VII, në përkim me rëndësinë gjithnjë e më të madhe që nisi t’i jepej  procesionit. U bekuan, së pari, në Jeruzalem, aty nga fundi i shekullit IV e pothuajse menjëherë u përfshinë edhe në liturgjinë e Sirisë e të Egjiptit.

Në perëndim këtë të diel mbaheshin kremtimet, që i paraprinin Pagëzimit, ndërsa vetë Pagëzimi kremtohej e kremtohet për Pashkë. Përsa i përket fillimit solemn të Javës së Madhe, bekimi e procesioni i palmave nisi shumë më vonë: më parë në Gali (shekulli VII-VIII), ku Teodulfi i Orleans kompozoi himnin “Gloria, laus et honor”, e më pas në Romë, në fund të shekullit XI.

Ditët Botërore të Rinisë

Dita e Larit përkon edhe me Ditët Botërore të Rinisë (World Youth Day). Dita e parë Botërore e Rinisë është ajo e vitit 1985, mbledhur me nismën e Gjon Palit II, që pohonte: “U themelua nga vetë të rinjtë”.

Kjo Ditë kremtohet në nivel dioqezan në vitet, kur nuk kremtohet  në nivel ndërkombëtar.

 E Diela e Larit, sivjet përkon me Ditën XXX Botërore të Rinisë, me temë: “Lum ata që janë të pastër në zemër, sepse do të shohin Hyjin”(Mt 5,8) kremtuar në nivel dioqezan. Takimi i ardhshëm botëror do të jetë në vitin 2016, në Krakov të Polonisë.

Gëzuar të Dielën e Larit!

Është dita e Paqes për botën mbarë

Kumbojnë këmbanat në festë,

vrapojnë fëmijët me rrema ulliri

në duart e njoma.

Pëllumba të bardhë, simbol i paqes

rrahin flatrat drejt qiellit.

Eshtë festa e ngadhënjimit të Zotit:

qiej edhe tokë i pushton!

Është Dita e Larit:

të galdojmë e të kremtojmë!

Është festa që

pas vdekjes, i prin

kumtit të madh të Ringjalljes. 

Urime të gjithëve:

Në kujtim të Krishtit,

që erdhi të na sjellë paqen,

ta jetojmë mësimin e Zotit!

Ta duam tjetrin me fjalë

e me vepra!

Është koha të ngarendim ndër kisha,

t’i mbushim përplot.

Të kota janë degët e ullirit,

ndër shtëpitë e udhët tona

nëse nuk e kemi në shpirt

vullnetin të bëhemi të gjithë,

kasnecë të paqes

e të ringjalljes,

e paqen ta çojmë në çdo prag

me degët e para

ngarkuar me lule pranvere








All the contents on this site are copyrighted ©.