2013-08-14 16:52:16

Kisha katolike në Mirditë









NGA ABACIA E OROSHIT NË DIOQEZËN E RRËSHENIT


Oroshi dhe Rrësheni: dy unaza të një zinxhiri të vetëm .Në Rrëshen po përfundon së ndërtuari Katedralja e re, një dhuratë e shkëlqyer e Selisë së Shenjtë për besimtarët dhe popullin e Mirditës. Siç shprehet Administratori Apostolik i Dioqezës së Rrëshenit, imzot Cristoforo Palmieri, katedralja do të jetë një pikë referimi domethënëse për jetën e krishterë, “shtëpia në të cilën Hyji takohet me popullin e Vet, shtëpia gjithmonë e hapur ku të gjithë mund të shkojnë dhe të gjejnë mikpritje”. Është dashur shumë përpjekje dhe përkushtim, që Katedralja e Rrëshenit të përfundojë së ndërtuari. Imzot Palmieri ka ditur të bashkërendisë gjithçka: sigurimin hap pas hapi të fondeve të nevojshme, projektin modern, zgjidhjen e problemeve të pronësisë së truallit, në bashkëpunim edhe me pushtetin vendor të Rrëshenit, kryerjen e punimeve me cilësi në objekt etj.. Ka qenë në fillim edhe interesimi i Ipeshkvit të mëparshëm, Imzot Angelo Massafra, i cili më pas u emërua në krye të Arqipeshkvisë së Shkodrës. Mirditorët e vlerësojnë shumë këtë kontribut të çmuar dhe ata nuk mund të mos e lidhin praninë e katedrales së re me ekzistencën e dikurshme në Mirditë të Abacisë së Oroshit, kryeqendra kishtare dhe kulturore e zonës. Abacinë e Oroshit e udhëhoqi për 30 vjet Imzot Prend Doçi, i cili e rimëkëmbi atë në vitin 1888 me bekimin dhe dekretin e posaçëm të Papa Leonit XIII. Abacia Nullius e Oroshit ishte në varësi të drejtpërdrejtë të Vatikanit. Imzot Doçi në raportin e tij dërguar Vatikanit asokohe vinte në dukje se mirditorët janë krejtësisht katolikë, se ata gëzojnë një lloj autonomie dhe vetëqeverisjeje me ligje tradicionale (Kanuni i Lekë Dukagjinit). “Mirditorët me tehun e shpatës kanë zmbrapsur të gjitha goditjet e Bizantit, pushtimet e sllavëve dhe përndjekjet e myslimanëve”, argumentonte Imzot Doçi. Pas vitit 1917 drejtimin e Abacisë e morën Imzot Zef Gjinashi dhe Imzot Frano Gjini, ky i fundit martir i krishterimit në Shqipëri.

Historia është njëra anë e medaljes, ana tjetër është rigjallerimi e rindërtimi i besimit në Zotin ne kohën e sotme. Dhe këtu kanë një meritë themelore misionarët vinçencianë, të cilët shkelën në Mirditë për herë të parë në vitin 1993. Këtu gjetën sigurisht gjithçka në “zero” dhe çdo gjë e nisën nga fillimi. Kisha katolike ishte shkatërruar plotësisht pas vitit 1967, kur regjimi komunist i Tiranës kreu aktin më të rëndë që mund të kryhet në fenë e një populli.

Vinçencianët, të kryesuar nga Atë Cristoforo Palmieri, Famullitar i Rrëshenit, bënë gjithçka në këto nëntë vjet për rindërtimin e besimit, që do të thoshte “rindërtim” i njeriu, i shpirtit të tij prej besimtari. Pamja e një Kishe apo e një feje nuk është sigurisht pamja e arkitekturës madhështore të godinave të kishave, por e asaj që është Kisha në të vërtetë: besimi i njerëzve në Zotin, në Jezu Krishtin. Në nëntë vjet është shkruar një biografi e re e Kishës në Mirditë, një rrugë e mundimshme plot sakrifica nga misionarët dhe motrat, e cila është një vazhdimësi historike e asaj çfarë ishte kryer në të shkuarën nga Imzot Doçi, Imzot Gjini e të tjerë.

Misionarët katolikë të Shën Vinçencit në Mirditë (emrin e këtij Shenjti e mban edhe një rrugë kryesore në Rrëshen) kryen edhe plot vepra kulturoro-fetare me të rinjtë dhe nxënësit e këtij komuniteti me rrënjë katolike, si: konkursin “Jubileu 2000”, shfaqjet publike kushtuar “Pranverës së jetës”, veprimtari të përbashkëta me grupin kulturor “Abat Doçi”, ndërtimin e një kopshti për fëmijë, rindërtimin e oborrit “Shën Vinçenci” të shkollës së mesme Rrëshen, mësimin e gjuhës italiane në shkollë nga motër Anna Cazzato etj..

Dioqeza e Rrëshenit është duke marrë një pamje përgjithësisht të plotë nga ana strukturore, nga viti në vit, edhe ndërtimi i Katedrales së Rrëshenit, në qendër të kësaj dioqeze, është një fakt i rëndësishëm, një nder, një shpresë për këtë vend dhe këta njerëz. Mirdita jo rastësisht është cilësuar si “krahina më e fortë nga ana katolike në Shqipëri” dhe tash asaj i duhet të ngrihet në atë lartësi historike, por për më tepër të ketë zhvillime të reja bashkëkohore në anën shpirtërore dhe kishtare mbi parimet e Koncilit II të Vatikanit.

Kisha Katedrale nuk është një kishë e zakonshme dhe kësisoj mirditorët i pret një përkushtim më i madh në përmbushjen e devocionit në rrugën e Zotit, që të mund të dëshmojnë me vepra besimi se e kanë ndërtuar këtë dhuratë të shenjtë të Vatikanit dhe të Papa Gjon Palit II. Rrëshen, më 8 gusht 2002

Ndue Dedaj historian

Mirdita: zemra e Dioqezës, të dhëna historike

Mirdita është një trevë gjeografikisht e varfër, por ajo i ka qëndruar gjithmonë besnike katolicizmit dhe ka mbetur katolike, në shekuj, edhe mes luftrave të shumta e të egra. Vetëm vonë dokumentet e historisë e përmendin Mirditën, ndonëse rezulton e banuar qysh prej kohëve të hershme. Gjon Muzaka, famullitar i Shkodrës, në gjenealogjinë e vet, dhe Barleti, në historinë e vet, nuk i citojnë mirditorët. Vetëm në relacionin e Vizituesit Apostolik, Shtjefën Gasprit, në vitin 1671, përmenden popullatat e Mirditës. Edhe gjatë pushtimit turk, Mirdita ruajti pavarësinë e fenë; bëri lidhje me turkun, por nuk iu nënshtrua atij.

Thuhet se në shekullin XVI një princ i familjes së Skënderbeut u vendos në Orosh, ku gjendej manastiri i Shën Llezhdrit, i cili varej nga dioqeza e Arbërit dhe përmendet në dokumentet e vitit 1319. Në vitin 1638 Ipeshkvi i Arbërit, Imzot Mark Skura, flet për Abacinë, dhe përmend edhe manastirin e Zojës Mari të Ndërfanit. Në vitin 1640, i emëruar Arqipeshkëv i Durrësit, aneksoi dioqezën e Arbërit, duke ruajtur titullin e Abatit të Mirditës në varësi të Ipeshkvit të Lezhës. Ipeshkvi i Arbërit qe sufragan i Arqipeshkvisë së Tivarit.

Në Mirditë kanë shërbyer bazilianët dhe domenikanët, të cilët kanë lënë kujtimet e tyre në ndërgjegjen e besimtarëve. Abati i Mirditës kishte juridiksion mbi Oroshin e Spaçin. Historia përmend abatë të shumtë si: abatin Bianku, i cili në vitin 1703 mori pjesë në Sinodin e Parë; abatin Junku, abatin Gazullori, abatin Curri, abatin Gjeçi, abatin Doda, Abatin Merqija dhe të tjerë, të gjithë abatë shqiptarë, deri tek i famshmi Abat Doçi, i emëruar abat në vitin 1888. Ky abat punoi për ngritjen e Abacisë Nullius të Mirditës, të udhëhequr drejtpërdrejt nga Selia e Shenjtë. Ai bashkoi rreth Abacisë gati të gjitha trevat etnografike të Mirditës. Në atë kohë popullata katolike e Mirditës numëronte 16.000 frymë.

Abat Doçi ndërtoi kisha, qela, qendra kulti, shkolla; zhvilloi një veprimtari të dendur fetare, shoqërore, kulturore, politikopatriotike. Për sa u përket marrëdhënieve Mirditë - komb shqiptar, ai e shndërroi Mirditën në një Piemonte!

Me vdekjen e abat Doçit, Papa Benedikti XV emëroi abat Imzot Zef Gjonalin, i cili në vitin 1921 qe emëruar dhe shuguruar Ipeshkëv në Romë. Atë e pasoi Imzot Fran Gjini, i cili la një kujtim të lavdishëm në Mirditë. Imzot Gjini u martirizua në Shkodër. Në vitin 1951 Dom Lec Sahatçija qe emëruar Vikar i Përgjithshëm.

Themelimi i Dioqezës së Rrëshenit

Data 7 dhjetor 1996 qe një ditë e paharrueshme për Mirditën dhe Kishën katolike në Shqipëri. Papa Gjon Pali II themeloi Dioqezën e Rrëshenit (Mirditë), në vendin e Abacisë territoriale të Oroshit, duke ia kushtuar Virgjërës së Shenjtë, Mbretëreshës së Botës. Mirdita është e vetmja trevë shqiptare krejtësisht katolike. Është vendi i katër kuvendeve benediktine (Orosh, Shpal, Ndërfanë dhe Rubik) qysh prej kohëve të hershme.

Shumë e njohur është Abacia e Mirditës mbi Malin e Shenjtë të Oroshit, e përmendur në dokumente qysh nga shekulli XIV.

Abacia e Shën Llezhdrit fitoi një rëndësi të veçantë në vitin 1888, kur u reformua nga abat Imzot Prend Doçi, i cili e drejtoi për 30 vjet. Por, shkëlqimi i Abacisë ra, si ai i të gjithë Kishës katolike në Shqipëri, me marrjen e pushtetit nga regjimi komunist e sidomos pas daljes së ligjeve kundër institucioneve fetare në vitin 1967. Një avantash, në kushtet e reja historike të krijuara pas vitit 1990, qe rindërtimi i Kishës.

Për Mirditën, që kishte mikpritur me gëzim Etërit Vinçencianë, të cilët dhanë ndihmesën e tyre për rindërtimin e objekteve të kultit dhe për rilindjen shpirtërore e morale të besimtarëve, lajmi i ngritjes së dioqezës së re qe i paçmueshëm. Në të njëjtën ditë, Ati i Shenjtë, më emëroi jo vetëm Ipeshkëv të parë të Rrëshenit, por edhe Administrator Apostolik të Dioqezës së Lezhës. Deri në atë kohë isha Mësues i Novicëve, Këshilltar i Provincës Françeskane të Shqipërisë dhe Famullitar i Troshanit e i Fishtës, si dhe isha angazhuar për të mësuar gjithnjë e më mirë gjuhën shqipe dhe traditat e vendit.

Territoret e Dioqezës së re të Rrëshenit dhe të Dioqezës së Lezhës, deri më 7 dhjetor 1996, administroheshin nga Shkëlqesia e Tij Imzot Frano Illia, Arqipeshkëv Metropolit i Shkodrës.
BULLA E NGRITJES SË DIOQEZËS SË RRËSHENIT

GJON PALI II, IPESHKËV,

SHËRBËTOR I SHËRBËTORËVE TË HYJIT,

NË KUJTIM TË PËRJETSHËM

Në përmbushjen e detyrës sonë si pasardhës të Pjetrit për përparimin e të mirës shpirtërore të besimtarëve të krishterë, duke u kujdesur edhe për popullin e Hyjit që është në Shqipëri, duke përgatitur gjithçka është e nevojshme për ta bërë më të vlefshme në këtë vend kujdesin e shpirtrave, pasi dëgjuam këshillin e të interesuarve, në bazë të autoritetit tonë apostolik, me një pjesë të arqidioqezës Durrës-Tiranë dhe me Abacinë territoriale të Shën Llezhdrit në Orosh, ngrejmë Dioqezën e re të Rrëshenit, që e vendosim nën Selinë Metropolite të Shkodrës dhe nën juridiksionin e Kongregatës për Ungjillëzimin e Popujve.

Prandaj, Dioqeza e re përfshin territoret e Rrëshenit (Mirditë), të Matit, të Bulqizës dhe të Dibrës. Selinë e kësaj dioqeze të re e vendosim në qytetin e Rrëshenit, dhe aty të ndërtohet kisha kushtuar “Marisë, Mbretëreshës së Botës”. E ngrejmë në shkallën dhe në dinjitetin e një kishe Katedrale dhe i japim shenjat, privilegjet dhe nderet që i gëzojnë edhe kishat e tjera Katedrale në botën katolike. Në të njëjtën kohë këshillojmë, që Bariu i bashkësisë kishtare të formuar, të marrë një ndihmë të vlefshme në udhëheqjen e tij dhe sa më parë të formohet Kolegji i Këshilltarëve, sipas të drejtës kanonike.

Për sa i përket formimit të kandidatëve për meshtarë, të zbatohen përshkrimet e të Drejtës Kanonike, duke pasur parasysh rregullat dhe normat e përcaktuara nga Kongregata për Edukimin Katolik. Përveç kësaj, për sa i përket drejtimit të Dioqezës së re, administrimit të të mirave dhe, selisë së lirë, zgjedhjes së Administratorit Dioqezan, të drejtat dhe detyrat e besimtarëve, të zbatohet me besnikëri sa përshkruan legjislacioni kanonik. I besojmë vëllait tonë të nderuar Ivan Dias, Arqipeshkëv dhe Nunc Apostolik në Shqipëri, përmbushjen e atyre që kemi përshkruar duke i dhënë autorizimet e nevojshme, si dhe duke dërguar një klerik që ta kryejë këtë detyrë, me detyrimin që t’i dërgojë Kongregatës për Ungjillëzimin e Popujve një kopje origjinale të procesverbalit të zbatimit.

Në fund duam që këto letra të zbatohen tani e në të ardhmen, me gjithë pengesat e mundshme.

Dhënë në Romë, pranë Shën Pjetrit, më 7 dhjetor viti i Zotit 1996, i gjashtëmbëdhjeti i pontifikatit tonë.

Gjon Pali II













All the contents on this site are copyrighted ©.