መታወቂያ ገጽ > Audiencat dhe Lutjet e Engjëllit të Tenzot > 2013-04-23 14:11:28
A+A-print this page

Papa Françesku në Kapelën Paoline: nuk mund të jetohet me Jezusin, pa Kishën.


“Nuk mund të besohet në Krishtin, pa Kishën”, e nëse të krishterët nuk janë delet e Jezusit, feja e tyre është tepër e trëndafiltë. E pohoi Papa Françesku në homelinë e Meshës, kryesuar sot paradite në Kapelën Paoline, në Vatikan. Në ditën e kujtimit liturgjik të Shën Gjergjit, dita e emrit të Papës, Ati i Shenjtë e bashkëkremtoi Meshën i rrethuar nga disa kardinaj, duke theksuar edhe një herë se nuk duhet bërë tregti me mendimin e botës.
Dëshira për të jetuar me Jezusin, por pa Kishën, është absurditet, pati thënë Pali VI. “Nuk mund të besohet në Jezusin, pa Kishën”, i bëri jehonë Papa Françesku. Është Kisha, Nëna e të krishterëve; nuk ka vend tjetër, ku mund ta quash veten me këtë emër. E patën kuptuar këtë dymijë vjet më parë në Antioki, ku të krishterët u quajtën kështu së pari. E vuri në dukje edhe Papa Françesku, duke theksuar tre mësime nga Veprat e Apostujve. Në “Veprat” flitet për të krishterët që, të ikur nga persekutimet në Jeruzalem, shpërndahen ndërmjet Fenikisë, Qipros e Antiokisë, duke e kumtuar kudo Ungjillin. Leximi i sotëm, vërejti Papa Françesku në fillim të homelisë, më nxit të mendoj se njëheresh me këtë persekutim, shpërthen edhe fryma misionare e Kishës. Gjithsesi, vijoi, ky kumtim i lindur vetvetiu, në një farë mënyre i paautorizuar, i shqetëson apostujt, të cilët kundërveprojnë:
“Por në Jeruzalem ndokush, kur e dëgjoi këtë, u ngacmua. E atëherë dërguan Barnabën për ‘vizitë apostolike’; ndoshta, paksa me shaka, mund të themi se kjo ishte zanafilla teologjike e Doktrinës së Fesë; kjo vizitë apostolike e Barnabës. Ai shikoi e pa se punët shkonin mirë. E Kisha kështu është më shumë Nënë, Nënë me shumë fëmijë”.
Kisha, e vetmja që lind fëmijë në fe, ishte pika e dytë e homelisë së Papës Françesku. Kisha, ngulmoi, është Nëna, që na jep fenë, Nëna që na jep identitetin. Por identiteti i krishterë, sqaroi, nuk është kartë identiteti:
Identitet i krishterë do të thotë t’i përkasësh Kishës, sepse të gjithë ata i përkisnin Kishës, Kishës Nënë. E sepse, ta gjesh Jezusin jashtë Kishës, është e pamundur. E kjo Kishë Nënë, që na jep Jezusin, na jep edhe identitetin, i cili nuk është vetëm vulë: është përkatësi. Identitet do të thotë përkatësi”.
Fjala e tretë bazë e reflektimit të Papës, ishte gëzimi. Gëzim, që lind në zemrën e ungjillëzuesit, i njëjti gëzim, që provon Barnaba në Antioki, kur vëren se kumtimi i frymëzuar i të krishterëve po bënte mrekulli. Kumtim ky, vijoi Papa Françesku, që nis me persekutim, me trishtim të madh, e përfundon me gëzim:
Në se duam të ecim paksa në udhët e botës, duke bërë tregti me botën, siç dëshironin të bënin Makabejtë, që tundoheshin, në atë kohë, nuk do të mund ta kemi kurrë ngushëllimin e Zotit. E nëse kërkojmë vetëm ngushëllim, do të jetë ngushëllim i cekët, jo ai i Zotit: ngushëllim njerëzor. Kisha ecën gjithnjë ndërmjet Kryqit e Ngjalljes, ndërmjet persekutimit e ngushëllimit të Zotit. Kjo është rruga: kush ecën nëpër këtë rrugë, nuk gabon!”.
Pak para se të përfundonte, Papa Françesku kujtoi edhe një herë identitetin e fesë: “Nuk mund të besosh në Jezusin, pa Kishën!”, theksoi, duke cituar vetë Jezusin që, në Ungjill, thotë: “Po ju nuk besoni, sepse nuk bëni pjesë në grigjën time. Nuk jeni delet e mia”:
Nëse nuk jemi delet e Jezusit, feja nuk vjen. Është fe e trëndafiltë, fe pa thelb. T’ia lypim Zotit këtë parresi, këtë zell apostolik, që na shtyn të ecim përpara, si vëllezër, të gjithë ne: përpara! Përpara, duke e mbajtur emrin e Jezusit në gjirin e Shenjtes Kishë Amë e, siç thoshte Shën Injaci, ‘hjerarkike e katolike”.

Fjalët e para të Papës Françesku qenë falënderimi i përzemërt për urimet, që i bëri, me rastin e Shën Gjergjit, kardinali dekan, Anxhelo Sodano. Unë, tha Papa, e ndjej mikpritjen tuaj, ndjehem mirë mes jush, më pëlqen të rri me ju.
Pas Meshës, aty nga mesdita, banda e Rojës Zvicerane dha një koncert për nder të Papës, duke krijuar atmosferë festive në Oborrin e Shën Damazit.



Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
All the contents on this site are copyrighted ©. Webmaster / Credits / Kushtet ligjore / Reklama