መታወቂያ ገጽ > Politika > 2013-04-22 14:29:48
A+A-print this page

Serbia e Kosova: nënshkrimi i marrëveshjes hap udhën e integrimit evropian. Intervistë me ministrin e jashtëm kosovar


Rezultati i parë pas marrëveshjes Serbi-Kosovë u arrit sot. Bashkimi Evropian dha mendim pozitiv për integrimin e Serbisë dhe për nënshkrimin e marrëveshjes së asociim-stabilizimit nga ana e Kosovës.
Ndërsa Kuvendi i Prishtinës e miratoi mbrëmë marrëveshjen e nënshkruar nga palët më 19 prill, qeveria e Beogradit u shpreh sot për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve. Lajmi historik, është kaq i rëndësishëm, sa të vendoset në faqen e parë të gazetës vatikanase “L’Osservatore Romano”, e cila shkruan:
“Pas gjashtë muaj bisedimesh rraskapitëse, kryeministri kosovar, Hashim Thaçi, dhe kreu i qeverisë serbe, Ivica Daçiq, në raundin e dhjetë të negociatave në Bruksel, nënshkruan tekstin e vendosur mbi tryezë nga Përfaqësuesja e lartë e Politikës së Jashtme dhe e Sigurisë në Bashkimin Evropian, Catherine Ashton, e cila feston kështu, fitoren e saj të parë, në krye të diplomacisë evropiane.
Në qendër të marrëveshjes me 15 pika, lindja e një shoqate apo bashkësie të komunave me shumicë serbe në Kosovë. Ky ent i ri lokal do të ketë një autonomi të fuqishme, që nga policia e deri tek drejtësia, por gjithnjë, brenda strukturave të Kosovës. Parashikohet detyrimi i ndërsjelltë për Beogradin e Prishtinën që të mos bllokojnë udhën e integrimit evropian të njëri-tjetrit. Gjithashtu, në komunat e veriut të Kosovës do të zhvillohen zgjedhje të reja brenda vitit 2013. Marrëveshja parashikon praninë e një policie të vetme në Kosovë, por anëtarëve të strukturave serbe të rendit do t’u ofrohet një post në strukturat e barazvlershme kosovare. Është menduar për figurën e një kryetari policie rajonale për katër bashkitë e veriut të Kosovës, me shumicë serbe (Mitrovica e Veriut, Zveçani, Zubin Potoku dhe Leposaviçi). Ai do të jetë serb nga Kosova e do të emërohet nga Ministri i Brendshëm, mbi bazën e një liste të propozuar nga shoqata e komunave serbe.
Përbërja e policisë do të pasqyrojë përbërjen etnike të popullsisë. Ndërkaq, autoritetet gjyqësore do të integrohen (kujtojmë se në veri ekzistojnë struktura paralele) e Gjykata e Apelit në Prishtinë do të formojë një grup me shumicë gjykatësish serbo-kosovarë, i cili do të merret me çështjet e komunave me shumicë serbe. Parashikohet një zyrë e përhershme e Gjykatës së Apelit në Mitrovicën e Veriut. Përsa u përket votimeve, ato do të organizohen brenda vitit në komunat e veriut, sipas legjislacionit të Kosovës, me ndërmjetësinë e OSBE-së”.
Më hollësisht të dëgjojmë ministrin e jashtëm të Kosovës, Enver Hoxhaj, në mikrofonin e don David Gjugjës…...........RealAudioMP3
KE rekomandon "dritën jeshile" për Kosovën dhe Serbinë
Komisioni Evropian, miratoi sot propozimin që Serbisë t’i jepet data e fillimit të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ndërsa Kosovës ajo e fillimit të negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit.
Propozimi u hodh pak orë pasi që Parlamenti i Kosovës miratoi marrëveshjen e parë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ndërsa sot edhe Qeveria e Serbisë miratoi atë marrëveshje.
Shefi i diplomacisë kosovare, Enver Hoxhaj ka falënderuar homologët e tij evropian për këtë hap që kanë ndërmarr në raport me Kosovën.
Përmes rrjetit social ai ka shkruar se Kosova do të kryejë të gjitha obligimet e saja që dalin nga “marrëveshja e parë kontraktuale me BE-në, me përkushtim të madh”.
Ndërkaq ministrja kosovare për Integrime Evropiane, Vlora Çitaku ka thënë se Komisioni Evropian ka gjetur se Kosova ka përmbushur të gjitha kushtëzimet afat-shkurta që ishin përshkruar në studimin e fizibilitetit.



Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
All the contents on this site are copyrighted ©. Webmaster / Credits / Kushtet ligjore / Reklama