መታወቂያ ገጽ > Audiencat dhe Lutjet e Engjëllit të Tenzot > 2013-04-22 14:28:41
A+A-print this page

Papa Françesku: të krishterët janë zemërbutë e të përvuajtur, arrivistët nuk kanë fe.


Ungjilli i Bariut të Mirë me Jezusin, që e quan veten “porta e deleve” përshkoi gjithë homelinë e Papës sot paradite, gjatë Meshës, kremtuar në Kapelën e Shtëpisë së Shën Martës. Të pranishëm, disa nëpunës të Sallës vatikanase të Shtypit, me drejtorin Atë Federiko Lombardi dhe disa teknikë të Radio Vatikanit, punonjës në Qendrën transmetuese Santa Maria in Galeria.
Në Ungjillin e propozuar nga liturgjia e ditës, Jezusi na kujton se kush nuk hyn në vathin e deleve nga dera, nuk është bari. E vetmja portë për të hyrë në Mbretërinë e Hyjit, për të hyrë në Kishë, pohoi Papa, është vetë Jezusi. Kush nuk hyn në vathin e deleve nga porta, por përpiqet të ngjitet nga ndonjë anë tjetër, është hajdut, ose cub. Është njeri, që kërkon perfitime vetjake. Që synon të ngjitet lart, përmes shtigjesh të shtrembëra:
“Edhe në bashkësinë e krishterë ka njerëz, që kacavaren gardhijesh, që kërkojnë leverdinë e vet e, me ndërgjegje a pa të, bëjnë sikur duan të hyjnë në vath, por janë hajdutë e cuba. Pse? Sepse duan të rrëmbejnë lavdinë e Jezusit, për lavdinë e vet. E pikërisht këtë u thoshte Jezusi farizenjve: ‘Ju lavdëroni njëri tjetrin… Fe që të kujton paksa dyqanin, kjo, apo jo? Unë të lavdëroj ty, e ti më lavdëro mua’. Po këta nuk kanë hyrë nga porta e vërtetë. Porta është Jezusi e kush nuk hyn nga kjo portë, gabohet rëndë! E si e di se Porta e vërtetë është Jezusi? Si e di se kjo portë është e Jezusit? Epo, merri Lumnitë e bëj atë që të thonë. Ji i varfër, ji zemërbutë, i përvuajtur, i drejtë…”.
Jezusi, vijoi Papa, jo vetëm është porta: është shtegu, udha. Shtigje ka shumë, ndoshta edhe më të lehta për t’u përshkuar: po janë të rreme, nuk janë të vërteta. Rruga është vetëm Jezusi:
“Por ndonjëri nga ju do të thotë: ‘Atë, ju jeni fondamentalist!’. Jo, nuk e them unë këtë, e thotë Jezusi: “Unë jam porta”; “Unë jam udha, për t’ju dhënë jetë. Thjeshtësisht. Është portë e bukur, portë dashurie, por që nuk të gënjen, nuk është e rreme. Thotë gjithnjë të vërtetën. Me dhembshuri, me dashuri. Por gjithnjë ne kemi atë, që ishte në zanafillë të mëkatit të rrjedhshëm, apo jo? Duam të kemi çelësin e shpjegimit të të gjitha gjërave, çelësin dhe pushtetin për të bërë udhën tonë, të jetë si të jetë, e për të gjetur portën tonë, sido që të jetë”.
Nganjëherë, pohoi Papa, tundohemi për të qenë zotër të vetvetes, e jo bij të përvuajtur e shërbëtorë të Zotit:
E ky është tundimi, që të shtyn të kërkosh porta të tjera a dritare të tjera, për të hyrë në Mbretërinë e Hyjit. Mund të hyhet vetëm nga ajo portë, që quhet Jezus. Mund të hyhet vetëm nga ajo portë, e cila na çon në një udhë, që quhet Jezus, e na çon edhe në një jetë, që quhet Jezus. Të gjithë ata, që bëjnë një gjë tjetër, thotë Zoti, që ngjiten muresh, për të hyrë nga dritarja, janë hajdutë e cuba. Është i thjeshtë, Zoti. Nuk flet rëndë. Ai është i thjeshtë”.
Papa na fton për ta kërkuar hirin, që të trokasim gjithnjë në këtë portë:
“Nganjëherë është e mbyllur: ne jemi të trishtuar, ngurrojmë para se të trokasim në këtë portë. Mos shkoni të kërkoni porta të tjera, që duken më të lehta, më të rehatshme, më të përdorshme. Gjithnjë në atë portë, që quhet Jezus. Që nuk të gënjen kurrë, nuk të mashtron kurrë. Jezusi nuk është hajdut, nuk është cub. Dha jetën për mua! Secili nga ne duhet ta thotë këtë: “E Ti, që dhe jetën për mua, të lutem, ma hap portën e të hyj”.



Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
All the contents on this site are copyrighted ©. Webmaster / Credits / Kushtet ligjore / Reklama