መታወቂያ ገጽ > Politika > 2013-04-22 14:31:16
A+A-print this page

Kuvendi i Kosovës mbështet marrëveshjen me Serbinë


Në një seancë me shumë tensione, Parlamenti i Kosovës, i dha mbështetje marrëveshjes së arritur me Serbinë, në kuadër të bisedimeve të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre.
Votimi me 89 vota pro, 5 kundër dhe një abstenim u bë me gjithë protestën e deputetëve të lëvizjes Vetëvendosje që mbanin në duar parulla kundër marrëveshjes.
Votimi ndodhi rreth orës një pas mesnate, meqë lëvizja Vetëvendosje pamundësoi disa herë votimin.
Pjesëtarët e kësaj lëvizjeje protestuan edhe para dyerve të parlamentit dhe paralajmëruan vazhdimin e protestave edhe në ditët në vazhdim kundër marrëveshjes
Të premten Kosova dhe Serbia arritën një marrëveshje që u siguron serbëve në komunat veriore përgjegjësi në fushën e policisë dhe gjyqësisë.
Marrëveshja thuhet se i hap rrugën normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet të dyja palëve, që është kusht për përparimin e tyre drejt integrimeve evropiane.
Sot, shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Ketrin Eshton, do t’u raportojë ministrave të jashtëm të BE-së për rezultatet e bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Mbledhja e jashtëzakonshme e Parlamentit të Kosovës, në të cilën u debatua marrëveshja kaloi në shenjë të përplasjeve kryesisht ndërmjet Partisë Demokratike në pushtet dhe lëvizjes Vetëvendosje e cila e cilëson marrëveshjen shumë të dëmshme.
Kryeministri Hashim Thaçi, tha se marrëveshja nuk është ideale, por është më e mira e mundshme.
“Kjo është marrëveshje për paqe mes Kosovë dhe Serbisë, përmes së cilës ne do të shtrijmë autoritetin tonë në tërë territorin e shtetin tonë. 14 vite pas luftës ne do t’i japim fund strukturave ilegale të sigurisë së Serbisë në vendin tonë. Me këtë marrëveshje, Serbia e ka pranuar këtë fakt”, tha kryeministri Thaçi.
Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), kryetari i këtij grupi, deputeti Ismet Beqiri, tha se përkundër vërejtjeve që ka në pika të caktuara të kësaj draft-marrëveshjeje, LDK-ja jep pëlqimin e saj në parim dhe u bëri thirrje BE-së dhe SHBA-ve që ta garantojnë implementimin e saj.
"LDK-ja është e vetëdijshme se dialogu me fqinjët e saj është parim evropian dhe rrjedhimisht e përkrahim si parim. LDK-ja insiston dhe do të këmbëngulë në ruajtjen dhe mbrojtjen e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, e veçanërisht karakterin unitar të saj. Patjetër që duhet të vlerësojmë angazhimin e SHBA-ve, BE-së, Baroneshës Eshton dhe të NATO-s në të gjithë këtë proces", theksoi Beqiri, ndërsa shtoi se garancionet dhe mbështetja e SHBA-ve, BE-së dhe NATO-s, janë arsyeja kryesore se pse LDK-ja përkrah në parim këtë draft-marrëveshje. Janë po të njëjtit faktorë, shtoi tutje Beqiri, që e përkrahën Kosovën në momentet vendimtare për lirinë, për shtet-formimin e Republikës së Kosovës dhe, shfaqi besimin se kjo do të ndodhë edhe në procesin e ndërtimit të shtetit.
"Ne si subjekt politik, si parti shtet-formuese dhe shtet-ndërtuese, interesat shtetërore dhe nacionale i vejmë mbi çdo interes tjetër. LDK-ja konsideron se ka ardhur koha që në Ballkanin Perëndimor, paqja e qëndrueshme dhe afatgjate duhet të vendoset", theksoi Beqiri.
Albin Kurti, duke folur në emër të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje!, tha se marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë, për normalizimin e marrëdhënieve, është e turpshme dhe e padrejtë. Ai tha se me këtë marrëveshje po bosnjakzohet Kosova, duke u shndërruar në shtet jo funksional, drejtë dështimit të sigurt, ndërkaq vlerësoi se kjo nuk duhet të pranohet.
Kurti duke numëruar disa nga kushtet që është dashur t'i vihen Serbisë, tha se është dashur të kërkojë që ajo ta pranojë pavarësinë e Kosovës, të kërkojë falje, t'i kthejë trupat e të pagjeturve, dhe të pushojë me diskriminimin ekonomik dhe shtypjen, si dhe ta ndërpresë financimin e strukturave kriminale e ilegale.
Kurti tha se me këtë marrëveshje, veriu fiton forcën e vet policore si regjion i veçantë, ku ka ndarje të gjyqësisë, e që sipas tij, është autonomi e të gjithë serbëve në Kosovë, sipas kërkesës së Beogradit. Më tej ai tha se veriu i Mitrovicës po bëhet si Banjalluka: Shqiptarët do ta kenë kryeqytet Prishtinën, e serbët veriun e Mitrovicës.
Në emër të Grupit Parlamentar të AAK-së foli deputeti Blerim Shala. Ai mes tjerash tha se nuk ka implementim pa pasur vendim të njëmendtë, duke shtuar se në këtë dialog i cili synon hyrjen në fazën e paparë të shqiptarëve dhe serbëve, atë të normalizimit të marrëdhënieve mes dy shteteve, vendimi ka ndodhur, pikërisht me marrëveshjen e 19 prillit. Tutje, Shala tha se janë bërë shumë interpretime të marrëveshjes së saj edhe duke u përqëndruar në një detaj, duke e bërë një burim të koncepteve tashmë ekzistuese politike të tensionit të lartë në Kosovë, por edhe duke u përpjekur për ta kuptuar dhe për ta lexuar atë në kontestin politik të kohës sonë. Me këtë rast ai shtoi se mbase gjërat e tilla dhe tensionimet e tilla politike janë të pashmangshme në këto raste.
Edhe kryetari i Parlamentit Jakup Krasniqi, tha se marrëveshja nuk garanton normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, dëmton karakterin shumetnik të Kosovës dhe në njëfarë mënyre paraqet autonomi për serbët në veriun e Kosovës.
“Vetë fjala se po flitet për kompromis, kjo do të thotë se është shkuar përtej Dokumentit Gjithëpërfshirës për Statusin e Kosovës, përtej Kushtetutës dhe ligjeve që i kemi miratuar. Ajo çka po mungon këtu është emri i vërtetë i kësaj autonomie. Sa është e thellë kjo autonomi më 15 pikat që kemi në shqyrtim e kemi vështirë ta themi”, tha ai.
Parlamenti u mblodh në seancë të jashtëzakonshme të dielën në mbrëmje, meqë siç thuhej në kërkesën e kryeministrit Thaçi për këtë mbledhje, marrëveshja është në fazën e dhënies së pëlqimit për nënshkrim formal, për çka duhet dhënë pëlqimi paraprak nga përfaqësuesit e të dyja vendeve, më së largu ditën e hënë, më 22 prill 2013.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi tha se se duhet një marrëveshie për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, kjo është e kuptueshme, ajo i duhet edhe rajonit dhe BE-së. A është arritur një marrëveshje e tillë, historike, ku Serbia do ta njihte vërtetë Kosovën shtet, këtë duhet ta shohim, tha ai, duke shtuar se kjo nuk ka ndodhur. Ai theksoi se marrëveshja do të ishte historike, sikur vërtet do të shënonte një përmbyllje të plotë të çështjeve të pazgjidhura, në mes dy vendeve tona, e të cilat sipas tij, janë shumë. Ai tha se koha do të tregoj se e çfarë niveli është kjo marrëveshje. Sipas kryekuvendarit Krasniqi nëse vërtetë Serbia e ka njohur Kosovën shtet të pavarur, siç po thonë qeveritarët tanë, këtë gatishmëri nuk po e shohim nga ana serbe. Këtë duhet ta bëjë Serbia, përfaqësuesit e saj, tha Krasniqi, duke shtuar se besoj që Serbia nuk i ka autorizuar qeveritarët tanë që të flasin në emër të saj.
"Unë kam qenë për bisedime, jam për normalizim të plotë të marrëdhënieve me serbët e Kosovës e Serbinë, por kjo që e pamë të shkruar në 15 pika nuk është e tillë. Këto janë kushtet e Serbisë për t'i "shuar" strukturat e saj në Kosovë. Kush mund të na garantoj se politika në Beograd nuk do të veprojë ndryshe. Këto 15 pika nuk e përmbyllin kompromisin apo kompromiset tona, përkundrazi hapin shtigje për kompromise të reja dhe që krijojnë premisa të shumta në dëm të stabilitetit dhe sigurisë jo vetëm në Kosovë. Këto kërkesa, kështu si janë do të duheshin të ishin reciproke me komunat shqiptare në Serbi. Ajo që duhet të vlente për serbët në Kosovë pse mos të vlente edhe për shqiptarët në Serbi?", tha kreu
Me këtë rast foli edhe nënkryetari i Kuvendit, Sabri Hamiti. Ai tha se kjo marrëveshje, që pas gjashtë muajsh, ka një tekst të plotë, qoftë i mirë apo i keq, shtoi ai, kemi një evidencë, dhe është hera e parë që sot kemi një letër, ndonëse sipas tij, kjo letër i ka ardhur 30 minuta para fillimit të kësaj mbledhje. "Edhe ky dokument nuk ka përkthim zyrtar dhe tri variantet janë kaq të ndryshme sa që e qojnë njeriun në lajthitje. Nga kjo që duket, janë 15 pika dhe në të vërtetë kjo nuk është marrëveshje për parimet që rregullojnë normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve", tha mes tjerash nënkryetari i Kuvendit, Sabri Hamiti, duke shtuar më tej se kjo marrëveshje është për statusin e bashkësisë serbe në veri të Kosovës.
"Këto 15 pika nuk merren me asgjë tjetër, pos me statusin, organizimin, veprimin e serbëve në veri të Kosovës. Këto 15 pika tregojnë që në të vërtetë prodhojnë një pushtet plus për komunat me shumicë serbe në veri", tha ai duke theksuar se kjo i bie për statusin serb në komunat. Ai shtoi se nëse i jepet pushtet plus kësaj pjese të popullatës, duke vënë në pah faktin se ky pushtet plus, patjetër që e prek Kushtetutën e ligjet.
Mes tjerash Hamiti tha se ne sot nuk duhet të ngutemi dhe të bëjmë votime të nivelit kushtetues, ngase do të bëjmë gabim fatal, meqë shtoi ai, ka implikime kushtetuese edhe ligjore, duke kërkuar më tej që këto pika të kthehen në program të detajizuar dhe të sillet si tekst total. Hamiti tha se, pa e njohur minoriteti serb i Kosovës Pavarësinë e Kosovës dhe pa e njohur Serbia pavarësinë e Kosovës nuk do të implementohen këto marrëveshje. "Kjo është marrëveshje për mosmarrëveshjen", tha krejtësisht në fund nënkryetari i Kuvendit, Sabri Hamiti.
Pas një diskutimi të gjerë të deputetëve, në kohën kur kryeministri Thaçi po merrte fjalën për herë të dytë, deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje! dolën para foltores së Kuvendit dhe shpalosën një pankartë.
Mirëpo, në pamundësi të zhvillimit të mbledhjes, kryekuvendari Krasniqi kërkoi një pauzë.
Pas një pauze 10 minutëshe, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, prezantoi rezolutën për dhënien e pëlqimit nga Kuvendi për Marrëveshjen në Bruksel. Mirëpo , sërish në pamundësi të vazhdimit të punimeve seanca u ndërpre për një pauzë.
Pas një pauze të deputetëve, Rexhep Selimi, kërkoi nga kryekuvendari Krasniqi që të mos lejojë të vazhdohet kjo seancë dhe të mos miratohet kjo rezolutë, e cila sipas tij është kundër interesave të qytetarëve të Kosovës.( nga QIK-u)



Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
All the contents on this site are copyrighted ©. Webmaster / Credits / Kushtet ligjore / Reklama