rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:
Radio Vatikani

Kryefaqja / Kisha

Shën Asti, ipeshkëv i Durrësit, martir


Miq të nderuar të Radio Vatikanit, po ndalemi te figura e një ipeshkvi e martiri të shquar shqiptar, që jetoi ndërmjet mbarimit të shekullit I e fillimit të shekullit II, pas Krishtit. E kemi fjalën për shën Astin e Durrësit, ipeshkëv katolik e shenjtë martir shqiptar. Përkujtimi i tij liturgjik bie më 5 korrik, siç na transmeton këtë datë Sinasari i Kostandinopojës. Menologio i Bazilit dhe Annus ecclesiasticus graeco-slavicus e caktojnë 6 korrikun si datë të përkujtimit të tij. Ndërsa në Martirologun Romak si dhe në Sinasarin e Kostandinopojës, emri i Astit bie edhe më 7 korrik në kremtimin e Pelegrinit e të shokëve të tij martirë. Prandaj, ne po e përkujtojmë shën Astin, sot më 6 korrik.
Për shën Astin, gojëdhëna na sjell shumë pak lajme e shumë pak është gërmuar te arkeologjia apo ndër kujtesa e ndër libra e dokumente historike për ta krijuar edhe një herë jetën e këtij bariu martir që është ipeshkvi i jashtëzakonshëm me prejardhje ilire shën Asti i Durrësit. Dimë me siguri se shën Asti ishte ndër ipeshkvijtë e parë të Durrësit gjatë sundimit të Trajanit (98-117), në sa Iliriku qeverisej nga Agrikolao. Pikërisht në këtë kohë u martirizua shën Asti, sepse nuk pranoi të mohonte fenë në Jezu Krishtin e të nderonte shtatoren e Dionizit. Sipas atye pak të dhënave të kemi, duhet të ketë qenë viti 100, kur ipeshkvi trim durrsak derdhi gjakun për Krishtin, duke dhënë dëshminë më lartë.
Një ditë të nxehtë të korrikut shën Astin e zhveshën lakuriq duke i lyer trupin me mjaltë dhe e varën në një pemë, ku dha shpirt pas torturave të mëdha e çnjerëzore që pësoi për fenë e tij e për dëshminë dhënë për Krishtin e Ungjillin e Tij. Pastaj trupin e tij e morën të krishterët dhe e varrosën. Më vonë mbi varrin e shën Astit u ngrit një Kishë e madhe katedrale dhe më vonë shën Asti u shpall mbrojtës e pajtor qiellor i qytetit të Durrësit.
Emri i shën Astit, gjendet edhe në përshkrimin e martirizimit të Pelegrinit, Luçianit, Ezikut, Papios, Saturninit e Gjermanit të cilën, sapo ishin strehuar në Durrës, panë trupin e Astit ipeshkëv, akoma të mbërthyer e të gozhduar në kryq e, të ngushëlluar nga flijimi i tij dhe dëshmia që ai dha për Krishtin, shpallen se ishin të krishterë dhe për këtë shkak edhe ata pësuan menjëherë të njëjtin fat...u martirizuan.
Ndërsa në Sinasarin e Kostandinopojës, festa e shën Astiti kremtohet më 5 korrik, së bashku me shën Pelegrinin e shokët martirë të Durrësit. Emri i shën Astit ishte i nderuar në Shqipëri, siç vërteton mes tjerash edhe Kisha e françeskanëve në Rubik e cila, në se i besojmë dëshmive gojore të përcjella brez pas brezi në popull, duhet të ketë qenë fillimisht e Etërve Benediktinë, për t’u kaluar më pas françeskanëve – siç dëshmon Farlati tek vepra monumentale “Illyricum Sacrum”. Kisha e vogël e Rubikut ishte e pikturuar me afreske, poshtë të cilave shkruheshin citate nga Shkrimi Shenjt – Bibla si edhe emrat e shenjtërve të pikturuar. Ndërmjet tyre ishte edhe emri i shën Astit, ipeshkvit e martirit të Durrësit.
Shën Asti kremtohet edhe në fshatin Serbicë, të famullisë kishtare të Velezhës, në komunën e Prizrenit. Shën Asti – lutu për ne!