rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:
Radio Vatikani

Kryefaqja / Kisha

A është imzot Pal Ejëlli kardinali i parë shqiptar?


Sqarim i vogël, për një pohim të studuesit Kolec Çefa.

Shumë fjalë janë folur e janë shkruar për Prelatin e madh me Ungjill e me shpatë, se ashtu e donte puna në ato kohë, sa të stuhishme, aq të lumnueshme, kur jetoi (rreth 1417,1469-1470). Për Imzotin, i cili i mësonte të krishterët t’i pagëzonin vetë fëmijët, që feja e Krishtit të ruhej në ato dhera, ku u zhyt në gurrë të pagëzimit i pari ilir e, sipas traditës, Shën Pali shqiptoi formulën: “(Nomen) ego te baptizo in nomine Patris, et Filii et Spiritus Sancti”, duke vënë në vend të ‘Nomen’, emrin e ilirasit të parë, kthyer në fe të Krishtit.
E pesëmbëdhjetë qindravjet më vonë, me 1462, i erdh radha një Pali tjetër të shkruante i pari, në gjuhën shqipe “Unte paghesont prémenit Atit et birit et spertit senit”(Unë të pagëzoj në emën të Atit e të Birit e të Shpirtit Shêjt),1 duke u lënë trashëgim breznive, etjen e krishterimit e të gërmimit në nënshtresa pergamenash. Atje ku ngatërrohen shkronjat e formulave latine, me fjalë të vjetra e të harruara shqipe, brerë nga tenjat. Ku është ngujuar fryma e fjalëve të para të shkruara ‘të gluhës sanëh’. Etjen e gërmimit, ‘për me zbulue hijen e Fjalës, në thellësinë që s’shihet’. E ‘për me zdritun mendet’.
Etja e gërmimit ndër libra të rrallë, i ka çuar shumë studiues tek rrotullat e pergamenave, por edhe tek libri “Illyricum Sacrum”, buruar prej tyre, ku gjindet portreti më besnik i Pal Ejëllit dhe përgjigjja e parë e një pyetjeje, që u bë shpesh, kur Gjon Pali II shkeli në trojet shqiptare.
Dihet ku lindi, por jo kur. E dihet edhe se studioi në Kostandinopojë gjithë dijet e kohës së vet. Shpejt u dallua si njeri me rëndësi e si intelektual me vlera të mëdha. Me 1453, kur Drishti ra në dorë të turqve, iku prej vendlindjes, ku jetonte, e u vendos në Epir. U bë aq i njohur, sa Papa Pali II (Pal edhe ky) e shuguroi ipeshkëv, për ta emruar, pastaj, metropolit të Durrësit. Duke vlerësuar zotësinë e tij mendore, Papa e bëri përfaqësuesin e vet ndërmjet princërve shqiptarë, që s’pushonin së kacafyturi, në përpjekjen për t’i bashkuar e për t’i lidhur në luftë kundër turqve, që t’ua ndalonin, kështu, hovin hordhive otomane.
Figuron si ipeshkëv i Durrësit rreth viteve 1459, kur nisi t’i dëgjohej fort zëri, që i mbërriti deri në Romë. Natyrisht, edhe në Stamboll, sepse s’i la gjë mangut barrës, që ia ngarkoi Papa. Kur Skënderbeu u bë i vetmi princ i Epirit, Pal Ejëllin e pati përkrah, në mënyrë të posaçme në sherrin e madh me Lekë Dukagjinin. Prelati i ndritur ia paraqiti Papës e parisë, dëmin e rëndë që do t’i sillte krishterimit ndasia ndërmjet dy princërve shqiptarë. Duke pasur parasysh njoftimet e tij, Papa i shkroi Argjipeshkvit të Tivarit e atij të Durrësit ta mallkonin Lekë Dukagjinin dhe të gjithë ata, që i mbanin krah, në se brenda 15 ditëve nuk do ta zgjidhte besën, që kishte lidhur me turq, për t’u kthyer rishtas në krahun e Skënderbeut.
Pal Ejëlli u nda në shenjë për autoritet, madhështi e gojtari. Ishte ai, që e përcolli Skënderbeun në Pulie e në Romë, si delegat i Papës dhe i Republikës së Venedikut (1463), gjë që ia shtoi edhe më shumë vlerën. Luajti një rol të rëndësishëm në marrëdhëniet ndërmjet Shqipërisë e Selisë Apostolike gjatë papnisë së Nikollës V (1447-1453); Kalistit III (1453-1458), Piut II (1458-1464). I doli zot Skënderbeut edhe pranë Republikës së Përshndritshme. Kur Papa Piu II shkoi në Ankonë, prej kah pritej të kalonte, pastaj, në Shqipëri e në Tokë Shenjte, deshi ta krijonte Palin kardinal. Papa dëshironte të ndalohej në Shqipëri për ta kurorëzuar Skënderbeun mbret e për ta pranuar Pal Ejëllin në Kolegjin e Kardinajve. Duke krijuar, kështu, në Shqipëri, një seli kardinalore, që do të vijonte në shekuj, nën mbrojtjen e Selisë Apostolike. Por s’qe e thënë, as këtë herë e as më vonë, shumë më vonë, në kohën kur ne po gërmojmë në karta të vjetra, për të vërtetuar se deri më sot nuk ka pasur asnjë kardinal shqiptar, veç atij që u krijua nga Gjon Pali II.
Por të rikthehemi te Piu II, që e lamë dy hapa larg Shqipërisë e te Kryeipeshkvia e Durrësit, dy hapa larg shpalljes seli kardinalore. Dy hapat mbetën dy hapa, e s’u bë kurrë një hap i tretë e i vërtetë. Papa vdiq në Ankonë, Shqipëria mbeti pa kremtime, Skënderbeu pa kurorë e Pali pa petkat e kardinalit, të kuqe, si gjaku që derdhej rrëke rreth tij, në ndeshjen për jetë a vdekje ndërmjet Kryqit e Gjysëmhënës.
Këto, e të dhëna të tjera, për Kryeipeshkvin e Durrësit mund t’i lexojmë në Veprën e njohur “Illyricum Sacrum” 2 e histori të tjera të epokës.
Kanë kaluar më se pesë shekuj nga vdekja e Pal Ejëllit, të cilit nuk ia dimë as varrin, si shumë klerikëve të tjerë në rrjedhë të stuhive, që u dyndën mbi Shqipërinë në shekuj. Por emri i tij nuk zbriti në varr bashkë me trupin. Mbeti i skalitur në thellësitë e kujtesës së Kombit, sepse autor i dokumentit të parë të shqipes së shkruar, që njohim deri më sot, asaj Formule Pagëzimi, të cilën e kujtuam në krye të këtij shkrimi.
Pikërisht “Formula e Pagëzimit në kontekstin e vet fetar e kombëtar” e titullon studiuesi Kolec Çefa, shkrimin kushtuar imzot Pal Engjëllit. E në të, duke u bazuar tek Barleti e histori të tjera të Skënderbeut, arrin tek pohimi: “Kështu, Kardinali i parë shqiptar âsht Pal Engjëlli, kardinali II është Mons. Mikel Koliqi.”3
Do kujtuar se studiuesi serioz, kur i duhet të gërmojë në thellësitë e kohës, për t’i mbështetur mirë pohimet e kësaj natyre, kërkon, mundësisht, burime të dorës së parë. Në rastin tonë, burime kësisoji janë, pa dyshim, Arkivi Sekret i Vatikanit e arkiva të tjera të çmuara, në mbarë Evropën, ku u gjetën e vijojnë të gjinden, thesaret më të lashta të gjuhës e të kulturës shqipe. Martin Camaj, që gërmoi gjatë në Bibliotekën dhe në Arkivin Sekret të Vatikanit, në sa merrte në dorë një libër tejet të çmuar për kulturën e popullit të vet, shkruan: “Po deshte me hy në misterin e tij/ si çdo enigme në fillim lëshoji/ vetëm një sý e mandej të dy... /Ky libër lëkure i përngjet një populli/ i cili nuk qet asgjâ në harresë”.4 Na fton, pra studiuesi t’i hapim mirë të dy sytë, kur shkelim në këto arkiva. Por me që shfrytëzimi i tyre kërkon shumë djersë e shpenzime, nuk mund të harrojmë se në to shkelën shumë të tjerë para nesh, të cilët i studiuan deri në shterrim, duke krijuar, mbi këtë bazë, vepra të njohura botërisht, që i bënë ballë kohës. Një vepër e tillë është, pa dyshim, “Storia dei Papi, dalla fine del Medio Evo”5, shkruar nga Ludovico Barone von Pastor, në të cilën mund të gjejmë të gjitha hollësitë për papninë e Piut II dhe të të gjithë papëve, duke nisur nga fundi i Mesjetës. E shfletojmë, pra, këtë histori. Mësojmë prej saj se, kur vendosi të organizojë kryqëzatën kundër turqve, më 1463 “Piu II nuk vonoi të thërriste në ndihmë edhe Skënderbeun, emri i të cilit mjaftonte për t’i mbushur me tmerr turqit; ndërsa portet e kështjellat e tij, të vendosura përballë Italisë, favorizonin zbarkimin e Latinëve. Në të vërtetë, Skënderbeu sapo kishte nënshkruar paqen me turqit, por Venediku dhe Papa e nxitën heroin shqiptar të mos rrinte duarkryq përballë luftës, që po niste Perëndimi. Pas kësaj, Skënderbeu rifilloi armiqësinë kundër turqve, pa u shpallur luftë”.6 Më pas, për rolin e Shqipërisë në kryqëzatën, që urohej të niste sa më shpejt, shkruhet: “ ... Për t’u dëshmuar fiorentinëve se jo të gjitha fitoret do t’u përkisnin venecianëve, Papa shpjegoi planin, hartuar prej tij, për rindarjen e Turqisë, i pari ndër planet e shumta të këtij lloji. Venedikasve do t’u njihej Peleponezi, Beocia, Atika dhe qytetet bregdetare të Epirit; Skënderbeut, Maqedonia...”.7 Po nga kjo vepër madhore mësojmë se asokohe Kolegji i Kardinajve përbëhej nga 25 anëtarë. Ndërmjet tyre 8 gjejmë të gjithë emrat e kardinajve, krijuar nga Piu II. Janë: Ludovicus de Albret, Jacobus Ammanati, Angelus de Capranica, Jacobus Cardona, Bernardus Eroli, Nicolaus Forteguerri, Joannes Gaufridi (Jouffroi), Franciscus Gonzaga, Alexander Oliva de Saxoferrato, Franciscus de’Todeschini Piccolomini (Papa i ardhshëm Piu III), Bartholomaeus Roverella dhe Burcardus Weissbriach. Lista pasurohet me një bibliografi jashtëzakonisht të pasur, që i hap simbolikisht studiuesit portat e një morie arkivash e bibliotekash, posë atyre të Vatikanit. Emri i Pal Ejëllit nuk figuron ndërmjet kardinajve.
Dihet me siguri se i shërbeu shumë Shqipërisë si kryeipeshkëv i Durrësit, por veprimtaria e tij njihet pak, sepse koha e mbuloi me pluhurin e vet. Dihet edhe se mbas 1463-shit emri i tij nuk figuron më as si ipeshkëv i Durrësit.
Këtë, e shumë hollësira të tjera, vijon të na i tregojë ‘Illiricum Sacrum’ për Pal Ejëllin e kohën e tij.
Na u desh t’i shfletonim librat e rrallë, duke u ndaluar te Kisha e Durrësit, në vitin 1994, kur në Romë u krijua kardinali i parë shqiptar, Mikel Koliqi, i shuguruar ipeshkëv në rrethana krejt të jashtëzakonshme. E u fol, që asokohe, se Mikel Koliqi nuk ishte i pari kardinal shqiptar, mbasi i paska paraprirë në një rang kaq të lartë, Pal Engjëlli (kështu shkruhet sot emëri i tij, ndonëse i përveçëm).
E nisëm këtë shkrim modest, të shtyrë nga një pohim i studiuesit Kolec Çefa: “Pal Engjëlli është kardinali i parë shqiptar”, e, për fat të keq, po na duhet ta përfundojmë me një mohim: “Imzot Pal Engjëlli nuk është kardinali i parë shqiptar”. E nuk është e mundur që Selia Apostolike të ketë harruar ta shënojë emrin e tij në listën e gjatë, ku ruhen gjithë emrat e kardinajve, krijuar në shekuj, ndonëse shpesh në mëshirën e pluhurit të pashmangshëm të kohës.
Prandaj i shkruam këto rreshta. Për ta shkundur sadopak këtë pluhur e për të nxjerrë rishtas në dritë ngjarje e emra, pohime e mohime, që sigurisht, nuk mund të përmbyllen në asnjë shkrim, madje, në asnjë libër historie, sepse historia mbetet gjithnjë libër i pakryer.
____
1Cfr. Aleksander Meksi, Vendndodhja e “Monasterium Sancte Trinitatis de Emanthia...”; Hylli i Dritës, 2-2011, vjeti XXXI, Shkoder, fq 33
2 ‘Illyricum Sacrum’ (“Organizimi Kishtar i Ilirisë”, ose “Historia kishtare e Ilirisë”); Kisha e Durrësit”; fq 372-373.
Kujtoj se vepra, botuar në vitin 1817, ka tetë vëllime, që përshkruajnë historinë e Kishës katolike në Iliri. Vëllimi VII (638 faqe, përkthyer shqip nga Dom Frano Illia, mbetur në dorëshkrim) e VIII merren me bregdetin adriatik dhe me trojet ku shtrihet Kosova.
3 Kolec Çefa “Formula e Pagëzimit në kontekstin e vet fetar e kombëtar”; Kur e vërteta flet ndryshe”, Pakti, 2010, fq 39.
4 Martin Camaj, Palimpsest, Munich and New York, 1991, faq fq 8.
5 Ludovico Barone von Pastor, Storia dei Papi, dalla fine del Medio Evo, compilata col sussidio dell’ Archivio segreto pontificio e di molti altri Archivi; Nuova ristampa della quarta edizione, vol II, Libro I, Desclée & C. Editori Pontifici, 1961, fq. 1-276. Kujtojmë se në Shkodër gjinden së paku tri kopje të veprës së von Pastor, njëra nga të cilat, me siguri, në Bibliotekën Françeskane.
6 Pastor II, 236
7 Pastor II, 2398 Pastor II, 192-276