መታወቂያ ገጽ > Kisha > 2010-02-03 12:30:03
A+A-print this page

Sot me 3 shkurt kalendari Kishtar përkujton Shëna Vlashin, ipeshkëv i martir Sebastes.


(03.2.2010 RV)Shën Vlashi, mrekullbërës, ipeshkëv i Sebastes, Pajtor i Raguzës, që kremtohet edhe në Sicili me Festën e bukëve, e jo më pak në krahinën e Kurbinit, sidomos në Laç ku, pikërisht nën Shenjtnoren e Shëna Ndout, ruhet edhe sot e kësaj dite shpella në të cilën thuhet se qe fshehur Shenjti gjatë persekutimeve fetare kundër të krishterëve nën Dioklecianin perandor. Aty edhe u kap e iu dorëzua gjyqit, si bari i të krishterëve e kundërshtar i Perandorit.
Pas shumë mundimesh që iu bënë, me qëllim që ta shtrëngonin të mohonte fenë, iu pre koka, me urdhër të Agrikolaut, sundimtar i Kapadoçies, më 3 shkurt të vitit 316 pas Krishtit
Është shkruar shumë për Shëna Vlashin e për vendlindjen e tij. Atë Shtjefën Gjeçovi e, pas tij, edhe studiues të tjerë, si Atë Vinçenc Malaj, kanë sjellë argumente për të vërtetuar se Shenjti nuk ka lindur në Armeni - siç besohet, por në Arbëni e se emri i vendlindjes është i shkruar gabim. Shumë të dhëna vërtetojnë se Shëna Vlashi, në mos ka lindur, sigurisht ka jetuar në trevat e Shqipërisë së sotme.
Për nder të Shëna Vlashit janë ngritur një sërë Kishash kudo në botë, e edhe në Romë, ku në Kishën e Shenjtit në Campo di Marzo sot u kremtua festa liturgjike e tij. Kisha e toponime me emrin e Shëna Vlashit gjejmë edhe sot e kësaj dite në vise të ndryshme të Shqipërisë, duke filluar nga shpella e Shëna Vlashit në Laç tek Kisha e Shna Vlashit në Durrës, e emërtime të tjera. Shenjti është shumë i nderuar edhe në Kosovë.
Kujtojmë se besimtarët i luten Shëna Vlashit, posaçërisht për shërimin nga sëmundjet e grykës, sepsč, sipas traditës, ndërmjet shumë mrekullive që bëri, shëroi edhe një fëmijë të vogël, të cilit i kishte ngecur në fyt një halë, që po ia merrte frymën.
Prandaj gjatë meshëve të sotme, të gjithë të pranishmit ndër kremtime, bënë edhe kryqin nën fyt, me dy qirinj të lidhur në formë iksi e të bekuar për këtë rast, shoqëruar me lutjen: "Me ndërmjetësinë e Shëna Vlashit, Ipeshkëv e Martir, Zoti të ruajtët nga sëmundjet e grykës e nga çdo ligështi trupore e shpirtërore".
******
Vlashi jetoi rreth shek. 2/3 pas Krishtit (në Sebaste – Turqi). Ishte me profesin mjek. Sipas legjendës qe përndjekur për shkak të Krishtit dhe hedhur në një shpellë rrethuar me luaj, tigra dhe kafshë të egra. Shpendët vinin dhe i sillnin ushqim. Ai i bekonte kafshët dhe i shëronte plagët e tyre. Një grua e varfër, së cilës i kishte ndihmuar nëpërmjet lutjeve, bëri betimin, që për çdo vit në emër të Shën Vlashit ta ndizte një qiri në përkujtim të tij.
Një ditë Vlashit i ishte shfaqur Jezu Krishti, duke i thënë se i ka ardhë koha e martirizimit. U burgos dhe u hodh në burg për shkak se nuk dëshiroi t`i adhuronte idhujt. Në burg duhet të ketë shpëtuar një djalosh, të cilit i kishte mbetë një halë peshku në fyt. Me lutjen e tij e shpëtoi nga ngulfatja. Guvernatori i egërsuar bëri që me krehës leshi t`ia shqyenin lëkurën. Shtatë gra ia mblodhën gjakun. Edhe këto u burogsen dhe me krehër qenë munduar. Kur e hapën furrën e ndezur për t`i hedhur, ajo u fik. Ua prenë kryet. Vlashi qe hedhur me dy të tjerë në një pellg. Ai bëri shenjën e kryqit mbi ujë, ku u duk Jezu Krishti, dhe këmbë pa u lagur kapërcyen. Por paganët, u fundosen. Para ekzekutimit shën Vlashi u lut, që të gjithë ata që e kanë ndonjë të keqe në fyt apo përndryshe ndonjë sëmundje të rëndë të pashërueshme, t`u dëgjohet lutja, nëse do t`i luteshin në emër të tij për shërim. Atij dhe dy shokëve të tij u qenë prerë kokat.

Reliket e Vlashit ndodhen në vendet Shën Blasien, Paris dhe Dubrovnik. Prej shek. 16 ka filluar në popull të lutet ndërmjetësia e këtij shenjti duke e përkujtuar ndihmën që i dha djaloshit duke e shpëtuar nga ngulfatja. Në bekimin e fytit dy qirinj të bekuar mbahen të kryqëzuar pranë fytit, për të ndihmuar te dhimbjet e fytit, ngulfatja apo sëmundje të tjera të fytit. Fjalët e bekimit janë: “Me ndërmjetësinë e Shën Vlashit (ipeshkëv dhe martir), të rujat Zoti prej sëmundjes së fytit dhe çdo së keqeje. Në emër të Atit...” Është adet i lashtë, që me 3 shkurt “të bekohet fyti” (ekziston edhe emri “Bekojsat”), dhe është praktikuar me shekuj; Februar (shkurti) është muaji, të cilit edhe romakët e vjetër ia dhanë emrin “Februarius”, “muaji i etheve”.
Bekimet quhen edhe sakramentale, të cilat nuk bëjnë pjesë në shtatë sakramentet. Bekimet janë shenja të shenjta me të cilat, në njëfarë mënyre si sakramentet, shenjohen dhe sipas ndërmjetësisë së Kishës me to arrihen efekte veçanërisht shpirtërore.
Fjala “bekim” shpreh fuqinë hyjnore të jetës, që shëron, shpëton jetën. Rëndom bëhet me shtrirjen e duarve duke lutur lutjen përkatëse. Për njeriun besimtar çdo krijesë është bekim i Zotit në Krishtin Jezus, në të cilin Zoti dhuron dhuratat e tija. “Sepse gjithçka Hyji krijoi është e mirë dhe asgjë s’është për t’u përçmuar, nëse merret me falënderim, sepse e shenjtëron fjala e Hyjit dhe lutja. (1 Tim 4,5). Duke e ditur që mbarë krijesa gjëmon dhe vuan në dhimbjet e lindjes deri tani (Rom 8,22), falënderimi ndaj Krijuesit në bashkësinë e krishterë përmbanë gjithnjë edhe lutjen (në disa raste edhe në forme eksorcizmi) për të ardhur dhe vendosur mbretëria shpëtuese e Zotit në Jezu Krishtin. Prandaj edhe bekimet qysh prej kohëve të lashta më mirë lidheshin me euharisti dhe aty jepeshin.
Kështu njeriu duke e lavdëruar Zotin, duke e bekuar për gjërat e krijuara bëhet “bekim”, i shenjtë, që shpie në një lidhje të gjallë me Zotin. Në mënyrë të veçantë besimtari e përjeton dhuratën e Zotit si bekim në shërbesën hyjnore (në meshë), në kumtimin e Fjalës dhe në kremtimin e sakramenteve. Për këtë arsye në përfundim të meshës e merr në formë të shenjës bekimin e ndarë nga prifti (apo ipeshkvi), duke e thirrë fuqinë e Zotit në Emër të Atit e të Birit e të Shpirtit Shenjt.
Kisha shenjte disa i ka themeluar dhe ajo mund të themelojë bekime të reja dhe ajo i interpreton ato. Disa prej tyre mund t`i heq apo t`i ndryshojë.Rëndom ndarësi (dhënësi) i bekimeve është kleriku që e ka pushtetin e nevojshëm, por disa bekime mund t`i bëjë edhe laiku, besimtarët që kanë veti të përshtatshme. Shugurimet dhe bekimet kushtimore (bekimi i gurthemelit të kishës...) mund ta bëjnë ata që kanë vulën ipeshkvore, por edhe prezbiterët (meshtarët) që i u është dhënë e drejta me të drejtë apo me leje kanonike.
Çdo prift mund të ndajë apo të japë bekime. Po ashtu edhe djakoni, ato bekime që i lejohen ekskluzivisht sipas të drejtës kishtare. Mirëpo, shumë bekime nuk janë të lidhura ngushtë me shërbesën zyrtare të Kishës. Kështu që edhe laikët japin bekime (prindërit i bekojnë fëmijët e tyre).
Bekimet i kanë rrënjët në sakramente, prandaj edhe bëhen me shenjën e kryqit. Pjesërisht i përgatisin besimtarët për një kremtim të frytshëm të sakramenteve dhe në këtë mënyrë e bëjnë të qartë, që sakramentet nuk janë veprime magjike, që automatikisht veprojnë, por që ato janë të frytshme vetëm nëse mund të marren prej njeriut besimtar dhe të përgatitur. Bekimet mund të thuhet se janë rrezatim i sakramenteve që e zgjasin fuqinë e tyre në jetën e përditshme. Kështu kemi bekimin e bukës, frutave, lutjen para dhe pas buke...
Kjo shumëllojshmëri e bekimeve domethënë që shenjtërimi me Jezu Krishtin nuk është i kufizuar vetëm në veprimet në meshë, por gjithë thelbi i tij depërton dhe shenjtëron të gjitha sendet (edhe jashtë kishe). Kështu bekimet apo sakramentalet janë shenja të prezencës së Zotit në botën konkrete.
Meqenëse Zotit i japim lavdi në të gjitha sendet, sepse ato paraqesin shenjtërinë dhe dashurinë e tij në veprën e krijimit dhe shenjtërimit, Zoti mund dhe duhet të nderohet edhe në shenjtërit e tij, në ata që ai i ka shuguruar, bekuar, shenjtëruar dhe që krejtësisht i janë kushtuar shërbesës së lavdisë së Hyjit. Në ta me ndriçim të pashterrshëm reflektohet dhe shkëlqen lavdia e Hyjit.
Kisha i ka vendosur përkujtimet e martirëve dhe shenjtërve të tjerë të cilët hiri shenjtërues i Zotit i ka lartësuar deri në përsosmëri, kështu që e kanë arritë shëlbimin e amshuar, dhe në qiell e këndojnë lavdinë e përsosur Zotit dhe ndërmjetësojnë për ne.
Besimtarëve ju paraqiten shembujt e tyre, që nëpër Krishtin të gjithë i tërheqin kah Ati, dhe me meritat e tyre lutet dhe i arrinë mirësitë e Zotit.
Kisha prej fillimt të saj me respekte të mëdha e ka nderuar përkujtimin e të vdekurve. Sidomos për martirët kisha ka besuar gjithmonë se ata janë ngushtë të lidhur me Krishtin prandaj ka kërkuar ndihmën e ndërmjetësisë së tyre. Martirëve i janë bashkangjitur shpejt edhe ata që me zell e ndoqën virgjërinë dhe varfërinë e Jezu Krishtit.
Kisha pikërisht nëpërmjet shenjtërve dhe në jetën e tyre dëshiron të na tregoj se në ta – edhepse pjesëtarë të natyrës sonë njerëzore – Hyji u ka treguar gjallë njerëzve praninë e tij dhe fytyrën e tij. Megjithatë, përkujtimin e shenjtërve nuk e nderojmë vetëm për shkak të shembullit, por edhe më tepër për arsye që bashkimi i Kishës në Shpirtin Shenjt të forcohet me kryerjen e dashurisë vëllazërore, kështu që na nxitë që përvujtërisht t`i thërrasim dhe që të kërkojmë lutjet e tyre dhe ndihmën e tyre të fortë, që prej Zotit të na vijnë mirësitë nëpër Birin e tij Jezu Krishtin, Zotin tonë, i cili është i vetmi Shpërblyes dhe Shpëtimtar i ynë.



Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
All the contents on this site are copyrighted ©. Webmaster / Credits / Kushtet ligjore / Reklama