2018-05-24 12:22:00

Çelësi i fjalëve të Kishës: Libri i dytë i Samuelit


Libri i dytë i Samuelit është argumenti i emisionit të sotëm, për të cilin, si në gjithë këtë cikël kushtuar Shkrimit Shenjt, i referohemi meshtarit italian, Federico Tartaglia dhe vëllimit të tij, “Është ora e leximit të Biblës”. Si për protagonistin e tij të padiskutueshëm, mbretin David, ashtu edhe për ritmin e tregimit e për skenat e përshkruara, kur lexon këtë libër të duket sikur të kalojnë para syve pamjet e një filmi.

Davidi, figurë kyçe e Izraelit

         Davidi mbret është figura kyçe e historisë së Izraelit. Pas tij, populli izraelit nuk do të ketë më personazhe po aq të rëndësishme e do të jetojë duke e kujtuar mbretin e dikurshëm, në pritje të një Davidi tjetër, të Mesisë. Prandaj, teksti duhet lexuar për ta njohur historinë e këtij djaloshi, kuqalash, me sy e pamje të bukur, që me ndërmarrjet e tij ushtarake do të ngrejë një mbretëri, forca e së cilës nuk do të tejkalohet kurrë.

         Davidi përshkruhet pa doreza: i fortë dhe i vendosur kur lufton kundër armiqve; i dobët dhe i përvuajtur kur ka të bëjë me gratë e veta, me të bijtë e me mëkatet. Por, si gjithnjë në një libër biblik, të mahnisin marrëdhëniet e tij me Zotin. Një Zot, që i jep këshilla për beteja e strategji, një Zot që e dënon e nga i cili ka frikë, një Zot, që e bën të qajë me lot të hidhur e me thesin me hi mbi krye, por edhe të kërcejë, i paveshur, nga gëzimi.

Davidi mbret, i madh por edhe i dobët

         Davidi pra, komandon, por edhe ikën; ka krenarinë e fitimtarit, por edhe përvujtërinë e bariut, të të penduarit plot trishtim, që pranon poshtërime e mallkime. E megjithatë, mbetet njeri i madh. Nëse Libri i parë i Samuelit kishte në qendër marrëdhëniet dramatike me Saulin e ato vëllazërore me të birin e tij Jonatanin, në Librin e dytë nuk numërohen emrat e gjendjet, në të cilat Davidi lufton me komplotet e oborrit, me hakmarrjet e mllefet, edhe të familjes së vet.

         Libri përbëhet nga 24 kapituj e hapet me surprizën e parë, lirike e mallëngjyese njëkohësisht. Sauli kishte vdekur e Davidi, në vend që të ngazëllehet për vdekjen e atij, që ishte munduar ta vriste me çdo mënyrë, vajton me fjalë kaq të ngarkuara me mallëngjim e dhimbje, sa s’mund të mos prekë telat e bukurisë shpirtërore e të humanitetit më të thellë. Në kapitullin 5, pas luftrash e aleancash, Davidi bëhet mbret e merr në dorë Jeruzalemin: fakt vendimtar në jetën e tij dhe të Izraelit.

Marrëdhëniet e Davidit me Zotin

         Kapitulli 6 na paraqet një pamje të jashtëzakonshme. Davidi urdhëron të hyjë në Jeruzalem arka e Besëlidhjes dhe vallëzon me të gjitha forcat para Zotit. Gruaja e tij, Mikola, kur e sheh, e qorton që kishte kërcyer pothuaj i paveshur para të gjithëve, por Davidi e shpjegon gjestin me këto fjalë: “Unë vallëzoj para Zotit... Do të luaj para Zotit e do të bëhem edhe më i përvuajtur se ç’u bëra”. Është ndoshta, pamja më e fuqishme, që na jep Bibla, për të shprehur dëshirën e madhërimit të Hyut.

         Në kapitullin 7 përshkruhet i pari nga dy dialogët me Natanin profet. Davidi premton se do t’i ndërtojë një tempull Zotit, por përgjigjja e Hyut, përmes gojës së Natanit, i kujton se s’është askush para Zotit, përveçse një bir i tij, që gjithçka e ka fituar me ndihmën e Atit Qiellor, prandaj tempulli do të ndërtohet kur ta vendosë Hyu.

Mëkati i thyerjes së kurorës

         Në kapitullin 11 hasim mëkatin e famshëm të shkeljes së kurorës nga ana e Davidit, që e tradhton të shoqen me Betsabenë. Mëkat i dyfishtë, sepse për ta marrë për vete Betsabenë, Davidi orkestron një plan për t’ia vrarë të shoqin, Urin, në betejë, ndërsa Betsabea pret fëmijë nga mbreti. Pikërisht kur Davidi mendon se ia hodhi dhe e merr Betsabenë në shtëpinë e vet, duket Natani profet, që tregon një histori, në dukje të patëkeq. Një bari e donte shumë qingjin e vet të dashur dhe një i pasur, për të kënaqur të ftuarit e vet, vret pikërisht atë qingj të bariut të shkretë, pavarësisht se kishte mijëra sish. “Ti je ai njeri!” e akuzon Natani Davidin, në një nga çastet më impresionuese të librit.

Pjesa e dytë e Librit: mbreti nuk gëzohet për vdekjen e armiqve

         Jo më pak dramatike është pjesa e dytë e këtij Libri të Samuelit, ku mbreti i Izraelit duhet të përballojë të bijtë, Amnonin, i cili përdhunon motrën e vëllait të vet nga njerka, Absalomit. Pastaj vjen hakmarrja e këtij të fundit, që fillimisht, vret Amnonin e pastaj rebelohet edhe kundër të atit, por kur Absalomi vritet nga ushtarët, Davidi nuk gëzohet e vajton, duke e kthyer fitoren në disfatë.

         Edhe këtu, mbreti i aftë të mëkatojë rëndë, nuk gëzohet për fatkeqësinë e armiqve të vet e madje, i fal e tregon mirëkuptim në emër të Zotit. Kështu ndodh edhe herë të tjera. Si mund të mos e duash një mbret të tillë? Si mund të mos e admirosh mënyrën me të cilën teksti biblik përshkruan humanitetin dhe fenë e këtij mbreti?

Si interpretohet Bibla

         Diçka tjetër, shumë e rëndësishme për ta kuptuar Biblën. Libri i dytë i Samuelit përfundon me një mëkat të ri të Davidit mbret, i cili jep urdhër të regjistrohet popullsia. Në kapitullin 24 lexohet: “Zemërimi i Zotit u ndez edhe një herë kundër Izraelit. E nxiti Davidin kundër popullit duke i thënë: “Shko e numëroje Izraelin e Judën”. Në Librin e parë të Kronikave, në kapitullin 21, për të njëjtin veprim, gjejmë këtë interpretim: “Satani u ngrit kundër Izraelit dhe e nxiti Davidin ta numërojë Izraelin”.

         Pyetja normale, që të vjen ndërmend menjëherë është: kush e shtyu, Zoti apo Satani? Pyetja është e gabuar. Dy gjëra mund të thuhen për Biblën:

- Së pari, Bibla nuk i shpik faktet, që tregon.
- Së dyti, Bibla është interpretim i vazhdueshëm i fakteve të treguara sipas fesë së popullit e sipas frymëzimit të Zotit. Prandaj, interpretimi i dytë e shpjegon të parin.








All the contents on this site are copyrighted ©.