2018-05-24 14:42:00

Zoja e Sheshanit. Papa: në lutje me katolikët e Kinës


Papa Françesku sot  pohoi, në një tweet, afërsinë dhe lutjen e tij për besimtarët katolikë të Kinës, që festojnë Pajtoren e nderuar në Shenjtëroren e Sheshanit, pranë Shangait: “Sot bashkohemi në lutje me vëllezërit katolikë në Kinë, me rastin e festës së  Zojës Ndihma e të krishterëve të Sheshanit”.

Me këtë tweet, Papa Françesku shkoi me mend e me lutje, sot, 24 maj,  ndërmjet besimtarëve katolikë kinezë, në ditën e njërit nga kremtimet e tyre më të dashura, ai i Zojës së Sheshanit, që ruhet në Bazilikën e shekullit XIX, ngritur në majë të një kodre, pranë Shangait. Është shenjtërore kombëtare e, prej këndej, edhe cak shtegtimesh për mijëra njerëz.

Virgjëra e dashur dhe e nderuar

Është Virgjëra më e dashur e më e nderuar nga katolikët në Kinë, posaçërisht gjatë majit. E është edhe Pajtore  e vendit. Për të, siç tregon atë Paolo Kong, koordinator kombëtar i baritorisë së katolikëve kinezë në Itali, thuhet se u duk disa herë, posaçërisht në kohët më të errëta  të luftës së shekullit  të kaluar, kur të krishterët kishin aq shumë nevojë për mbrojtjen e saj. Në vitin 2008, Papa Benedikti XVI pati shkruar një lutje kushtuar Zojës së Sheshanit, duke ia besuar fatet e Kishës në Kinë gjithnjë Asaj, ndërsa një vit më parë, ia pati besuar Kinën katolike përmes një Letre,  duke kërkuar që festa e 24 majit  të bëhej, në të gjithë botën, ditë bashkimi e lutjeje për Kishën në Kinë.

Që asokohe kanë kaluar dhjetë vjet - kujton akoma atë Kong - e në  këtë ditë kremtohen meshë e lutje në të gjitha bashkësitë katolike të kinezëve, kudo jetojnë e punojnë. E edhe Papa Françesku e kujton gjithnjë këtë festë, duke i kërkuar Marisë, që në figurën e Saj të Sheshanit e rrok të Birin e ia tregon botës – forcën e dëshmisë për besimtarët kinezë.








All the contents on this site are copyrighted ©.