2018-05-24 14:07:00

Reliket e shën Gjonit XXIII lanë Vatikanin drejt Bergamos


Filloi sot, në agun e ditës e në heshtjen e Bazilikës së Shën Pjetrit, udhëtimi i urnës, që mban reliket e shën Gjonit XXIII, drejt Bergamos – dioqezë në të cilën Papa Roncalli shërbeu për 40 vjetët e parë të meshtarisë – e drejt Sotto il Monte, ku lindi më 25 nëntor 1881. Tema e këtij shtegtimi të jashtëzakonshëm është marrë nga një frazë e shenjtit, që kthehet ndër njerëzit e e vet në 60-vjetorin e zgjedhjes në fronin e papnisë: “Fillohet nga toka ku jam lindur e pastaj, vazhdohet deri në qiell”.

Shtegtim i gjatë

         18 ditë shtegtimi, një ngjarje e jashtëzakonshme, – dhuratë e Papës Françesku – e cila ka pasur një precedent në pranverën e vitit 1959, kur pikërisht Papa Roncalli autorizoi nisjen e relikeve të Shën Piut X drejt Venedikut. Kësaj radhe, sot në mëngjes, u nisën reliket e shën Gjonit XXIII, në praninë e kardinalit Angelo Comastri, kryeprift i Bazilikës së Shën Pjetrit, vendi në të cilin urna u zhvendos nga Kripta e Vatikanit, në vitin 2001, pas lumnimit.

“Shtëpia ime ishte plot me Zotin”

         Në ceremoninë e përshëndetjes, kardinali Comastri kujtoi dashurinë e Gjonit XXIII për vendlindjen, ku “thithi ajrin e fesë, përmes shembullit të bukur të prindërve”. “Sot – tha kardinali – shën Gjoni XXIII bën shtegtimin e mirënjohjes e të bekimit për tokën ku u lind, ku u bë i krishterë e ku dëgjoi thirrjen për meshtari”. Në lutjen e rastit, prelati vuri në dukje parfumin e Zotit, që e rrethonte Papën Roncalli, shpresën që u përpoq të përhapte, duke i ndihmuar njerëzit të jenë “mjete paqeje në shtëpi e në rrugë”.

Mbërritja, pasdite në Bergamo

         Ky “Peregrinatio” me disa etapa, do t’u japë mundësinë besimtarëve të përjetojnë çaste lutjeje e nderimi, duke filluar nga ora 15.30 e pasdites së sotme, kur reliket u pritën në qendër të Bergamos nga institucionet dhe qytetarët. Së pari, u ndalën në burgun e qytetit, për të kujtuar vizitën e Gjonit XXIII për të burgosurit e Regina Coeli-t në Romë. Pastaj, mbërritja  në seminar e në orën 21, urna pritet solemnisht në katedrale për mbrëmësoren e lutjes.








All the contents on this site are copyrighted ©.