Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Rubrika \ Liturgjia

Liturgjia e Fjalës së Zotit e festës së TRINISE SHENJTE

santissima trinità - RV

24/05/2018 11:25

Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të dielës, që kësaj radhe përkon me festën e Trinisë Shenjte. Pas festës së Rrëshajëve, që kremtuan të dielën e kaluar, me të cilën u mbyll cikli i kohës së Pashkëve, Kisha, me këtë të diele, fillon ciklin tjetër kohor të quajtur “Gjatë Vitit” dhe na propozon me njëherë festën më të Madhe e më të mistershme të fesë sonë të krishterë: festën e Trinisë Shenjte Hyjnore. 

Zoti nuk është vetmi e pafund, por bashkim drite e dashurie: këtë nënvizon liturgjia e Fjalës së Zotit e këtij solemniteti. Është jetë e dhuruar dhe e marrë në një dialog të amshuar ndërmjet Atit e Birit, në Shpirtin Shenjt – i Dashuruar, i Dashur e Dashuri, siç shprehet Shën Agostini.

Ndërmjet analogjive të misterit të Njënisë e të Trinisë së Tënzot, vlen të ndalemi në mënyrë të veçantë tek familja e cila, është e thirrur të jetë bashkësi dashurie e jete.  Besimtarët mund të krijojnë, në se mund të shprehemi kështu, marrëdhënie të ngushta me vetë Zotin, duke zbuluar se Ai nuk është vetmi e pafundme, por bashkim drite e dashurie. Është jetë e dhuruar dhe e marrë në një dialog të amshuar ndërmjet Atit e Birit, në Shpirtin Shenjt – i Dashuruar, i Dashur e Dashuri, siç shprehet Shën Agostini. Në këtë botë, askush nuk mund ta shohë Zotin, por Ai vetë na ka bërë ta njohim në atë mënyrë, sa që bashku me Shën Gjonin Apostull, mund të pohojmë: “Zoti është dashuri!”.

Kush e takon Krishtin dhe bëhet mik me të, krijon në shpirtin e vet miqësi me vetë Bashkimin e Trinisë, sipas premtimit që Jezusi u pati bërë apostujve: “Në se ndokush më do, ai do të ma mbajë fjalën, Ati im do ta dojë, tek ai do të vijmë e tek ai do të banojmë”. Atij që beson, mbarë gjithësia i flet për Njëninë dhe Trininë e Hyjit. Nga hapësirat ndëryjore e deri tek grimcat më mikroskopike, gjithçka që ekziston të shpie drejt një Qenieje që komunikohet në shumëllojshmërinë dhe larminë e elementeve, si në një simfoni të pafundme. Është një dinamizëm i harmonishëm që analogjikisht mund ta thërrasim “dashuri”. Megjithëkëtë, vetëm tek njeriu i lirë dhe i arsyeshëm, ky dinamizëm bëhet shpirtëror, bëhet dashuri plot përgjegjësi, si përgjigje që i jepet Hyjit e të afërmit në një dhurim të sinqertë të vetvetes.

Në këtë dashuri qenia njerëzore gjen të vërtetën e lumturinë. Ndërmjet analogjive të ndryshme të misterit të pagabueshëm të Njënisë e Trinisë së Hyjit, që besimtarët janë në gjendje ta parandjenjë, duam të kujtojmë atë të familjes. Ajo është e thirrur të jetë bashkësi e dashurisë dhe e jetës, në të cilën ndryshimet duhet të bashkërendohen për të formuar një parabolë bashkimi.

Kryevepër e të Shenjtnueshmes Trini, ndërmjet të gjitha krijesave – na kujton Kisha – është Virgjëra Mari: në zemrën e saj të përvuajtur, plot me fe, Zoti përgatiti një banesë të denjë, për të përmbushur misterin e shëlbimit. Dashuria hyjnore gjeti në të përkim të përkryer e në kraharorin e saj Biri i vetëm i Hyjit u bë njeri. Prandaj, me besim bijnor, t’i lutemi Virgjërës Mari që të na ndihmojë të ecim gjithnjë në rrugën e dashurisë e ta bëjmë gjithë jetën tonë këngë lavdërimi lartuar Atit përmes Birit në Shpirtin Shenjt. O Zot, Ti je Dashuria, e Vërteta e Jeta. urtia e Zotit, e zbuluar, e dëftuar në Jezusin i tregon njeriut të vërtetën mbi veten dhe rrugën për arritur deri tek Ti. 

                                                  Liturgjia e Fjalës

Leximi i parë (Lp 4, 32-34.39-40)
Zoti është Hyj lart në qiell e poshtë mbi tokë – e tjetër nuk ka!

Lexim prej Librit të Ligjit të përtërirë
Moisiu foli e tha: “Shqyrtoji kohët e lashta që ishin para teje, qysh prej ditës kur Zoti e krijoi njeriun përmbi tokë, shqyrto prej një skaji të rruzullit në tjetrin: A ka ndodhur ndonjë gjë kaq e madhe? A është dëgjuar një gjë e tillë? A ka ndokund ndonjë popull që e ka dëgjuar Hyjin duke folur prej mesit të zjarrit, siç e dëgjove ti dhe të ketë mbetur gjallë? Ose, a ka sprovuar ndonjë herë Hyji të hyjë e të marrë për vete një komb në mes të një populli tjetër: me provë, me shenja e me mrekulli, me luftë, me dorë të fortë, me krah të ngritur e me tmerr të madh, sikurse i bëri të gjitha këto ndër sytë tuaj për ju Zoti, Hyji juaj, në Egjipt?

Mirë, pra, dije sot dhe thadroje thellë në zemrën tënde se Zoti është Hyj lart në qiell e poshtë mbi tokë – e tjetër nuk ka! Mbaji urdhërimet e tija dhe ligjet e tija që unë po t’i jap sot, që të jesh mirë ti dhe bijtë e tu pas teje e të qëndrosh për një kohë të gjatë mbi tokën që Zoti, Hyji yt, ta jep përgjithmonë.” Fjala e Zotit!

Psalmi (33)
Ref: Lum ai popull që i përket Zotit

___________________________

E drejtë është fjala e Zotit,

e të gjitha veprat e tija me besë.

E do drejtësinë e gjyqin,

plot është toka me mirësinë e Zotit.

___________________________

Prej fjalës së Zotit u krijuan qiejt,

prej frymës së gojës së tij çdo trup qiellor.

Si foli, gjithçka u bë,

ai urdhëroi, gjithçka u përftua!

___________________________

Qe, sytë e Zotit janë mbi ata që e druajnë,

mbi ata që shpresojnë në mirësinë e tij:

për t’i shpëtuar nga vdekja

e për t’i ushqyer në kohën e urisë.

___________________________

Shpirti ynë shpreson në Zotin,

ai është ndihma dhe mburoja jonë.

Mirësia jote qoftë mbi ne, o Zot,

sikurse ne shpresojmë në ty.

 

Leximi i dytë (Rom 8, 14-17)

Ju keni marrë Shpirtin që ju bën bij të adoptimit, në saje të cilit ne thërrasim: Abba! O Atë!

Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Romakëve
Vëllezër, bijtë e Hyjit janë ata, të cilët i udhëheq Shpirti i Hyjit. Ju veç nuk e keni marrë shpirtin që bën robër në mënyrë që përsëri të trembeni, por keni marrë Shpirtin që ju bën bij të adoptimit, në saje të cilit ne thërrasim: Abba! O Atë! Vetë Shpirti Shenjt dëshmon bashkë me shpirtin tonë se jemi fëmijët e Hyjit. E nëse jemi fëmijë, atëherë jemi edhe trashëgimtarë, trashëgimtarë të Hyjit e bashkëtrashëgimtarë me Krishtin, sikurse në të vërtetë vuajmë bashkë me Të, që edhe të lavdërohemi bashkë me Të. Fjala e Zotit!

Aleluja!
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt:
Hyjit që është, që ishte dhe që po vjen.
Aleluja!

Ungjilli (Mt 28, 16-20)
Pagëzoni të gjithë popujt në Emër të Atit e të Birit e të Shpirtit Shenjt

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Mateut
Në atë kohë, të njëmbëdhjetë nxënësit shkuan në Galile, në atë mal, ku u kishte urdhëruar Jezusi. Kur e panë, e adhuruan, por disa dyshuan. Jezusi u afrua e u tha: “Më është dhënë çdo pushtet në qiell e në tokë. Prandaj, shkoni e bëni nxënës të mi të gjithë popujt! Pagëzoni në Emër të Atit e të Birit e të Shpirtit Shenjt! Mësoni të zbatojnë gjithçka ju kam urdhëruar! Dhe, ja, unë jam me ju gjithmonë, deri në të sosur të botës!” Fjala e Zotit!

24/05/2018 11:25