2018-05-23 13:25:00

Papa: Thirrje për paqe në Ukrainë. Polakëve, kujdes për krijimin


“E lus vazhdimisht Zotin t’i shërojë plagët e shkaktuara nga lufta dhe t’i dhurojë paqen trojeve të Ukrainës”. E theksoi Papa, duke përshëndetur, gjatë audiencës së sotme të përgjithshme, shtegtarët ukrainas, që morën pjesë në Shtegtimin e 60-të ushtarak ndërkombëtar në Lurdë.

Duke përshëndetur, pak para tyre, shtegtarët polakë, Françesku iu drejtua posaçërisht delegacionit të ndërmarrjeve pyjore, që kishte sjellë me vete, për t’i bekuar, filiza lisash, të cilët do të mbillen pastaj, me rastin e njëqindvjetorit të pavarësisë së Polonisë, “si simbol i angazhimit në favor të mbrojtjes së krijimit”. Është shumë fisnike - pohoi Papa, duke cituar enciklikën e tij “Lëvduar qofsh” - detyra e kujdesit për krijimin me veprimtari të vogla, të përditshme, e është mrekulli që edukata të jetë e aftë  të krijojë stilin e jetës. Edukimi për përgjegjësi ambientale mund të inkurajojë sjellje të ndryshme, që ndikojnë drejtpërdrejt mbi kujdesin për ambientin. “E gjithë kjo është pjesë e frymës krijuese bujare e dinjitoze, që pasqyron ç’ka më të mirë në vetvete, vetë njeriu”.

 








All the contents on this site are copyrighted ©.