2018-05-22 13:45:00

Programi shqip, në portalin e ri të Vatican News


Më në fund, edhe programi i gjuhës shqipe do të hyjë në portalin e ri të Vatican News. Duke filluar nga e enjtja, 24 maj, do të mund të na ndiqni në internet, në portalin www.vaticannews.va, duke klikuar në gjuhën shqipe (AL). Faqja jonë, ashtu si edhe tani, do të jetë e ndarë në katër pjesë, të cilat do t’ju informojnë për Papën, Vatikanin, Kishën nëpër botë me një vëmendje të veçantë për Kishën shqiptare, si edhe për lajmet kryesore nga i gjithë planeti. Në të do të gjeni meshën e Papës në kapelën e Shtëpisë së Shën Martës, lutjen e mesditës çdo të dielë, audiencën e përgjithshme të së mërkurës, rubrikat tona e shumë të tjera. 

Ndryshime edhe në Facebook

Kështu do të ndodhë së shpejti edhe me faqen tonë në Facebook, e cila do të jetë pjesë e faqes sonë të madhe në 40 gjuhë të ndryshme. Do të ndryshojë emri, por jo natyra e lajmeve dhe impenjimi ynë, gjithnjë në shërbim të misionit të Kishës e të Atit të Shenjtë. Nuk ka asnjë ndryshim përsa i përket orarit të transmetimit radiofonik. Mund të na ndiqni gjithnjë përmes Radio Marisë, në orën 21.35, ose përmes “podcast” në faqen tonë të re, kur të dëshironi.








All the contents on this site are copyrighted ©.