2018-05-22 16:52:00

Dioqeza Sapës kujton ipeshkvin imzot Lucjan Avgustini


Dioqeza e Sapës kujton bariun e saj, ipeshkvin imzot Lucjan Avgustini, në përvjetorin e dytë të kalimit në amshim, me një kremtim e përkujtim të veçantë, në krye me pasardhësin e tij në udhëheqje të dioqezës së Sapës, Imzot Simon Kullin. Zëdhënësi i Konferencës Ipeshkëvnore të Shqipërisë, meshtari i Sapës, dom Mark Shtjefni në faqen e tij të FB e kujton me këto fjalë bariun shpirtëror, imzot Lucjan Avgustinin..

““Kush do te na ndaje nga dashuria e Krishtit .... vdekja?”
Te jem mirënjohës për “dhuratat” e shumta te pranuar nga prania jote ma shton bindjen se, edhe pse ne forma te tjera, vazhdon ta na e ushqesh dashurinë dhe ndihmën. Ne këtë përvjetor te dyte, e gëzofsh jetën me Zotin!”

Imzot Lucjan Avgustini qe edhe një ndër bashkëpunëtorët më të çmueshëm i redaksisë shqipe të Radio Vatikanit. Nga arkivi po ju propozojmë një nga intervistat që kemi realizuar me te në raste të ndryshme, ate qe realizuam menjehere pas njoftimit per shenjterimin e Nene Terezes - Ganxhe Gpjaxhiu, ta degjojme ne mikrofonin e dom David Gjugjes.....

Kush ishte ipeshkvi i Sapës, Imzot Lucjan Avgustini?

Imzot Lucjan Avgustini lindi në Ferizaj, të Kosovës, më 23 gusht 1963, prej prindërve Gjini dhe Roza lind, në një familje të madhe të mirë e të bekuar me 10 fëmijë. Pagëzimin e mori po ashtu në Ferizaj, në kishën “Engjëlli Rojës” nga ipeshkvi i atëhershëm i Shkup-Prizrenit, Imzot Smiljan Franjo Čekada, më 5 shtator 1963. Shkollën fillore e kreun në vendlindje, në komunitetin kishtar të “Engjëllit Rojës” Lucjani i vogël ishte ministrat i rregullt, së bashku me Dodë Gjergjin, tani ipeshkvin e Kosovës.

Pas shkollimit tetëvjeçar, së bashku me Dodë Gjergjin u dërguan për seminarin e Suboticës  “Paulinum”, ku përfunduan gjimnazin klasik. Studimet filozofike e teologjike i kreu pranë Fakultetit filozofik – teologjik në Zagreb.

Më 15 gusht 1989 shugurohet meshtar nga ipeshkvi ndihmës i dioqezës së Shkup-Prizrenit, Imzot Nikë Prela, i cili gjatë Meshës së shugurimit tregoi se po e shuguronte për “Shqipërinë martire!”. 

Më 10 shtator 1989 dom Lucjan Avgustini caktohet bashkëpunëtor i shtëpisë botuese “DRITA”, ku  punoi posaçërisht rreth botimeve liturgjike, por edhe  si ndihmës a sekretar personal i ipeshkvit Imzot Nikë Prela. Prifti ri dom Lucjani ishte i zellshëm në misionin e veprimtarinë e tij meshtarake. Shpesh, të dielave e festave ndihmonte famullitarin e fshatit Stubllë, dom Rrok Gjonlleshaj, sot kryeipeshkëv i Tivarit. Qe pra një meshtar plot zell, entuziazëm, dashuri e përzemërsi në misionin ungjillëzues, një prift shembullor.

Pas kontributit të çmueshëm për botimin e “Mesharit Romak”, më (1992), botimit të Biblës së plotë në gjuhën shqipe, botuar për herë të parë nga Kisha katolike (1994), fryte këto të punës e të mendjes së meshtarit të paharrueshëm dom Simon Filipajt, fushëveprimi meshtarak i dom Lucjanit rritej e pasurohej me eksperiencë.

E kështu, ipeshkvi i vendit e emëroi dom Lucjan Avgustinin Drejtor të parë të Caritasit të Kosovës, më vonë, më 15 prill 1993, edhe famullitar të komunitetit kishtar të Ferizajit, ku shërbeu me zell e përkushtim deri në nëntor të vitit 1994.

Në këtë periudhë, fatbardhësisht, Shqipëria tashmë ishte liruar nga regjimi i diktaturës komuniste, pra po bënte hapat e parë në liri e demokraci. Pas persekutimit e vrasjes së pjesës dërmues të klerit, në Kishën shqiptare ndjehej mungesa e klerit, e strukturave kishtare, e kështu Dom Lucjan Avgustini, së bashku me Don Dodë Gjergjin, shprehin dëshirën dhe gatishmërinë për të ndihmuar Kishën katolike në  Shqipëri, me shërbimin e misionin e tyre meshtarak.

Më 27 tetor 1994 dom Lucjan Avgustini u lirua nga detyrat në dioqezës së Shkup-Prizren, për të shërbyer si “Fidei donim” (Dhuratë feje) në kryeipeshkvinë e Shkodrës, nën udhëheqjen e imzot Frano Illisë.

Aty,  së pari qe ndihmës-famullitar, ndërsa më 14 korrik 1995 qe emëruar famullitar i Katedrales “Shën Shtjefni” në Shkodër. Puna e veprimtaria meshtarake e misionare qe e paskajshme, por edhe feja e dashuria që dom Lucjani kishte për besimtarët, njerëzit, Kishën e vendit, bënin që të përballonte çdo vështirësi e sfida të shumta.

Më 24 maj 1997 Papa Shën  Gjon Pali  II e emëroi “Kapelan të tij”, me titullin e nderit – Monsinjor.

Ipeshkvi i Sapës, Imzot Lucjan Augustini, edhe pse i ri në moshë, por me një përvojë meshtarake të fortë,  u emërua nga Papa Benedikti XVI ipeshkëv të Sapës, në Shqipëri, duke zëvendësuar imzot Dodë Gjergjin, i cili qe emëruar ipeshkëv i Kosovës (12 dhjetor 2006).

Imzot Lucjan Avgustini, ishte njeri i Zotit, njeri i uratës, pra i përshpirtshëm, punëtor i palodhur, njeri i përzemërt dhe i thjeshtë, prandaj komunikues me njerëz, besimtarë, qytetarë, përherë i gatshëm për të dëgjuar popullin, këshilluar, udhëzuar, për t’u thënë një fjalë të mirë ngushëllimi e inkurajimi, për t’ua dëshmuar bukurinë e forcën e fesë, begatinë e dashurisë së krishterë. Qe apostull i vërtetë, dëshmitar e predikues i Jezus Krishtit dhe Ungjillit të tij. Për imzot Lucjanin koha ishte dhuratë, hir, pasuri e Zotit për t’u ndarë dhe dhuruar të gjithëve.

Si ta kishte një lloj parandjenje se “koha” po e nxiste, gati gati e ndjekjet e madje e çonte hap pas hapi drejt shtëpisë së Atit Qiellor, në amshimi.

Para një viti, pas një sëmundje të rëndë, imzot Lucjan Avgustini kaloi në amshim, si sot, më 22 maj 2016, në selinë ipeshkëvnore të dioqezës së Sapës, të cilën e drejtoi deri në frymëmarrjen e fundit, duke shërbyer me dashuri e përkushtim sipas lajtmotivit të kamotshëm të klerit shqiptar “Për Fé e Atdhé”!

 

 








All the contents on this site are copyrighted ©.