2018-05-21 13:53:00

Papa. Mesazhi i Ditës misionare: “e keqja të shtyn të duash gjithnjë më shumë”.


“Çdo burrë e çdo grua është mision në vetvete, e kjo edhe arsyeja për të cilën jeton mbi dhe. Të jesh i tërhequr e të jesh i ftuar, janë dy lëvizjet e zemrës sonë, posaçërisht kur je në moshë të re e ndjen sesi forcat e brendshme të dashurisë, që premtojnë ardhmëri, e shtyjnë jetën përpara”. Kështu shkruan Papa në mesazhin për Ditën e 92-të misionare botërore, që do të  kremtohet më 21 tetor 2018.

Në tekst Papa u drejtohet posaçërisht të rinjve. Por duke kujtuar se njëherësh me të rinjtë, u flet edhe të gjithë të krishterëve. Ta jetosh me gëzim përgjegjësinë tënde për botën, është sfidë e madhe. Fakti që gjindemi në këtë botë, jo sepse vendosëm vetë, na bën të kuptojmë se ka një nismë, e cila na paraprin e na bën të ekzistojmë. Në qendër të fjalëve të Papës, misioni i Kishës: “Duke e kumtuar atë, që e more falas, mund të ndash me ju, të rinjtë, udhën dhe të vërtetën, që të çojnë tek kuptimi i të jetuarit mbi këtë tokë. Jezu Krishti, i vdekur dhe i ngjallur për ne, na ofron lirinë tonë e edhe na nxit ta kërkojmë, ta zbulojmë e ta kumtojmë, këtë kuptim të vërtetë e të plotë”. Ta kumtojmë deri në periferitë më të skajshme, ku të rinjtë mund të arrijnë me lehtësi.

Në vijim Françesku u drejton të rinjve ftesën: “Mos kini frikë nga Krishti e nga Kisha e tij. Në ta gjindet thesari, që ta mbush jetën me gëzim”. Pastaj Papa tregon edhe përvojën e vet: “Falë fesë, gjeta themelin e ëndrrave të mia si dhe forcën për t’i realizuar. Pashë shumë vuajtje, shumë varfëri, që i shpërfytyrojnë vëllezër e motra. Por pashë edhe se atë, që ecën përkrah  Jezusit, e keqja e shtyn të dojë gjithnjë më shumë”.  








All the contents on this site are copyrighted ©.