2018-05-21 14:44:00

Papa Françesku: Kisha është grua e nënë, si Maria


 Sot, në përkujtimin e parë të së Lumes Virgjër Mari, Nënë e Kishës, Papa Françesku, duke kremtuar Meshën në kapelën e Shën Martës, kujtoi se virtyti i parë i nënës është dashuria.

“Kisha është e gjinisë femërore” , “është nënë “, e kur i mungon ky tipar kryesor, bëhet “shoqatë bamirësie ose skuadër futbolli”; kur është “kishë mashkullore”, bëhet trishtueshëm “kishë beqarësh pleq”, krejt e paaftë për dashuri, e aq më pak, për pjellori”. Ky, reflektimi i Papës Françesku gjatë Meshës, kremtuar në kapelën e Shtëpisë së  Shën Martës, në festën e sotme të përkujtimit të Marisë, Nënë e Kishës. Zoja me këtë titull kremtohet sivjet për herë të parë, pas botimit - më 3 marsin e kaluar - të dekretit “Ecclesia Mater”, të Kongregatës për kultin hyjnor dhe disiplinën e sakramenteve. Me dëshirën e vetë Papës, festa kremtohet të hënën pas Rrëshajëve, për ta thelluar në zemrat e barinjve, rregulltarëve dhe besimtarëve, ndjenjën amtare të Kishës, ashtu si dhe përshpitërinë e vërtetë mariane.

“Amësia” e Marisë

Në homeli, Papa Bergoglio saktësoi se në Ungjijtë Maria paraqitet gjithnjë si “Nëna e Jezusit”, jo “e shoqja”, as “e veja e Jozefit”: amësia e saj përshkon tej e ndanë gjithë shkrimet e shenjta, nga Lajmërimi e deri në fund të fundit. Veçori, të cilën  e patën kuptuar menjëherë etërit e Kishës e pajë që Zoja ia sjell Kishës:

“Kisha është femërore, sepse është ‘kishë’, ‘nuse’: është femërore. E është nënë, jep dritë. Nuse e nënë. E etërit shkojnë edhe më përtej e thonë: “Edhe shpirti yt është nusja e Krishtit, e është edhe nënë”. Në këtë sjellje, që vjen nga Maria,  Nënë e Kishës, mund ta kuptojmë përmasën femërore të Kishës. E kur i mungon, Kisha humbet identitetin e saj të vërtetë e bëhet shoqatë bamirësie a skuadër futbolli  a kush e di se çka tjetër, por Kishë, sigurisht, jo!”.

Jo, Kishës së beqarëve pleq

Vetëm Kisha femërore mund të sjellë “pjellori” sipas ndjeteve të Zotit, që deshi  të lindte nga gruaja, për të na e mësuar këtë udhë të gruas:

“Ka shumë rëndësi që Kisha të jetë grua, të sillet si nuse e nënë. Kur e harrojmë këtë, është kishë mashkullore e, pa këtë përmasë, bëhet trishtueshëm Kishë beqarësh pleq, që jetojnë të izoluar, të paaftë për dashuri, të paaftë për fekonditet. Pa gruan, Kisha nuk mund të shkojë përpara, sepse edhe ajo është grua. E këtë sjellje e trashëgon nga Maria, sepse vetë Jezusi e deshi kështu”.

Dashuri nëne

Virtyti, që e dallon më shumë gruan - kujtoi Papa Françesku - është dashuria, si Maria “që e nxori në dritë birin e vet të parëlindur, e mbështolli në fasha dhe e vuri mbi grazhd”; kujdesi plot butësi e përvujtëri, është cilësi e fortë e nënave:

“Një Kishë, që është nënë, ecën në udhën e dhembshurisë. E di mirë gjuhën e urtë së ledhatimeve, të heshtjes, të shikimit plot me mëshirë. E edhe një shpirt, një njeri, që e jeton këtë përkatësi ndaj Kishës, duke e ditur se është nënë, duhet të ecë nëpër të njëjtën rrugë: të jetë i butë, i ëmbël, i dhembshur, i qeshur, plot me dashuri”.








All the contents on this site are copyrighted ©.