2018-05-20 17:22:00

Në Jeruzalem, lutje për paqen në Tokën Shenjte


Natën e Rrëshajëve, në Kishën e Shën Shtjefnit, në Jeruzalem, besimtarë të konfesioneve të ndryshme të krishtera u lutën për paqen

Lutuni për Tokën Shenjte e për paqen e të gjithë banorëve të saj! Me këto fjalë e pati bërë thirrjen imzot Pizzaballa, që më 15 maj, pas tragjedisë së të vdekurve në Gazë. E mbrëmë, Natën e Rrëshajëve, Mbrëmësorja e lutjes u kremtua në Jeruzalem, në Kishën e Shën Shtjefnit të etërve domenikanë. Besimtarë e rregulltarë të urdhërave e konfesioneve të ndryshme të krishtera u lutën  “për paqen, që nuk është sheshim i larmive, zhdukje e ndryshimeve, por mikpritje e përzemërt dhe e sinqertë e tjetrit dhe kërkim i rrugës së dialogut”. Të pranishëm, edhe Rojtari i Tokës Shenjte, Atë Françesk Patton dhe imzot Munib Younana, ipeshkëv nderi i Kishës ungjillore luterane në Tokën Shenjte.

Në kërkim të dhuratës së paqes 

“U mblodhëm këtu kryesisht që të shprehim dhimbjen e thellë për ata që humbën jetën këto ditët e fundit” - kujtoi në homeli imzot Pizzaballa. Të pafuqishëm përballë vrasjes së njerëzve të pambrojtur - vijoi administratori apostolik i Tokës Shenjte -   të rrimë disa çaste në heshtje para Zotit, të lutemi pa zë e të kërkojmë dhuratën e besimit e të paqes”.

Natën e Rrëshajëve, ipeshkvi iu lut Shpirtit Shenjt t’u japë të gjithëve guximin  "për të mbrojtur drejtësinë pa kompromise, me vërtetësi, respekt e aftësi për të falur”.

Atë Jean Jacques Pérennès, drejtor i shkollës biblike të Jeruzalemit (Ėcole biblique et archeologique française), ku ndodhet edhe kisha në të cilën u kremtua lutja, shprehu kënaqësinë për pjesëmarrjen e madhe të besimtarëve. “Këto të fundit ishin javë trishtimi, vëshirësish. Kemi shumë nevojë për forcën e lutjes e për të qenë këtu, së bashku, kisha e besimtarë të ndryshëm, të bashkuar në një lutje të vetme. Çast i mrekullueshëm, vërtet! Është forcë për ne. Ditën para Rrëshajëve

Ftesa për lutjen, mirëpritur në mbarë botën

Imzot Pizaballa shpjegoi se ftesa e tij për lutje u mirëprit edhe në vendet e largëta. “U preka thellë kur mora vesh se kishat në mbarë botën e pranuan këtë ftesë: kisha, urdhëra e institute rregulltare. E kjo është shenjë, që tregon se të gjithë e duan paqen, duke e kuptuar se nuk është slogan, por se e kanë për zemër miliona besimtarë. E ky është aspekt shumë pozitiv, që ngjall shpresa të mëdha! Nuk mund të fillojë e të mbarojë vetëm këtu, në Jeruzalem! Urojmë që kjo lëvizje lutjeje për paqen të bashkojë miliona njerëz, e jo vetëm të krishterë!”.








All the contents on this site are copyrighted ©.