2018-05-20 15:28:00

Kremtime të Kishës, në botë


Romë: - Sot, në Sheshin e Shën Gjonit, në Lateran, u kremtua “Festa e Popujve 2018”, me temë “Mirëpritni, ashtu si ju mirëpriti Krishti”. Ndërsa në takimin, zhvilluar në orën 10.00, pranë Seminarit të madh Romak, me përfaqësues të botës laike dhe katolike të bashkësive të ndryshme të Romës, u fol për “Kishën në dëgjim”. Në orën 12.00 u kremtua Mesha, në përfundim të së cilës, në tremen e Bazilikës së Shën Gjonit u shijuan gjellë tipike, përgatitur nga bashkësitë e dhjetë vendeve të ndryshme. Të pranishëm në festë, shumë shqiptarë, edhe ata, me gjellët e  tyre tipike.

Vatikan: - U kremtua 36-vjetori i Këshillit Papnor të Kulturës, themeluar më 20 maj 1982 nga Papa Gjon Pali II, për të favorizuar marrëdhëniet e Selisë së Shenjtë me botën e kulturës.

Toka Shenjte: Në solemnitetin e Rrëshajëve, u themelua kanonikisht një famulli dhe një Vikariat ipeshkvnor për emigrantët dhe refugjatët. Njoftimi  për këtë vendim u bë i njohur më 4 prillin e kaluar, me një komunikatë të Administratorit Apostolik të Jeruzalemit, atë Pierbattista Pizzaballa.

Në Milano të Italisë, pranë dekanatit Giambellino, kryeipeshkvi i Milanos, imzot Mario Delfini, mori pjesë në Mbrëmësoren ekumenike të Rrëshajëve, me këshillin e Kishave kristiane të Milanos.

Aquila (Itali): Në Ditën kushtuar Shën Celestinit V, u kremtua një funksion i posaçëm  fetar, në Bazilikën e Colemaggio-, e cila iu rikthye qytetit e rikthyer në bukurinë e parë, pas tërmetit të 6 prillit 2009.

Senegal: në Popenguine, u organizua “Shtegtimi i 130-të marian me temë: “Mari, na ndihmo t’i themi ‘po’ Zotit”. Nesër, më 21 maj, në Festën e Marisë, Nënë e Kishës, themeluar nga Papa Francesku, do të kremtohet një Meshë solemne, kryesuar nga imzot Benjamin Ndiaye, kryeipeshkëv i Dakar. Do të marrin pjesë besimtarë ardhur nga 7 dioqezat e Senegalit, por edhe shtegtarë nga Gambia, Mauritania e Mali. Shtegtimi marian i  Popenguine ka zanafillë të vjetër: u themelua më 1888, si shenjë nderimi për Notre Dame de la Délivrance – Zojën e Çlirimit, që nderohet posaçërisht në Francë. Po sivjet ishte edhe çast i rëndësishëm i dialogut ndërfetar.








All the contents on this site are copyrighted ©.