2018-05-18 15:20:00

Papa Françesku shpall 6 shenjtorë të rinj: në altar, Pali VI dhe Oscar Romero


Sot paradite, në orën 10.00, në Sallën e Koncistorit, në Vatikan, u kremtua Ora e Tretë si dhe Koncistori i Zakonshëm Publik për shenjtërimin e 6 të Lumëve. 

Emri i parë në listë, Pali VI. Në latinisht Paulus PP VI, i pagëzuar me emrin Giovanni Battista Enrico Antonio Maria Montini, lindi në Concesio, Itali, më 26 shtator 1897 e vdiq, në Castel Gandolfo, më 6 gusht 1978. Ishte i 262-ti ipeshkëv i Romës e papë i Kishës katolike, primat i Italisë dhe i katërti  sovran i Shtetit të Qytetit të Vatikanit, duke u nisur nga 21 qershori i vitit 1963 e deri në vdekje. I Nderuar nga 20 dhjetori 2012, pasi Papa Benedikti XVI ia pati njohur virtytet heroike, u lumnua më 19 tetor 2014, nga Papa Françesku.

Pali VI ishte i pari papë, që udhëtoi me avion, për të arritur në toka tejet të largëta, ku nuk kish shkelur asnjë nga paraardhësit e tij; i pari, që i vizitoi të pesë kontinentet, duke nisur nga Toka Shenjte. Ishte Papa i 7 enciklikave, që përmbylli me sukses Koncilin II të Vatikanit, nisur nga Gjoni XXIII.

Mrekullia, që iu atribua ndërmjetësimit të Giovanni Battista Montinit e që u njoh nga Kisha, është shërimi i një fetusi, në muajin e pestë të shtatzanisë, në vitin 2014. Nëna, nga provinca e Veronës, rrezikohej të abortonte për shkak të një sëmundjeje, që mund të përfundonte me vdekjen e saj dhe të fëmijës. Thellësisht e dëshpëruar, pak ditë para lumnimit të Papës Montini, shkoi në Breshia, në Shenjtëroren e Hireve, për t’i kërkuar   të ndërmjetësonte, për të e për fëmijën. Pak më vonë do t’i lindte një vajzë, që vijon të gëzojë shëndet të plotë”.

Po e kujtojmë sot me fjalët e Gjon Palit II:

“Pikërisht një muaj më parë, në Castel Gandolfo, vdiste Pali VI, Papë i Madh, që gjatë 15 vjetëve i bëri Kishës shërbime të jashtëzakonshme. Pasojat i shikojmë që tani, por unë besoj se do të shihen shumë më tepër në të ardhmen. Çdo të mërkurë ai u fliste njerëzve. Në sinodin e 1977-tës shumë ipeshkvij patën thënë: ‘Fjalimet e Papës Pali të mërkurave, janë katekizëm i vërtetë, që i përshtatet botës moderne’. Unë do të përpiqem t’i ngjas, me shpresë se do të mundem, në një farë mënyre, t’i ndihmoj njerëzit të bëhen më të mirë”.

(Gjon Pali II, audienca e përgjithshme, 6 shtator 1978)

Në këtë botë milionash ka njerëz që nuk u dëgjohet kurrë zëri sa janë gjallë, e ka të tjerë, që vijojnë të na flasin edhe kur i kanë kapërcyer portat e amshimit.

I Lumi Pali VI, së shpejti Shën Pali, vijon të na flasë. Zgjodhëm, për këtë ditë të shënuar, disa nga fjalët e tij të arta, që na kujtojnë se…:

“Njeriu, për vetë natyrën e tij intime, është qenie shoqërore e, pa marrëdhëniet me të tjerët, nuk mund të jetojë e as t’i shprehë dhantitë  e tij”.

“Dëshira për të pasur gjërat e nevojshme, është legjitime e puna për t’i siguruar, detyrë: ‘Nëse ndokush nuk do të punojë, nuk duhet as të hajë”.

 “Thojuni të rinjve se bota ekziston para tyre, e kujtojuni pleqve se do të

ekzistojë edhe pas tyre!”.

E, së fundi:

“Toka u krijua për të gjithë, jo vetëm për të pasurit”.

Do të shpallen shenjtorë edhe

- Oscar Arnulfo Romero Galdámez, kryeipeshkëv i San Salvador, Martir;

- Francesco Spinelli, Prift Dioqezan, Themelues i Institutit të Motrave Adhuruese të të Shenjtnueshmit Sakrament;

- Vincenzo Romano, Prift Dioqezan 

- Maria Caterina Kasper, Virgjër, Themeluese e Institutit të Shërbëtorve të varfëra të Jezu Krishtit.

- Nazaria Ignazia e Shën Terezës së Jezusit (në shekull, Nazaria Ignazia March Mesa), Virgjër, Themeluese e Kongregatës së Motrave Misioneras Cruzadas de la Iglesia.








All the contents on this site are copyrighted ©.