2018-05-18 16:30:00

Liturgjia e Fjalës së Zotit e solemnitetit të Rrëshajëve


Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të së dielës. Kësaj herët do të dëgjojmë dhe meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë së Fjalës Hyjnore të solemnitetit të Rrëshajëve, festës së Ardhjes së Shpirtit Shenjt Zot mbi Apostujt e mbledhur në Çenakull, në Jerusalem. 

       

Këtë të diele kremtojmë festën e madhe të Rrëshajëve që na sjell në plotësimin e Kohës së Pashkëve, pesëdhjetë ditë pas së Dielës së Ngjalljes. Ky solemnitet na bënë ta përkujtojmë e ta rijetojmë shpërderdhjen e Shpirtit Shenjt mbi Apostujt e dishepujt tjerë, mbledhur në lutjes me Virgjërën Mari në Çenakull. Jezusi, ngjall e ngjitur në qiell, i dërgon Kishës Shpirtin e vet, në mënyrë që çdo i krishterë të mund të marrë pjesë në vet jetën hyjnore e të bëhet dëshmitar i bindur në botë.

Rrëshajët janë festë bashkimi, mirëkuptimi e afrimit njerëzor dhe i kundërvihen Babelit, ku njeriu dëshiron të jeton pa Zot, duke u bërë më pak i aftë për të dashur e, prandaj, përherë më pak njeri: kjo është me pak fjalë, përmbajtja e porosisë së Fjalës së Zotit e këtij solemnitetit të Ardhjes së Shpirtit Shenjt Zot mbi Apostujt e Marinë, të mbledhur në Cenakull.

Leximet biblike na përshkruajnë atë çka është Babeli dhe atë çka janë Rrëshajët, që pasqyrohet në botën tonë, ku njerëzit, po, janë pranë njëri-tjetrit, por mirëkuptimi e bashkimi mes tyre shpesh është sipërfaqësor e has në vështirësi dhe pengesa të mëdha. Nganjëherë kemi përshtypjen se po jetojmë në një kullë “të re Babeli”, dhe faktet e përditshme na tregojnë se njerëzit janë bërë më agresivë, më hatërmadh e më armiqësor, dëshmojnë se mirëkuptimi po bëhet përherë e më tepër impenjues, gjithnjë e më i vështirë, e kështu preferohet mbyllja në vetvete.

Kisha në festën e Rrëshajëve, që kremtojmë këtë të diele, na kujton se Shpirti Shenjt për të krishterët, mes tjerash, është edhe simbol i bashkimit, simbol i aftësisë të të folurit me dhe në të njëjtën gjuhë, si dhe simbol i mirëkuptimit në diversitet e jo kundërshti, sundim, manipulim deri në “fabrikimin” e vet jetës njerëzore. Në këtë gjendje, t’i lutësh Zotit duket diçka si e tejkaluar, si diçka e vjetruar, e padobishme, sepse ne vet mund të ndërtojmë e të realizojmë gjithçka që duam. Po ja se, nuk është kështu, ne kemi nevojë për Dritën dhe Ndihmën e Shpirtit Shenjt Zot. Edhe në ditët tona Shpirti i Krishtit të Gjallë vazhdon të jehojë me zërin e tij e ta ndriçojë udhën që çon në atë të Vërtetë, e vetmja që na bënë të lirë dhe i jep kuptim të plotë jetës sonë. Rrëshajët janë festë bashkimi, e prandaj Kisha na fton të jetojmë sipas së Vërtetës.

Duhet të jetojmë sipas Shpirtit të unitetit e të vërtetësisë, e për këtë, duhet të lutemi që Shpirti i Zotit të na ndriçojë e të na prijë, që të fitojmë mbi joshjet, të cilat na shtyjnë të ndjekim të vërteta e tona, e të pranojmë të Vërtetën e Krishtit, të transmetuar në Kishë Gjëja më e rëndësishme në solemnitetin e Rrëshajëve duhet të jetë që secili prej nesh të hyjë brenda misterit e të presë, me fe të gjallë që, çka ndodhi atë ditë, të ndodhë përsëri në jetën tonë personale e në realitetin tonë konkret e të përditshëm. Eja o Shpirt Shenjt! Ndize në ne zjarrin e dashurisë tënde! E dimë se kjo është një lutje e guximshme, me të cilën kërkojmë të prekemi nga flaka e Hyjit; por e dimë edhe se kjo flakë – e vetëm ajo – ka fuqi të na shpëtojë. Nuk duam që për të mbrojtur jetën tonë, të humbim jetën e amshuar që Zoti dëshiron të na dhurojë. Kemi nevojë për zjarrin e Shpirtit Shenjt, sepse vetëm Dashuria shëlbon. Amen!     

                                           Liturgjia e Fjalës së Zotit

Leximi i parë (Vap 2, 1-11)

Pashkët janë çlirimi i një populli; Rrëshajat i japin këtij populli realizimin konkret të kësaj lirie. Festa e krishterë e Rrëshajave është e treguar me të njëjtat fjalë që përshkruhet shfaqja e Hyjit mbi malin Sinaj. Por, shpallet një liri më e vlefshme dhe që zgjat: liria e Shpirtit që ka ringjallur Jezu Krishtin.

Lexim prej Veprave të Apostujve
Kur erdhi dita e Rrëshajëve, të gjithë ishin së bashku në të njëjtin vend. Dhe, ja, papritmas, u ndie një ushtimë nga qielli si shungullimë e erës së fortë dhe e mbushi të gjithë shtëpinë, ku ata ishin. Atyre atëherë iu dukën gjuhë, si të ishin prej zjarri. Këto u ndanë e zunë vend nga një mbi secilin prej tyre. Të gjithë u mbushën me Shpirtin Shenjt dhe filluan të flasin në gjuhë të ndryshme, ashtu si Shpirti Shenjt i shndriste të shpreheshin.
Dhe asohere në Jerusalem banonin judenj, njerëz të përshpirtshëm, të ardhur prej të gjitha kombeve të botës. Dhe, kur u dëgjua ajo ushtimë, ngarendi një shumicë e madhe dhe mbetën të habitur, sepse secili i dëgjonte duke folur në gjuhën e vet.
Të gjithë çuditeshin e mrekulloheshin dhe thoshin: “Këta njerëz që po flasin, a thua vallë nuk janë të gjithë galileas? Po si atëherë secili prej nesh i dëgjon duke folur në gjuhën e vet amtare?
Partë, medë, elamitë, banorë të Mesopotamisë, të Judesë, të Kapadokisë, të Pontit e të Azisë, të Frigjisë e të Pamfilisë, të Egjiptit e të krahinave të Libisë rreth Cirenës, njerëz të ardhur nga Roma, judenj e proselitë, kretas e arabë - të gjithë ne po i dëgjojmë duke shpallur veprat e
madhërueshme të Hyjit në gjuhët tona amtare.” Fjala e Zotit 

Psalmi 104 (103)
Ref:
Plot është toka me Shpirtin tënd, o Zot.

________________

Bekoje, shpirti im, Zotin!
O Zot, Hyji im, sa i madh je!
Sa të shumta janë, o Zot, veprat e tua!
Plot është toka me krijesat e tua.
________________

Po e fshehe ti fytyrën, ato trazohen,
dhe kthehen në pluhur përsëri.
Po e dërgove frymën tënde,
përsëri përtërihen,
dhe e rinon fytyrën e dheut.
________________

E amshueshme qoftë lavdia e Zotit,
u gëzoftë Zoti në veprat e veta!
I pëlqeftë Zotit kënga ime,
kënaqjen time e kam vënë në Zotin!
________________


Leximi i dytë (1 Kor 12, 3-7. 12-13)
Shpirti Shenjt i dhuron çdokujt thirrje dhe dhurata të ndryshme, sipas personalitetit të secilit. Por lind problemi që të krishterët, të ndryshëm njëri nga tjetri mund të ndahen. Shpirti kërkon bashkimin që realizohet duke e kultivuar këtë bashkim dhe duke ruajtur për secilin personalitetin e vet.

Lexim prej Letrës së parë të shën Palit apostull drejtuar Korintasve
Vëllezër, askush që fletë në ndikimin e Shpirtit të Hyjit nuk thotë: “Qoftë mallkuar
Jezusi!”, por edhe askush nuk mund të thotë as: “Jezusi është Zot!”, veçse nën veprimin e Shpirtit Shenjt.
Dhuratat janë të ndryshme, por Shpirti Shenjt është i njëjtë – edhe shërbesat në përhapje të Ungjillit janë të ndryshme, por Zoti është i njëjtë – po edhe mënyrat e veprimit janë të ndryshme, por Hyji është i njëjtë – Ai bën gjithçka në të gjithë. Secili merr dhuratë të veçantë të zbulesës së Shpirtit Shenjt për të mirën e përbashkët.
Dhe njëmend, sikurse një trup i vetëm ka shumë gjymtyrë e të gjitha gjymtyrët e trupit, edhe pse shumë, nuk trajtojnë por një trup të vetëm, ashtu edhe Krishti. Vërtet, në një të vetmin Shpirt Shenjt të gjithë jemi pagëzuar për të qenë një trup i vetëm, si hebrenjtë ashtu grekët, si robërit ashtu edhe të lirët, dhe të gjithë e kemi shuar etjen në të njëjtin Shpirt Shenjt. Fjala e Zotit 

Ndjekësorja

O Shpirt Shenjt, deh zbrit mbi ne,
e prej qiellit derdh mbi ne
rrezet tua plot me dritë.

Eja, o Atë, për nevojtarë,
eja, ti n’dhanti bujar,
eja, ti që mendjet shndrit.

Ti n’ngushtica ngush’llim bjen,
ti ndër zemra si mik vjen,
t’lodhunt n’jetë rishtas forcon.

N’mund e djersë ti je pushim,
n’vapë e luftë ti je freskim,
lot ti terë, zemrat ngushllon.

Dritë Hyjnore, plot shejtni,
shndritnai mendjet e n’dashuri
kalle flakë kënd n’ty shpreson.

Ku s’je ti, gjithçka dështon
n’natyrë t’njerit gjë s’qëndron
që t’jetë shenjte, si ti don.

Njollat hiq, dangat pastro,
n’shpritëra tanë hiret rigo,
varrët e mëkatit na i shero.

Çka ësht’ t’brishtë, këndshëm lako,
çka ësht’ t’ftohtë, me flakë rretho,
çka ësht’ t’shtrembët, ëmbël drejto.

Jepna ne që n’ty besojmë,
jepna ne që n’ty shresojmë,
shtatë dhantitë që aq dëshirojmë.

Mundin tonë ti na e shpërble,
n’mëkat me vdekë ti mos na le, 
bën me ty n’amshim t’lumnojm.

ALELUJA, Aleluja.
Eja, o Shpirt Shenjt, mbushi zemrat e besimtarëve të tu, 
dhe ndeze në ta zjarrin e dashurisë sate.
Aleluja.

Ungjilli (Gjn 20, 19-23)
Jezusi sapo është ringjallur, dhe prezantohet menjëherë me një dhuratë për dishepujt që e kishin braktisur. Është dhurata e Shpirtit Shenjt. Është dhurata e ripërtëritjes, e pajtimit, e paqes. Duke dhuruar Shpirtin e tij, Krishti përsërit veprimin që Krijuesi bëri në Zanafillën, dhe u jep apostujve fuqinë për të falur 
mëkatet.

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Gjonit
Në mbrëmje po të asaj dite – të parën ditë të javës – ndërsa dyert e shtëpisë, ku banonin nxënësit, ishin të mbyllura prej frikës së
judenjve, erdhi Jezusi, zuri vend midis tyre dhe u tha: “Paqja me ju!”
Si u tha kështu, u tregoi duart dhe kraharorin. Nxënësit u gëzuan, kur e panë Zotërinë. Mandej u tha prapë: “Paqja me ju! Sikurse më dërgoi mua Ati, ashtu unë po ju dërgoj ju.” Si foli kështu, hukati mbi ta dhe u tha: “Merrni Shpirtin Shenjt! Atyre që jua falni mëkatet, u falen, e atyre që nuk jua falni, nuk u falen.” Fjala e Zotit








All the contents on this site are copyrighted ©.