2018-05-17 15:15:00

Çelësi i fjalëve të Kishës: Libri i parë i Samuelit


Ka një emër, që përmendet shpesh në Bibël, si në Besëlidhjen e Vjetër, ashtu edhe në të Renë. Është “Mesia”, i vojuari, i shuguruari, i zgjedhuri. Nëse duam ta dimë si fillon historia e këtij emri, duhen lexuar dy librat e Biblës, që quhen “të Samuelit”. Sot, do t’ju flasim për Librin e parë të Samuelit. Edhe për të i referohemi meshtarit italian, Federico Tartaglia dhe vëllimit të tij, “Është ora e leximit të Biblës”.

Në të vërtetë, në Bibël, nuk ka figurë, që të afrohet kaq shumë më Moisiun si ajo e profetit dhe e gjykatësit Samuel. Ai e lidh epokën e gjykatësve me fillimin e monarkisë së Davidit. Prestigji dhe karizma e tij janë absolute e skena e vojimit të mbretit të parë të Izraelit, Saulit, e sidomos, ajo e bariut të ri David, do të marrin vlera themelore në historinë e popullit të zgjedhur. Mesia është i shuguruari i Zotit e, është pikërisht Samueli, që e vendos këtë traditë, e cila arrin deri në ditët tona përmes vojimit pagëzimor, meshtarak e ipeshkvnor.

Libër historik tregimtar

Libri i parë i Samuelit fillon me lindjen e tij të mrekullueshme e përfundon me vdekjen e mbretit Saul. Tregimet janë tradicionale, pasi ngjarjet ndodhin rreth vitit 1000 para Krishtit, ndërsa përshkrimi i tyre përfundon me Traditën e madhe deutoronomiste, rreth vitit 500 para Krishtit, prandaj shpesh ka përsëritje e madje, edhe kontradikta, por në këtë proces, personazhet njerëzore dhe Fjala e Zotit përçojnë humanitet dhe vërtetësi, larg nga paketimi i rremë, që do t’u kishte bërë një artist i keq. Në të vërtetë, kanë ardhur deri tek ne si piktura e artistit të mirë, që e ka përpara realitetin e përpiqet ta pikturojë sa më saktë, pavarësisht se i shton, ose i mungon diçka apo zbukuron diçka tjetër.

Kjo na bëhet e qartë sapo lexojmë për lindjen e Samuelit e për këngën e Anës, shëruar mrekullisht nga shterpësia, këngë, që frymëzoi Magnificat-in e Marisë. E nuk na lë indiferentë thirrja e Zotit për Samuelin, që në errësirën e natës, e shqipton tri herë emrin e tij. Edhe profecia e Samuelit për mbretin, që izraelitët e dëshironin prej kohësh, na bën përshtypje, së bashku me disa nga skenat më të famshme të Biblës, si dueli ndërmjet Davidit e Golisë, apo çmendja e Saulit e vdekja e tij, shkas për tragjedi të famshme në botën e artit.

Falë Davidit, Izraeli ka mbretërinë e vërtetë

Bukuria e Librit të parë të Samuelit mund të përmblidhet kështu: nga njëra anë, forca morale e Samuelit, që na tërheq nga fillimi në fund e, nga ana tjetër, dobësia morale, shpirtërore dhe psiqike e mbretit të parë të Izraelit, Saulit, të cilin Zoti e mohon, duke e lënë të përfundojë si viktimë e zilisë dhe e çmendurisë së vet.

Në mes e përtej këtyre dy figurave, Davidi i ri: falë tij, Izraeli do të ketë një mbret e një mbretëri të vërtetë e, pas tij, askush nuk do të barabitet me fuqinë e tij ushtarake e me forcën e tij shpirtërore. Pra, Libri i parë i Samuelit është një thesar i çmuar letrar me tre personazhe: shenjti, i çmenduri dhe heroi.

Kush e lexon librin e ndjek me interes Samuelin, që e mëson dhe e ngushëllon popullin, pikërisht kur humbet arkën e besëlidhjes e mundet nga filistejtë. Kërkojnë një mbret, por në libër, duke paraqitur Saulin si mbret, përvijohet ideja se mbreti i vetëm i Izraelit është e do të jetë Zoti. Ҫdo mbret tjetër do të luftojë me mëkatet e veta, si Sauli, por edhe si Davidi. E megjithatë, edhe Sauli nuk dënohet deri në fund, pasi e kupton marrinë e vet e hidhet mbi shpatën e shqytarit të vet për t’i dhënë fund jetës.

Shenjti, i çmenduri dhe heroi

Shenjti admirohet, i marri, në një farë mënyre, kuptohet, ndërsa heroi lartohet që të mbetet shembull për brezat e ardhshëm, sepse dikur lavdia e mbretërisë së Davidit do të shkëlqejë sërish. Në Librin e parë të Samuelit, kemi të bëjmë me një David jo të qëndrueshëm, i cili për dy herë me radhë mund ta vrasë Saulin, por nuk e bën, që t’i japë mundësinë të pendohet. Këto ngjarje përbëjnë pjesën e dytë të Librit, në të cilin Zoti paraqitet gjithnjë si shumë njerëzor. Për shembull, i thotë Samuelit se është penduar që e ka vënë mbret Saulin, sepse ai është larguar prej tij e nuk ia ka respektuar fjalën.

Zemërimi hyjnor, që shkrehet mbi Saulin, është i tmerrshëm e sot, na vjen të kërkojmë mëshirë. Por teksti biblik ka nevojë të kujtojë se pushteti i një mbreti duhet t’i nënshtrohet vullnetit hyjnor, ose, siç do të thoshim sot, të theksojë se “nga pushteti i madh rrjedhin përgjegjësi të mëdha”. Shenjti, i çmenduri e heroi na mësojnë pikërisht këtë, duke na mbërthyer në leximin e Librit biblik, pa na lënë të kalojmë përciptas paragrafe e faqe.








All the contents on this site are copyrighted ©.