2018-05-17 13:27:00

Papa Françesku: uniteti i vërtetë është udha e Jezusit


Në Meshën e mëngjesit, kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës në Vatikan, Papa Françesku ftoi për të punuar në shërbim të unitetit të vërtetë dhe vërejti se në unitetin e rremë, hipokrit, përflitet, përçahet, dënohet. Rreth këtyre dy tipeve të unitetit, këtyre dy rrugëve, u shtjellua e gjithë homelia e Papës, që e mori shtytjen nga Liturgjia e sotme e Fjalës: njëra, është ajo e unitetit të vërtetë, për të cilin flet Jezusi në Ungjill (Gjn 17,20-26), unitet që ka Ai vetë me Atin, drejt të cilit dëshiron të na çojë edhe ne. Krishti flet për unitetin e shëlbimit, që bën Kishën, unitet, i cili shkon drejt amshimit. “Kur ne - nënvizoi Papa - në jetë, në Kishë ose në shoqërinë civile, punojmë për unitetin, jemi në udhën, që e hapi Jezusi".

Uniteti i rremë përfundon me përçarje

Por ka edhe një tip tjetër uniteti: ai i rremë, i shtirë, ashtu si i paditësve të Shën Palit në Leximin e Parë të sotëm (Vap 2,30;6-11). Fillimisht paraqiten si bllok unik, për ta akuzuar. Por Pali, që “ishte tejet mendjehollë”, me urtinë njerëzore, e edhe me atë të Shpirtit Shenjt, “u hodhi gurin e sherrit”, duke pohuar se “u thirr në gjyq për shkak të shpresës në ngjalljen prej të vdekurve”. Një pjesë e këtij grupi, me unitet të rremë, përbëhej nga saduçenjtë, që pohonin se nuk ka ringjallje, as engjëj, as shpirtra, ndërsa farizenjtë besonin në ringjallje, në engjëj e në shpirtra. Pali arrin, kështu, ta shembë unitetin e tyre, që nuk kishte themele. Atëherë ndërmjet tyre shpërthen menjëherë sherri e asambleja, që e akuzonte, përçahet.

Nga popull, masë anonime

Në persekutimet e tjera,  që pësoi Pali, shihet se populli vikat sa i ha zëri, pa ditur çka thotë, i shtyrë nga drejtuesit, që e mësojnë si të bërtasë:

“Ky manipulim i popullit është njëkohësisht edhe përbuzje për popullin, sepse e shndërron nga popull, në masë, në turmë. Element që përsëritet shumë shpesh ky, që nga kohët e para, deri në të sotmet. Ta mendojmë këtë! Të kujtojmë të Dielën e Larit: të gjithë dynden në Jeruzalem me brohorinë: 'Bekuar qofsh ti, që vjen në emër të Zotit!'. Por pas të dielës së ndritshme, vijnë ditë të tjera, përherë e më të zeza, deri tek e premtja, kur e njëjta turmë ulërin: 'Kryqëzoje!'. Ç’kishte ngjarë? Turmës ia lanë trutë, e me ato tru i shikonte gjërat krejt ndryshe. E shndërruan popullin në masë, në turmë, që di vetëm të këlthasë e të shkatërrojë".

Të përflasësh, për të dënuar: metodë që vijon të përdoret edhe sot

Krijojnë -  vijoi të shpjegojë Papa – kushte të errëta, për ta dënuar njeriun; e pastaj uniteti merr fund". Metodë, kjo, që u përdor për të përndjekur edhe Jezusin, Palin, Shtjefnin dhe të gjithë martirët e që përdoret rëndom edhe sot - vërejti Papa. Për shembull, “në jetën civile, në jetën politike, kur  dikush dëshiron të bëjë grusht shteti, mediat nisin të marrin nëpër gojë njerëzit, drejtuesit e, me shpifje e përgojime, i ndotin”. Pastaj arrin edhe drejtësia. I dënojnë. E në fund të fundit ia behë edhe “grushti i shtetit”. Persekutim, që e shikojmë edhe në kohën e bashkësive të para të krishtera, kur turma në cirk bërtiste, e pakënaqur, sepse donte të shikonte ndeshjen ndërmjet martirëve e bishave ose gladiatorëve. Po ata vdisnin në gjunjë, pa luftuar për ta mbrojtur jetën, ngaqë e dinin se po e humbisnin, për ta fituar.

Thashethemnaja i shkatërron njerëzit

Gjithnjë “hallka e zinxhirit për të arritur tek dënimi”, është ky mjedis me unitet të rremë - vuri në dukje Papa. E, në një masë më të kufizuar, e njëjta gjë ndodh edhe në bashkësitë tona famullitare, për shembull, kur dy o tre vetë fillojnë të kritikojnë dikënd. E ia nisin ta marrin nëpër gojë mbarë e prapë… E bëhen një, kur është fjala për ta dënuar: ndjehen të sigurt e edhe e dënojnë. E dënojnë mendërisht, me sjellje; pastaj shkojnë secili në punë të vet e ia nisin të marrin nëpër gojë njëri-tjetrin, sepse janë ndarë. Prandaj themi se marrja nëpër gojë kot është sjellje vrasëse, sepse i vret njerëzit, i merr nëpër gojë e nëpër këmbë,  ua nxin emrin njerëzve.

Të ecet në udhën e unitetit të vërtetë

Thashethemnajën e përdorën edhe kundër Jezusit: që ta diskreditonin e, si t’ia kishin nxjerrë bojën, edhe ta zhduknin. Të mendojmë për thirrjen, që na drejtohet: unitet me Krishtin, me Atin. E në këtë udhë duhet të ecim, burra e gra, që bashkohen e kërkojnë të shkojnë gjithnjë përpara, në udhën  e unitetit. E jo të uniteteve të rreme, pa themel, që shërbejnë vetëm për t’i dënuar njerëzit, për të çuar përpara interesa, të cilat nuk janë tonat: interesat e princit të kësaj bote, që është shkatërrimi. Zoti na dhashtë hirin të ecim gjithnjë në udhën e unitetit të vërtetë!








All the contents on this site are copyrighted ©.